TIRANË- Pas shtyrjes së seancës gjyqësore për gjykimin civil me dhëndrin e ish-kryeministrit Berisha, Jamarbër Malltezi dhe deputetit të Partisë Socialiste, Taulant Balla, nga Gjykata e Apelit, kanë vijuar edhe akuzat e ndërsjella mes dy palëve të përfshira në proces. Seanca ishte parashikuar të mbahej në ora 9:40 minuta mëngjesin e sotëm, ndërsa shtyrja është bërë me kërkesë të avokatit mbrojtës të Ballës.
 
Por vendimi për shtyrjen e seancës nuk është mirëpritur nga mbrojtja e Jamarbër Malltezit, e cila ka deklaruar se seanca duhet të zhvillohet. Deputeti socialist është shprehur se nuk mund të ishte i pranishëm në Gjykatë për shkak se ndodhej në Komision.

“Është kërkuar shtyrja sepse edhe në këtë seancë gjyqësore në apel unë dua të jem përsëri aty personalisht, për të rishprehur qëndrimet e mia kundër klanit familjar të Sali
Berishës, që sot është rrëzuar nga pushteti, në pritje të drejtësisë", u shpreh Balla.

Por Jamarbër Malltezi e ka quajtur “frikacak, që iu fsheh përballjes në seancën e caktuar nga Gjykata e Apelit Tiranë”.

Pas kësaj akuze ka replikuar deputeti Balla, i cili thotë se “e garantoj dhëndrin e babit ish-Kryeministër, familjen klanore në tërësi, se Drejtësia do të vendoset shumë shpejt. Edhe për ju! Sa për frikacak, Jamarbëri bën mirë të pyesë Sali Berishën, se ky më njeh mire”.
 
Pas shtyrjes së seancës, Jamarbër Malltezi u shpreh në një reagim për median “Pas shpifjeve ndaj qytetarëve tani Taulant Balla po mashtron gjykatën. Pasi ishte ankuar kundër vendimit të shkallës së parë të gjykatës së Tiranës që e shpalli shpifës ndaj meje, Balla ju fsheh sot përballjes në seancën e caktuar nga Gjykata e Apelit në Tiranë dhe kërkoi shtyrjen e gjykimit me pretendimin se ishte në një mbledhje të Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare. Ndërkaq mësojmë se ky Komision ka 3 javë që nuk mblidhet!!!
 
Është trishtuese të shohësh që përfaqësohemi nga frikacakë si Balla që nga një anë përbetohen për respektim të ligjeve të vendit, e nga ana tjetër shpifin për qytetarët dhe mashtrojnë gjykatat. Shpresoj që të gjejë forca dhe të mos i përvidhet përballjes me shpifjet e tij në Gjykatën e Apelit në seancën e ardhshme”.
 
 
Në përgjigje të kësaj deklarate, deputeti socialist Taulant Balla tha se “Sot në Gjykatën e Apelit ishte programuar zhvillimi i seancës gjyqësore me dhëndrin e babit ish-Kryeministër Sali Berisha. Pas një vendimi qesharak në Gjykatën e Shkallës së Parë, ku dhëndri i Sali Berishës nuk u paraqit në asnjë seancë gjyqësore për të dhënë shpjegime, sot dëgjova se dhëndri qenka ankuar për një shtyrje normale dhe ligjore të seancës. Është kërkuar shtyrja nga avokati, për shkak të angazhimeve të shumta që unë kam si nënkryetar i Grupit Parlamentar Socialist, si Kryetar i Delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë në Parlamentin Europian, si nënkryetar i Komisionit të Integrimit Europian dhe si anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare”.
 
Ndërsa u shprehu besimin se në vijim procesi do të sjellë transparencë lidhur me këtë çështje.
 
“Të gjithë shqiptarët e dinë se dhëndri i Sali Berishës vodhi klubin e futbollit Partizani, me vendimet e vjehrrit babi Saliut.
 
Shqiptarët duan transparencë dhe procesi sapo ka filluar. Hetimi i pasurive të politikanëve dhe familjarëve të tyre është pjesë e këtij procesi transparence.
 
Procesi i reformës në drejtësi është në hapat e parë, por e sigurta është që kjo mazhorancë do bëj gjithçka për vendosjen e drejtësisë në binarët dhe standardet e duhura”, tha Balla.

Redaksia Online
(e.s/ak/shqiptarja.com)