TIRANË- Seanca për ish-ministrin Fatmir Mediu lidhur me masakrën e Gërdecit u shty pasi Gjykata e Posaçme u la kohë avokatëve të përgatisin pyetjet për ekspertët ushtarakë, që kanë përcaktuar edhe shkakun e shpërthimit të demontimit të armëve në Gërdec.
I revoltuar, Mediu tha pas seancës se është absurde që ministri të hetohet për çështje të karakterit ushtarak. Sipas tij, përgjegjësitë janë të ndara, ndërsa sqaroi se ekspertët nuk ishin prezentë dhe pyetjet do t’u dërgohen me shkrim.
“Është një situatë kaq absurde sa është tërësisht e papranueshme që ministri të gjykohet se ça janë kalibrat apo elemente të tjerë që nuk kanë të bëjnë me detyrën e tij. Këto çështje janë të karakterit ushtarak. Ne jemi vend anëtar i NATO-s dhe janë të ndara përgjegjësitë civile dhe ushtarake. Jemi në një realitet që është absurd.
Fakti për debatin e sotëm ishte sepse dy nga ekspertët nuk ishin prezent dhe do kishim dy procese paralele, duhet t'i çonim atyre pyetjet me shkrim për të marrë përgjigjet dhe pjesa tjetër do përgjigjej me gojë.
Pra për të pasur një proces korrekt u la që t'i përcillen pyetjet me shkrim. Edhe pse ne kërkuam që debati të behej drejtpërdrejt, sepse ata janë ekspertë dhe kanë dijeni mbi ate se cfarë kanë shkruar.
Por në këto rrethana u gjykua që ishte korrekte për të pasur një përgjigje nga të gjithë ekspertët sesa të kemi dy procese paralele”, tha Mediu, i cili do t'ua lërë përgjegjësinë ushtarakëve për trafikun e municioneve në Gërdec, me pretendimin se ky ishte ministër dhe nuk dinte gjë se çfarë bëhej.
Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur.
Gjyqi ndaj Fatmir Mediut vijon prej prillit 2023. Sipas SPAK, Mediu ka dëmtuar interesat e shtetit dhe ka favorizuar 2 kompanitë, 'SAC' dhe 'Albademil'. Për këtë çështje ai akuzohet për “shpërdorim detyre” referuar Kodit Penal dhe “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.