SPAK ka nisur punën. Eshtë nisja e konkretizimit të një ëndrre e dëshire 30 vjeçare të brezave të tranzicionit. Na mungonte një shtyllë kurrizore: Drejtësia. Shufra, shkopinj, grushte, fshikullime të forta e kishin rrëzuar, përulur, depersonalizuar. Tani po shihet një rimëkëmbje, do të përceptohet nga të gjithë një ndërtim ditë pas dite i një dinjiteti të njerëzve të drejtësisë. E mirëpritur.
Por duhet kohë, përkushtim, standarte e sidomos pasion e drejtësi që kjo shtyllë kurrizore të forcohet e sidomos të qëndrojë drejtë dhe e barabartë duke risjellë harmoninë në vend. Të shënjestrosh korrupsionin dhe njerëzit që ushqejnë atë, është misioni më fisnik dhe ndihma më e madhe që i jepet njerëzve të punës në Shqipëri, kundër atyre që ngjiten pas të gjithë këtyre punëve të bëra dhe që, ose i pengojnë, ose ua thithin linfën duke rënduar në cilësinë.
Një erë tjetër duket të ketë përfshirë më në fund dhe në vendin tonë të vogël në perëndim të Ballkanit dhe që kjo erë ndryshimi të funksionojë e të pastrojë mirë, duhet të jenë me një shtyllë kurrizore të fortë dhe përfaqësues të tjerë të shoqërisë: media sidomos. E ngatërruar dhe e përfolur apostafat që të ketë sa më pak peshë në shoqëri, edhe këtu, si në drejtësi, qëndrojnë bashkë ikona të gazetarisë me trafikantë e politikanë të korruptuar të shumëfishtë. Distancimi nga media-krim do të ishte një ndërgjegje e kërkuar për një fillim të mirë e vetëm në këtë pikë, ajo shtyllë kurrizore që ëndërrojmë, do të jetë e fortë e drejtë dhe pa deformim.
Shkrim i bukur, me vlere. Media-krim eshte vertete nje e keqe qe duhet te trajtohet por edhe te hetohet. Ne vecanti pronare mediash spekulante, qe perfitojne ne kembim te favoreve politike e per rrjedhoje jane njesoj me krimin. Te tilla ne Shqiperi duket se jane te gjitha.
Përgjigju