Shtytjet për emigracion, po rritet kërkesa nga jashtë për punonjës me kualifikim

Shtytjet për emigracion, po rritet kërkesa nga jashtë për punonjës me kualifikim

Foto ilustruese

Në periudhën 2018-2030, vlerësohet se në Itali do të hapen 13,750,000 vende pune, të nxitura kryesisht nga kërkesa për zëvendësim. Dekadën e kaluar, punonjësit migrantë iu përgjigjeshin më së shumti nevojave për zëvendësim në profesionet me kualifikim të ulët, që punonjësit vendas nuk mundeshin ose nuk donin t’i pranonin (kryesisht në sektorët e bujqësisë, ndërtimit dhe kujdesit personal).

Puna joformale është gjithashtu e përhapur në Itali dhe mbështetet gjerësisht në një numër i madh migrantësh të padokumentuar. Sidoqoftë, për shkak të prirjeve për rritjen e vazhdueshme të kualifikimeve dhe madhësisë së tregut të punës, ka gjasa të rritet kërkesa për migracion të synuar të punonjësve gjysmë të kualifikuar dhe të kualifikuar.

Shifrat e ISTAT-it për nevojat për punësim në Itali tregojnë se nga viti 2020 deri në vitin 2021, vendet e lira të punës mbizotëroheshin nga sektori i shëndetësisë (223-241,000), shërbimet publike dhe private (145-170,000) dhe sektori i formimit dhe kulturës (152-169,000).

Profesionet kryesore që kishin nevojë për punonjës ishin punonjësit e kualifikuar (107,020), personeli i shitjeve dhe shërbimeve (87,120), menaxherët dhe profesionet me specializim të lartë (68,050) dhe profesionet e pakualifikuara (43,480).

Tregu gjerman i punës prodhon vazhdimisht kërkesë të lartë për punonjës të huaj të kualifikuar. Pas mbërritjes së mbi 1 milion azilkërkuesve në vitin 2015 dhe 2016, shumica e të cilëve ishin në moshë pune, politikat gjermane të migracionit për motive punësimi ndryshuan drejt pakësimit të migracionit me kualifikim të ulët jashtë BE-së, duke u përqendruar te tërheqja e punonjësve migrantë të kualifikuar dhe me kualifikime të larta.

Mungesat e fuqisë punëtore në vend janë të konsiderueshme dhe vlerësohet se, gjatë pesë viteve të ardhshme, mund të hapen më shumë se 6 milionë vende të lira pune.

Profesionet më të kërkuara në të ardhmen do të kërkojnë të paktën kualifikime në nivel mesatar dhe përfshijnë profesionistë të lidhur me biznesin dhe administrimin, punonjës të kujdesit personal, punonjës në sektorin e shitjeve dhe punonjës të kualifikuar ndërtimi.

Arsyeja për këto mungesa përfshin mospërputhjen e kualifikimeve, pagat e ulëta, si dhe kushtet sfiduese të punës në disa prej sektorëve, për shkak të të cilave, popullata vendase heziton t’i zërë këto vende pune.

Në Greqi, sektorët më të rëndësishëm për emigrantët sezonalë shqiptarë të punës janë në rënie që nga viti 2014 dhe u prekën ndjeshëm nga pandemia COVID-19. Përkatësisht, këta janë sektorët e punonjësve të pakualifikuar, të tillë si bujqësia, blegtoria dhe peshkimi. Tendenca të ngjashme të papunësisë vërehen për profesionet e punonjësve fizikë.

Mbretëria e Bashkuar po përballet me mungesë të konsiderueshme të fuqisë punëtore, kryesisht për shkak të dy efekteve kryesore. Së pari, pas Brexit-it, oferta e punës u ul në mënyrë masive, duke përjashtuar nga tregu i punës veçanërisht punonjësit e BE-së me kualifikime të ulëta.

Së dyti, rritja ekonomike pas izolimit për shkak të pandemisë ka çuar në një situatë me kërkesë me rritje të shpejtë, të përkeqësuar nga mungesa e punonjësve të BE-së (përfshirë punonjësit sezonalë) që, më parë, kishin qasje të lirë në tregun e punës në Mbretërinë e Bashkuar.

Me rreth 1,1 milionë vende të lira pune vetëm në periudhën korrik-shtator 2021, mungesat e fuqisë punëtore në Mbretërinë e Bashkuar janë të pashmangshme dhe shtrihen në të gjithë sektorët./Monitor

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Alb: 24/06/2023 14:50

    Ne shqipnin kan me mete budallajte dhe te burgos.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë