Urimi i Ilir Metës për 7 Marsin fokusohet te sfidat e mësuesisë dhe arsimit. Në shkrimin e tij, ish-presidenti dhe ish-kryeministri, i cili ndodhet në qeli, thotë se shumë mësues sot festojnë në emigracion, ndërsa arsimi përballet me nënfinancim dhe zbrazje të shkollave.
Meta shkruan se arsimi duhet të jetë prioritet kombëtar dhe kjo ditë duhet të rikujtojë jo vetëm respektin, por edhe mbështetjen ndaj mësuesve.
“Gëzuar 7 Marsin – Ditën e Mësuesit!
Urimet më të përzemërta për të gjithë mësuesit, pedagogët dhe profesorët shqiptarë, të cilët me përkushtim dhe sakrificë i shërbejnë çdo ditë dijes dhe edukimit të brezave të rinj. Mirënjohje të thellë për misionin tuaj fisnik në përcjelljen e dijes, vlerave qytetare dhe identitetit kombëtar.
Fatkeqësisht, shumë prej jush sot e festojnë këtë ditë larg atdheut. Politikat e gabuara dhe mungesa e mbështetjes për arsimin kanë detyruar jo pak mësues e pedagogë të largohen në emigracion, kur vendi kishte më shumë se kurrë nevojë për përvojën dhe përkushtimin tuaj në shkolla dhe universitete.
Sot arsimi përballet me sfida të mëdha: nënfinancim nga buxheti i shtetit, paga të ulëta që nuk krahasohen dot as me Kosovën, shkolla që mbyllen, universitete që zbrazen dhe një sistem që shpesh nuk i jep vlerësimin e merituar mësuesit shqiptar. Por pavarësisht vështirësive, mësuesi mbetet shtylla më e fortë e shoqërisë dhe themeli i së ardhmes së vendit.
Arsimi duhet të jetë prioritet kombëtar. Investimi në dije, në dinjitetin dhe mirëqenien e mësuesve është investimi më i sigurt për një Shqipëri më të zhvilluar, më të drejtë dhe me më shumë shpresë për të rinjtë.
Me besim se e ardhmja ndërtohet mbi dijen, uroj që kjo ditë të jetë jo vetëm një kujtesë për respektin, por edhe për mbështetjen që çdo mësues meriton”, shkruan Meta.
P.J/Shqiptarja.com












