Si e projektoi Pistoli 15-katëshin! Beteja e urbanistes Leka që punoi për qendrat e qyteteve! Të bijat rrëfejnë për arkitektet shqiptare në ekspozitën e muzeut ‘MAXXI’

Piramida e transformuar, shndërrohet në habitatin e duhur për të pritur këtë javë ekspozitën shëtitëse “bijë” të muzeut ‘MAXXI’ në Romë “Lajme të mira. Gratë që ndryshojnë arkitekturën”.

“Kjo ekspozitë ka lindur nga një projekt më i madh i muzeut ‘MAXXI’, që u realizua në vitin 2021, i kuruar nga unë, Pippo Ciorra dhe Elena Motisi”, thotë Elena Tinaçi, kuratore e ekspozitës të muzeut MAXXI të Romës.

Krahas arkitekteve gra më në zë në botë si Zaha Hadid, projektet e ekspozuara, videot, intervistat, ballafaqojnë dhe inspirojnë, duke rrugëtuar përmes rrëfimeve të ndara në kapituj në vende të ndryshme. Drita bie edhe mbi 4 arkitekte shqiptare. Valentina Pistoli është padyshim pionerja e arkitekturës në vendin tonë.

“Valentina Pistoli për ne është padyshim Zaha Hadid i vendit tonë”, shprehet arkitekti Armand Vokshi, dekan i Fakultetit të Urbanistikës dhe Arkitekturës.

Dy objektet simbol, që Pistoli projektoi në kohën e kufizimeve janë Hotel Tirana (15-katëshi) dhe Pallati i Kulturës “Aleksandër Moisiu”.

“Ajo nguli piketat e qyteteve kryesore shqiptare. Duke bërë ndër të tjera hotel 15-katëshin, në zemër të qytetit”, shton Vokshi.

E bija Donika, ka trashëguar profesionin, por edhe këshillat e arta të saj për arkitekturën, tregon më shumë për projektin e 15-katëshit.

“Është bërë me konkurs. Unë atëherë kam qenë studente në arkitekturë, sepse ndoqa gjurmët e mamasë. Dhe nga të gjitha variantet që u prezantuan nga grupe të ndryshëm, fitoi varianti i nënës sime i arkitektes Valentina Pistoli. U realizua dhe qëndron edhe sot goxha mirë si siluetë, pra dhe si arkitekturë dhe si urbanistikë. Edhe pse sot ka dhe një zhvillim tjetër pas tij, por qëndron. Hotel Tirana, ishte linja vertikale më e lartë në sheshin “Skënderbej”, konturoi sheshin dhe qëndroi në harmoni me të gjitha objektet e tjera horizontale”, tregon e bija Donika Pistoli Tartale.

“Valentina Pistoli është autorja e pothuajse të gjitha apartamenteve të socializmit. Është ajo që ka sjellë në Shqipëri kuzhinën me aneks”, thotë arkitektja Arba Baxhaku (Bashkia e Tiranës).

“Më kujtohet që ajo u përkushtua në fushën e banesave. Ka një sërë banesash në zona si ish-Blloku (kompleksi pranë Librit Universitar), në Korçë, ka komplekse banesash pranë Postës, Stacionit të Autobusit që ndërthureshin shumë bukur me qendrën e qytetit. Po ashtu ka bërë edhe në qytete të tjera si Vlora shumë banesa, në atë kohë kërkohej që banesat të bëheshin sa më ekonomike, të vogla, por ajo luftoi shumë dhe shkonte i pyeste vetë amvisat në shtëpi, problemet që kishin, si të organizoheshin etj. “, thotë e bija e Pistolit. 

Në fushën e urbanistikës, është përzgjedhur Shpresa Leka, një tjetër personalitet i arkitekturës në vend, që  bashkëpunoi në projektet e qendrave të qyteteve kryesore dhe dha ndihmesë të veçantë edhe në legjislacionin e planifikimit urban. E bija, Irisi, po ashtu arkitekte ndan me ne momente nga puna e saj.

“Mami ka punuar në Institutin e Projektimeve Nr .1 fill pas pas përfundimit të studimeve për arkitekturë në Universitetin e Tiranës. Por, ishte koha më e bukur e projektimit në vendin tonë, pasi projektohej pa teknologji, pa mjete, me vështirësi shumë të mëdha që nuk njihen në kohën tonë”, thotë arkitektja Iris Papa, e bija e Lekës.

Ka qenë një zë kritikë edhe në post diktaturë, për transformimet që mbingarkonin dhe prishin harmoninë e objekteve.

“Ka qenë shumë e dhënë pas punës, rregullit, ligjit. Pavarësisht se kishte shumë presione për të ‘mbyllë ndonjë sy” ajo nuk u tërhoq asnjëherë. Mund tju tregoj një rast, tek sheshi Italia u bë një godinë katër-katëshe. Ajo e ngriti zërin fort kundër saj, dhe koha e tregoi se ishte një ndërtim çiban, ajo u prish, por shtetit që i dha lejen i kushtoi miliona euro”, thotë Rukie Leka, motra e arkitektes urbaniste Shpresa Lekës.

Pavarësisht vështirësive, në vendin tonë, gratë premtojnë që të dominojnë në arkitekturë.

“Me kënaqësi mund të them se prej 4 apo 5 vitesh studentet në FAU janë 80 përqind vajza, kështu që mund të them që arkitektura do të flasë shumë më shumë gjuhën femërore në vendin tonë”, shton Vokshi.

Krahas tyre, ekspozohet edhe një pjesë e punës së arkitekteve nga Kosova.

Suade Doko Mekuli e Shqipe Nixha. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në 20 tetor. “Gratë që ndryshojnë arkitekturën” u realizua falë bashkëpunimit të Institutit Italian të Kulturës, Bashkisë Tiranë, Komunës së Prishtinës dhe Piramidës së Tiranës.

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Katundari.: 19/10/2023 17:15

    Jo more liria dhe iteligbenca e femrës ka lindur në shqipëri vetëm pas viteve 1990,kuprostitucioni, është këthyer në sistem dhe dashuria ka humbur vlerë dhe Shqipëria falë këtyre e të tjerë shkaqesh po'rinohet me djem e vajza me thinja pa asnjë fije tëzezë në kokë.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë