Si është rritur ndëshkimi i dhunës ndaj grave nga viti 2012, hapësira në Kodin Penal që shfrytëzohet nga gjyqtarët abuzues për të lehtësuar killerat 

Masakra e përmasave tronditëse të killerit Dan Hutra, i cili javën e kaluar u mori jetën 3 grave të pafajshme dhe plagosi 3 të tjera, ka vënë në lëvizje Ministrinë e Drejtësisë, për forcimin e ndëshkimit penal për dhunuesit e grave. Pas kësaj ngjaje të rëndë, Ministria e Drejtësisë do të ndërmarrë një nismë ligjore për të hequr përgjithmonë gjykimin e shkurtuar për burrat që dhunojë gratë. Heqja e gjykimit të shkurtuar, do t’u heqë mundësinë dhunuesve të grave që të përfitojnë ulje të 1/3 së dënimit. Nisma parashikon që dhunuesit e grave do të qëndrojnë më gjatë në burg. 

A është kjo një zgjidhje që mund të reduktojë dhunën ndaj grave? A mund të parandalojë akte mizore nga përsëritës të pa rehabilituar si Dan Hutra apo personazhe të tillë me potencial të madh kriminal duhet të monitorohen nga struktura të tjera pas daljes nga burgu?! Përgjigja u takon ekspertëve të fushave dhe ligjvënësve, por le të ndalemi se si ka ndryshuar legjislacioni penal ndër vite për dhunën ndaj grave.  

Në Shqipëri veprojnë dy ligje bazë kundër në marrëdhëniet familjare, duke përfshirë kryesisht ndëshkimin e dhunës ndaj grave dhe masa parandaluese të dhunës ndaj grave. Është ligji për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare dhe disa dispozita në Kodin Penal.

Për herë të parë, ndëshkimi i dhunës në familje, është përfshirë në kodin penal në 1 mars 2012, pra 11 vite më parë, duke shtuar një nen të ri, neni 230/a. Pra, deri në vitin 2012, dhuna në familje nuk konsiderohej një krim, por si një fenomen normal. Paragrafi i parë i nenit 130/a, parashikonte që ‘rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit fizik, psiko-social dhe ekonomik të tij, dënohet me burgim gjer në dy vjet”. Kanosja serioze për vrasje ose për plagosje të rëndë, ndaj personave, dënohet me burgim gjer në tre vjet, ndërsa plagosja me dashje deri në 5 vite. Kur kjo vepër kryhej në mënyrë të përsëritur dënohej me burgim nga një vit gjer në pesë vjet.

Mase e ndëshkimit ka një mangësi serioze, pasi nuk parashikohet kufi minimal dënimi, duke lënë mundësi abuzimi nga prokurorët dhe gjyqtarët, për të shpëtuar dhunuesit pa i dënuar. Në 2 maj të vitit 2013, neni i dhunës në familje u ndryshuar për herë të parë. Në paragrafin e fundit u shtua elementi për ndëshkimin e dhunës “në praninë e fëmijëve”. Me këtë ndryshim, do të dënoheshin me 1 deri 5 vite burg përsëritësit dhe ata që ushtronin dhunë, edhe për herë të parë, në sy të fëmijës. 

Në prill të vitit 2020, neni 130/a për dhunën në familje, pësoi disa ndryshime të rëndësishme. Së pari u përfshi edhe dhuna psikologjike. Së dyti, u zgjerua viktimat e dhunës, duke përfshirë jo vetëm bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, por edhe persona në lidhje apo ish-lidhje intime me autorin e veprës penale. U shtruan gjithashtu vëllezër, motra, ungjër, emta, nipër, mbesa, fëmijë të vëllezërve dhe të motrave, vjehërr, vjehrrë, dhëndër, nuse, kunat/ë, thjeshtri, thjeshtra, njerku e njerka.

Së treti u rrit masa e dënimit. Për dhunën fizike dhe psikologjike deri në 3 vite burg. Kanosja serioze për vrasje ose për plagosje, deri në katër vit burg. Plagosja me dashje, deri në 5 vite burg. Përsëritësit e dhunës dhe ushtruesit e dhunës në prani të fëmijës, nga 1 deri në 5 vite burg. Pas vitit 2020, ka pasur disa propozime për të ashpërsuar ndëshkimin për dhunën ndaj grave, si dhe për të vendosur një kufi minimal dënimi, por nuk janë konkretizuar në Kuvend. 

Ndërkaq, vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare është shtuar si vepër penale në Kodin Penal në vitin 2013, neni 79/c. Vrasja me dashje e personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm. Ky nen nuk ka ndryshuar asnjëherë deri më sot. Kufiri jo më pak se 20 vite për vrasje, ashtu si mungesa e kufirit për dhunën, krijon një hapësirë për gjyqtarë dhe prokurorë për të lehtësuar dhunuesit dhe vrasësit e grave. Kur kësaj hapësire i shtohet edhe gjykimi i shkurtuar, vrasësit e grave dalin shumë shpjet nga burgu.

/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Petrit: 08/03/2023 05:23

    Nuk thote kote populli qe injoranca nuk ka brire. Porse kur i shtohet dhe pafytyresia imoraliteti behet vyrtyt. Kodi Penal nuk ka nevoje per nen "dhune" per te ndershkuar autore te vrasjeve, plagosjeve, kanosjeve, demitimeve, ngacmimeve etj. Apo per te mesuar organet pergjegjese qe te bejne punen dhe parandalojne krimin. Vetem nje pyke si autori dhe mentoret e tij edhe kete rritje barbare te dhunes ndaj grave kerkon te na e shese si fitore te mentorit dallkauk Rama. Epo ta gezoje.

    Përgjigju
  • I drejti: 07/03/2023 13:36

    Gjykimi I shkurtuar Nuk duhet te ekzistoj fare.. kush vret qofte grua Apo burr. Duhet vaj denimin dit me dite.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar