Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka ngritur shqetësime për mënyrën se si zbatohen procedurat e kontrollit dhe sekuestrimit në Kodin e Procedurës Penale. Sipas tij, ndryshimet e bëra në vitin 2017 kanë krijuar paqartësi dhe hapësira që cenojnë të drejtat e qytetarëve.

Beqaj argumenton se sekuestrimi i sendeve shpesh kryhet gjatë kontrolleve, duke u mbështetur në një vendim gjykate për kontroll, i cili nuk mund të ankimohet. Kjo, sipas tij, bën që qytetarët të mos kenë mundësi reale për të kundërshtuar sekuestrimin, pasi mungon një akt i veçantë për t’u apeluar.

Ai e cilëson këtë praktikë si një “kurth procedural”, që shmang garancitë ligjore të parashikuara për sekuestrimet dhe kufizon të drejtën e ankimit. Beqaj i bën thirrje Ministrisë së Drejtësisë dhe Kuvendit që të ndërhyjnë për të sqaruar dhe harmonizuar dispozitat ligjore, ndërsa sugjeron edhe një rol më aktiv të Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar kushtetutshmërinë e këtyre praktikave.

Reagimi i plotë i Ilir Beqajt

Kurthet procedurale me sekuestrimin e sendeve

Në procedurën penale, Kontrollet (nenet 202-207) dhe Sekuestrimet (nenet 208 - 220) janë mjete për kërkmin e Provës. Por nuk janë e njëjta gjë. Edhe në tekstin e KPrP janë në seksione të ndryshme.

KPrP ka këto nene për kontrollet dhe sekuestrimet:

- Neni 202/a ( Vendimi për lejimin e kontrollit)

- Neni 207 (Sekuestrimi gjatë kontrollit)

- Neni 208 (objekti i sekuestrimit)

- Neni 212 (Kundërshtimi i vendimit të sekuestrimit)

Sekuestrimet për kërkimin e provës në përgjthësi ndodhin gjatë zbatimit të një vendimi kontrolli personi, banese apo vendi. Sipas procedures penale vendimi për lejimin e kontrollit nuk mund të ankimohet nga personi ndaj të cilit ushtrohet kontrolli.

Por edhe pse sekuestrimet rregullohen si seksion me vehte në KPrP, me ndyshimet e KPrP në mars 2017, sekuestrimi është përfshirë edhe tek neni i kontrollit. Dmth KPrP flet për sekuestrimin edhe para se të jetë seksioni përkatës në KPrP. Kjo nuk ka as llogjikë dhe nuk është as teknikë legjislative korrekte.

Duke shfrytëzuar sekuestrimin gjatë kontrollit, prokurorët nuk kanë me nevojë të përdorin nenin 208. Duke mos u përdorur nenin 208, bëhet praktikisht i pashfrytzueshëm neni 212. Nenet 208 dhe 2012 janë të dy pjesë e seksionit “sekuestrimet”. Neni 212 është garancia procedurale që të ankimosh vendimin e marrë sipas nenit 208. Sekuestrimet e bëra sipas nenit 208 janë të ankimueshme sipas nenit 212.

Po sekuestrimet sipas 207?

Pika 1 e nenit 207 thotë: “Sendet e gjetura gjatë kontrollit sekuestrohen, me kusht që të jenë të përcaktuara në vendimin për lejimin e kontrollit.”. Dmth vendimi i kontrollit qenka de facto edhe vendim sekuestrimi. Po athere për çfarë u dashka neni 208?

Çfarë është ky? Kurth i pastër procedural ndaj qytetarëve. Prokurorët sekuestrojnë sende me një vendim të paankimueshëm siç është vendimi i kontrollit.

Le të vijmë tek veprimet konkrete gjatë zbatimit të një vendimi kontrolli.

Gjate te njëjtit kontroll, hetuesit kryejnë dy veprime:

1. Kontrollojnë vendin (banesën, etj) dhe mbajnë një proces - verbal bazuar në nenet 202-207 të KPrP.

2. Sekuestrojnë sende dhe mbajnë një proces verbal bazuar në nenet 300 dhe 301 të KPrP.

Dmth, hetuesit nuk rezulton të kenë kryer sekuestrim në bazë të nenit 207, pika 1. Edhe neni 208 i KPrP nuk referohet fare në aktet e mbajtura nga hetuesit.

Në këto kushte, neni 212 nuk ka sesi të aktivizohet. Për rrjedhojë personi të cilit i janë sekuestruar sendet nuk mund të ushtrojë të drejtën e ankimimit ndaj sekuestrimit.

Sekuestrimi i bazuar në nenin 301 të KPrP ndodh kur sekuestrimi është bërë në bazë zë nenit 207, pika 2 ose 3. Pilat 2 dhe 3 rregullojnë sekuestrimin përtej përcaktimeve të kufijve të urdhërit të sekuestrimit. Zbatimi i nenit 301 duhet të trigerojë një vendim vleftësimi sekuestroje. Në procedimin penal 190/2023 organi i akuzës ka arsyetuar para gjykatës se nuk ka nevoje për vleftësim sekuestroje, sepse ka nje vendim gjykate që ka autorizuar sekuestrimin e sendeve. Dhe ky është vendimi i kontrollit që është i paankimueshëm. Procedimi penal 190/2023 nuk është rast i izoluar ku sendet sekuestrohen me këtë procedure te paligjshme.

Ligji procedural të njeh të drejtën e ankimimit të sekuestros se sendit, por organet ligjzbatuese nuk të japin një akt konkret duke të privuar praktikisht të drejtln e ankimimit. Mungon akti që të mund të kundërshtosh.

Deri kur duhet të lejohet kjo padrejtësi. Edhe konventore, edhe kushtetuese.

Kurthet procedurale që shpjegova më sipër i ka miratuar ligjvënësi me ndryshimet e KPrP në mars 2017.

VKM nr. 606, datë 20.10.2021

PËR PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE TË MINISTRISË SË DREJTËSISË, në pikën 2 përcakton: “Ministria e Drejtësisë është organi përgjegjës për zbatimin e politikës së drejtësisë, në kërkim të respektimit të Kushtetutës, të ligjeve, realizimit dhe mbrojtjes së dinjitetit, të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore dhe kontribuon në parandalimin e shkeljeve të ligjit, në përputhje dhe në funksion të kërkesave të zhvillimit demokratik e të integrimit evropian të Republikës së Shqipërisë.” Ministria e Drejtësisë duhet të marrë sa më parë nismën për harmonizimin e Kontrollit dhe Sekuestrimit në Kreun PROVA të KPrP.

Kuvendi i Shqipërisë duhet të korrigjojë gabimet e përfshira në KPrP në mars 2017.

Askush nuk duhet të kompleksohet nga Komisioni Europian i cili mund të deklarojë se reforma në drejtësi nuk preket.

GjL e ka trajtuar këtë çështje. Në jurisprudencën e GJL flitet për Urdhër Sekuestrimi. Unë besoj një procesverbal nuk ka se si të jetë as vendim dhe as urdhër sekuestrimi. Prandaj GJK dhe/ose GJL bazuar në kërkesa konkrete para tyre, duhet të rregullojnë procedurat e sekuestrimit në përgjithësi duke i garantuar kujtdo të drejtat që i njeh KEDNJ dhe Kushtetuta.

Gjykata Kushtetuese duhet të vlerësojë edhe kushtetueshmërinë e pikës 1 të nenit 207 të K.Pr.P. Kjo dispozitë lejon që sendet e përcaktuara në vendimin e lejimit të kontrollit të sekuestrohen gjatë kontrollit, ndërkohë që vetë vendimi që lejon kontrollin, sipas leximit aktual të gjykatave, nuk ankimohet drejtpërdrejt. Kjo ngre një çështje kushtetuese: a është në pajtim me të drejtën e ankimit dhe me kërkesën për mjet juridik efektiv që sekuestrimi i një sendi të mbështetet praktikisht në një akt gjyqësor i cili është i paankimueshëm?