Si i shpëtoi Xhafer Matuka
akuzës nga Sigurimi i Shtetit

Si i shpëtoi Xhafer Matuka <br />akuzës nga Sigurimi i Shtetit
Me Xhaferin u njoha në ditët e zjarrta të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, kur ai ishte partizan 13-14 vjeçar. Kishte filluar operacioni nazist gjerman i qershorit 1944. Unë isha zv/komisar i Brigadës së XII-të Sulmuese. Kishim marrë detyrën luftarake të zinim pozicione luftimi bashkë me Brigadën e VII-të Sulmuese nga lugina e lumit Osum, Qafa e Shkozës, Therepel, Qafa e Kiçokut, kundër mësymjes gjermane që kishte për qëllim pushtimin e Përmetit ku ndodhej udhëheqja e luftës. Në mbledhjen e efektivit të Brigadës për t'ú komunikuar detyrën luftarake batalioneve, sipas Urdhrit të Shtabit të Përgjithshëm, një batalion do ta ngarkonim të shkonte në bregdet, të shkarkonte materialet luftarake që sillte një anije angleze. Në komandën e Brigadës kishim vendosur të dërgonim batalionin e rinisë së Kurveleshit, i formuar ato ditë e që kishte në përbërje të rinj nga 13-17-vjeçarë. Ishin pa eksperiencë luftarake, prandaj nuk donim t'i fusnim në luftimin që parashikohej të ishte i ashpër e ku mund të na dëmtoheshin. Kur komunikuam vendimin ata njëherësh u ngritën në këmbë dhe Xhaferi bërtiti me zë të lartë: "Ne nuk kemi dalë partizanë të bëhemi hamallë, por të luftojmë kundër pushtuesit, prandaj duam të vemi në frontin e luftës!". Bëmë të gjitha përpjekjet tona për tí bindur se edhe kjo ishte detyrë luftarake, pasi armët që na sjell anija i duhen shumë luftës, por qe e pamundur tí bindnim. U zgjata, por në këto kushte e njoha Xhafer Matukën, e kjo ngjarje e fiksoi atë përgjithmonë në kujtesën time…

Rinjohja pas 17 vjetësh
Njohja me Xhaferin u përsërit pas 17 vjetësh, më 1961 kur u krijua Komanda e Forcave Ushtarako-Detare (FUD). Unë u emërova komandant i këtyre forcave. Zëvendëskomandant i Artilerisë Bregdetare u emërua Xhafer Matuka. Tani po bëhej njohja jonë më e plotë në punë. Takohesha me një Xhafer, burrë të pjekur, oficer i kualifikuar, me një horizont të gjerë kulturor; studjues jo vetëm i literaturës ushtarake, por dhe asaj historike e artistike. Madje ai kishte filluar të shkrunate e të botonte libra. Xhaferi, në komunikim me shoqërinë, kishte një humor të këndshëm, me një ironi të hollë dhe herë-herë qesëndisëse për servilët e të pasinqertët. Aftësitë profesionale, niveli kulturor dhe personaliteti i tij, i mundësuan Xhaferit pranimin edhe në shoqërinë e gjeneralitetit të ushtrisë. Por njerëzit me kulturë e personalitet në atë kohë viheshin në dyshim dhe cmirëzitë në shërbim të Sigurimit të Shtetit sajonin shpifje, përgjonin e intrigonin. Dhe për fat të keq, të tillë u gjetën edhe në rrethin ushtarak e krahinor të Xhaferit. Ata ja sajuan kurthin edhe këtij personaliteti të njohur ushtarak. Unë pushoja familjarisht në Pogradec, kur më merr në telefon Et'hem Gjinushi (atëherë zëvendësi im i parë për punë politike) dhe më kërkon të kthehem në Tiranë sa më parë, pasi të nesërmen në mbledhjen e organizatës do të diskutohej e vendosej për një akuzë politike që i bëhej Xhaferit, i cili rrezikonte të përjashtohej nga partia. Pas përjashtimit për qëndrim politik diheshin pasojat që vinin më pas. U nisa menjëherë. Në mbledhjen e organizatës u lexua akuza që bënte një denoncues pa dhënë emrin e tij, por mua shefi i sigurimit të njësisë ishte i detyruar të ma tregonte personin për pozitën që kisha.

Pse e denoncoi Diftir Hysi. reagimi ynë
Denoncuesi ishte Diftir Hysi, njeri pa personalitet, ish shofer që me një kurs u bë oficer. Për shërbimet që i bënte sigurimit të shtetit u shpërblye mirë; pas dënimit të udhëheqjes më të lartë të ushtrisë, atë e emëruan Drejtor të Transportit Automobilistik të Ushtrisë. Akuza ndaj Xhaferit ishte se në një rreth shokësh, duke pirë në një lokal ai paskësh shfaqur mendime antiparti e kishte përfolur Hysni Kapon, Mehmet Shehun e duke i krahasuar deri me Xan Zyberin! Unë mbrojtjen e Xhaferit e argumentova: Së pari se kishim të bënim me një luftëtar që kishte vënë jetën në moshën e adoleshencës në shërbim të popullit dhe që kishte luftuar me trimëri deri në çlirimin e atdheut.Së dyti, kemi të bëjmë me një kuadër me vlera, i përgatitur e me aftësi të larta profesionale dhe i përkushtuar në kryerjen e detyrave me kopetencë. Së treti, përse denoncimi bëhet një vit më vonë pas bisedës së pretenduar dhe qëndrimin e Xhaferit; me ç'qëllim është shtyrë denoncimi në kohë. Së katërti, gjeneral Halim Ramohito, ish përfaqësuesi ynë pranë Traktatit të Varshavës, më kishte deklaruar se kur u prishën marrëdhëniet tona me ish Bashkimin Sovjetik dhe u bëmë thirrje të gjithë studentëve ushtarakë të ktheheshin në atdhe, Xhaferi ishte nga ushtarakët më aktivë e ndikoi tek studentët e Leningdarit (e Shën Peterburgut) që të ktheheshin. (Ai qe mbështetësi kryesor, që asnjë ushtarak shqiptar të mos mbetej në Rusi. Nisur nga ky fakt në organizatë u shtrua pyetja: Kur Xhaferi paskësh këto mendime, ai kishte rast të qëndronte në Rusi, e jo të punonte që të gjithë studentët të ktheheshin. Të gjitha këto fakte i bëjnë të pabesueshme akuzat. Pas afro pesë orë diskutimesh, shumica e efektivit të organizatës nuk u bind se akuza ishte e vërtetë... Gjithsesi, edhe pse i shpëtoi ndëshkimit e përjashtimit nga partia, ai mori masë nga Ministria e Mbrojtjes, duke e transferuar në detyrë më të ulët, komandant grupi i Artilerisë Bregdetare në Durrës.

Pa marrë parasysh qëndrimin që mbante, Xhaferi survejohej e ndiqej nga organet e sigurimit, por ai qe i kujdesshëm e diti tí shmangej provokimeve të tyre. Komanda, duke vlerësuar aftësitë profesionale, përkushtimin në punë dhe si studiues, i propozoi Ministrisë dhe ajo e transferoi Xhaferin me detyrë në Institutin e Studimeve Ushtarake. Në këtë detyrë e lamë kur ne u dënuam, dhe unë për fat të keq nuk u pashë më me të, pasi kur u lirova nga burgu, ai nuk ishte ndër të gjallët. Pas dënimit tonë, edhe shumë ushtarakë të aftë, të ndershëm e të përkushtuar në punë morën dënime të ndryshme. Në mes të të dënuarve patjetër që do të ishte edhe Xhaferi, që e quanin "i përkëdheluri"e "i mbrojturi" nga ne. Ai mbeti në kujtesën time si një oficer i përgatitur shumë mirë nga ana profesionale, i aftë si drejtues, lexues, studiues dhe krijues; cilësi këto që e dallonin në mes të kuadrove oficerë. Ai ka bërë një libër të shkëlqyer për Heroin e Popullit Mustafa Matohiti dhe mjaft vepra të tjera. I përkushtuar, me penë e libra në duar, aktiv në ushtri, kështu do të ruhet në kujtesën time për jetë.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 12 dhjetor 2012
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Tuneli i Llogarasë

Tuneli i Llogarasë