Si nisi përplasja Presidencë-Qeveri 
Nga fotoja e Nishanit tek 'drejtësia'

Si nisi përplasja Presidencë-Qeveri <br />Nga fotoja e Nishanit tek 'drejtësia'
Që kur qeveria e Edi Ramës erdhi në pushtet pas zgjedhjeve të 23 qershorit, përplasjet mes saj dhe institucionit të Presidentit të drejtuar nga Bujar Nishani nuk kanë qënë të pakta.
 
Përplasja e parë mes tyre është shënuar që në vendimin e parë të marrë nga qeveria aktuale, për heqjen e fotos së Presidentit nga zyrat e institucioneve shtetërore dhe zëvendësimin e saj me fotografinë e Ismail Qemalit ndërsa zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës së Lartë vijon të mbetet një nga çështjet e pazgjidhura mes Presidentit dhe mazhorancës.

Në mbledhjen e parë të qeverisë “Rama” u vendos heqja e fotografisë së Presidentit Nishani nga institucionet shtetërore dhe zëvendësimin me fotografinë e Ismail Qemalit. Një veprim ky i cili nuk u prit aspak mirë nga kreu i shtetit i cili e cilësoi këtë gjest si jo serioz.  Shkarkimi i kreut të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Zana Xhuka, nga mazhoranca në shkurt të 2014-ës nxori sërish në skenë konfliktin Rama-Nishani. Ky i fundit e kundërshtoi këtë vendim, madje duke e ankimuar edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Shërbimi Informativ Shtetëror u kthye në përplasjen e radhës mes Presidentit dhe qeverisë. Ishte fillimisht ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i cili duke iu referuar kryesisht shpërthimeve me tritol të ndodhura gjatë kësaj periudhe në vendin tonë bëri përgjegjës SHISH-in se nuk kishte informuar policinë për këto ngjarje. Pjesë e këtij debati u përfshi edhe kreu i shtetit i cili hodhi poshtë deklaratën e bërë nga ministri Tahiri duke thënë se SHISH ka informuar në mënyrë të vazhdueshme për të gjitha ngjarjet e rënda të ndodhura gjatë kësaj periudhe.

Plotësimi i vakancave në Gjykatën e Lartë është një nga debatet i cili ka zgjatur më së shumti mes Presidentit dhe mazhorancës. Kjo e fundit deri më tani ka rrëzuar shumë dekrete që kreu i shtetit ka sjellë në Kuvend duke kundërshtuar procedurën e ndjekur nga Presidenti për përzgjedhjen e emrave që dekreton. Kjo çështje vijon të jetë ende pezull ndërkohë që mazhoranca ka miratuar në Kuvend një ngritjen e një Këshilli Konsultativ pranë Presidentit me krerët e institucioneve të pavarura, Këshill që do të bëjë një raport vlerësuar për kandidatet për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Nga ana e tij, kreu i shtetit nuk është shprehur ende për këtë dekret i cili me shumë gjasë do të kthehet për rishikim nga ana e Presidentit në Kuvend.

Çështja e kompetencave mes qeverisë dhe Presidentit ka sjellë jo pak debate mes dy institucioneve. Janë një sërë projektligjesh të miratuar nga mazhoranca për të cilat kreu i shtetit nuk ka hedhur firmën e tij duke mos i dekretuar ndërsa në shumë raste ato janë ankimuar edhe në Gjykatën Kushtetuese. Në korrik të 2014-ës shumica miratoi në Kuvend një sërë projektligjesh por pesë prej tyre nuk morën aprovimin e Presidentit Nishani. Kështu, kreu i shtetit nuk dekretoi ligjin “Për ndarjen e re territoriale”, ligjin “Për funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, ligjin “Për Shkollën e Magjistraturës”, ligjin “Për Gjykatën Administrative” si dhe ligjin “Për Forcat e Armatosura”. Për ligjin e fundit, Nishani akuzoi mazhorancën se me ndryshimet e bëra po synon të kufizoi kompetencat e Presidentit. Por pavarësisht mos dekretimit nga Presidenti, në muajin shtator shumica i miratoi sërish të pesë ligjet në fjalë.

Reforma në drejtësi është një tjetër zonë e nxehtë mes Presidentit dhe qeverisë, ndërsa vetëm zgjedhja e Guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë ka kaluar me konsensus mes Bujar Nishanit dhe mazhorancës qeverisëse.
 
 
 

Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

PISTAT/ Vrasja e shqiptarit Beni Arshiaj në Itali, nga kodi i Kanunit, tek misteri i kameras së manipuluar! Kishte dhe emër të dytë

PISTAT/ Vrasja e shqiptarit Beni Arshiaj në Itali, nga kodi i Kanunit, tek misteri i kameras së manipuluar! Kishte dhe emër të dytë