Nuk do isha marrë me xhunglën e shitjes së librit nëse botuesja që kam patur deri para disa muajsh nuk do më kishte vjedhur në një mënyrë spektakolare dhe shumë të trashë.

Më shumë se fyerja që ndjeva kur mora raportin e saj vjetor, më acaroi mungesa totale e kujdesit që tregoi kur më vodhi.

Me pak fjalë, nuk u hidhërova se po vidhesha por sepse njeriu që po më vidhte nuk bëri asnjë përpjekje për të më bindur se nuk po më vidhte.

Por kjo marrëdhënie kaq e shëmtuar dhe e pështirë nuk lind vetëm nga karakteri i deformuar i botueses sime, që ka një emër derrkuci plastik, por nga një anomali shqiptare.

Ligji i jep asaj mundësi të vjedhë.

Dhe ajo e bën pa u merakosur fare se unë mund ta kap për sa kohë që ligji nuk e kap.

E gëzuar që ka vjedhur një autor, ajo shtrydh silikon nga dhjami i një shkrimtari, në një vend me dy milion banorë, 80 për qind e të cilëve kanë pesë vjet që nuk lexojnë asnjë libër, sipas statistikave zyrtare.

Me këto përmasa vjedhja e dhjamit bëhet edhe më tragjike.

Por vjedhja që botuesit i bëjnë shkrimtarëve ka një aleat të madh. Ky është shteti.

Në gati njëzet vjet që botoj, kam njohur disa botues dhe pavarësisht se me të gjithë kam pasur kontrata të shkruara, marrëdhënien me ta e kam bazuar kryesisht mbi besimin.

Në ndonjë rast botuesit e mi kanë qenë delirantë, në ndonjë rast kaotikë, në ndonjë rast edhe kaotikë edhe delirantë, por kjo sjellje që na ka dëmtuar të dy palëve njëlloj,nuk më ka shtyrë asnjëherë të dyshoj se dikush prej tyre po më vjedh.

Edhe sot nuk besoj se ata më kanë vjedhur, megjithëse po të donin mund ta bënin sepse këtë ua lejon shteti.

Një fshatar i mirë që shet patate apo një prodhues i vetmuar patkonjsh e di në cdo rast sa mall prodhon dhe sa shet.

Ai i mat patatet me kile, kurse patkonjtë nuk mund të jenë asnjëherë më shumë se kuajt e fshatit.

Kurse libri nuk matet dot me kile dhe autori asnjëherë nuk e di sa është shtypur dhe sa është shitur.

Unë dëgjoj çdo ditë me dhjetëra ankesa nga shkrimtarë të ndryshëm, marrëdhënia e të cilëve me botuesit i ngjan një gjelle të kripur me lot.

Sa më shumë që tregu i librit zvogëlohet aq më të pamëshirshëm bëhen botuesit edhe kur qëllon që janë burra apo gra shumë më të mira sesa derrkucja plastike që më ra mua në hise.

Por për fat të keq edhe ligji i ri për librin, që po diskutohet në parlament nuk e mbron autorin dhe nuk i jep atij asnjë mundësi të mbrohet.

Edhe kur je i sigurt që je vjedhur nuk mbledh dot asnjë provë që je vjedhur, sepse infrastruktura e librit mungon.

Libri sot nuk ka ku shitet sepse libraritë janë zhdukur.

Shqipëria është e fundit në listën e leximit të vendeve europiane dhe po ashtu në listën e librarive për frymë.

Në gjithë vendin nuk ka më shumë se pesë librari në të cilat shiten vetëm libra dhe jo camcakiza, coca cola, fanta, topa dhe çadra plazhi.

Përveç Tiranës që ka vetëm një librari moderne, në qytetet e mëdha si Korça, Elbasani, Shkodra, Vlora dhe Fieri libraritë ku dikur shiteshin libra janë një kujtim i njerëzve mbi 60 vjecç

Ng Vlora deri në Sarandë ku pushojnë nja 1 milion njerëz nuk ka asnjë librari.

Të thuash që shqiptarët nuk lexojnë është e padrejtë, por të thuash që ata pengohen të lexojnë është shumë e vërtetë.

Mungesa e librarive e ka kthyer Panairin e Librit në një dyqan të madh ku njerëzit vijnë një herë në vit dhe blejnë libra me shumicë.

Aty kuptohet sa shumë vuajnë shqiptarët për të gjetur një libër.

Në qytetet e vogla të blesh një libër është një torturë. Aty libri nuk shkon kurrë.

Në këto kushte botuesit shesin çdo ditë e më pak dhe natyrisht për të kompensuar humbjet e tyre ia hedhin peshën vertebrës më të dobët : shkrimtarit.

Askush nuk e beson, por në listën e fitimeve të librit ai që e shkruan fiton më pak nga gjithë të tjerët.

Autorët marrin më pak se shteti, se shitësi, se shtypësi dhe botuesi dhe të katër këto kolona të industrisë së librit shkrimtari i mban mbi shpinë.

Por kur këto katër palë që ta nxijnë jetën duke të hipur sipër edhe të vjedhin me radhë, tortura bëhet edhe më e padurueshme.

Natyrisht ligji i librit nuk mund të rregullojë këto marrëdhënie tregtare, por ai mund të bëjë diçka tjetër : të mbrojë autorët nga vjedhja.

Në Evropë kjo marrëdhënie mbrohet kollaj.

Si të gjiithë mallrat që shiten në një supermarket leximi i procesit të shitjes së një libri në kasën fiskale të librarisë, i raportohet njëkohësisht tre palëve: shtetit që merr tatimin, botuesit dhe autorit.

Pra një veprim kaq i thjeshtë fiskal i shpëton shkrimtarët e Shqipërisë nga kalërimi i derrkuceve plastike që për të ta bërë jetën edhe më pa shije dalin çdo javë në televizor duke folur për librat e tu që as i kuptojnë dhe as i kanë lexuar.

Kjo pjesë është edhe më e shpifur. Të vidhesh pa u lexuar.

Mua më ka ndodhur, por si mua edhe shumë shkrimtarëve të tjerë.

Megjithëse prej kohësh nuk kam asnjë dëshirë t’i tregoj qeverisë çfarë të bëjë apo çfarë të mos bëjë, besoj se ky shtet i ka një borxh shkrimtarëve të vet.

T’i shpëtojë nga derrkucet që shëmtohen me silikon të vjedhur nga dhjami i tyre prej pleshti.