ATSH/- Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar-tetor 2014 arritën rreth 3,866 milionë lekë, ose 8.43% më shumë se në periudhën janar-tetor 2013. Ndërsa numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me vetëm 0.74% krahasuar me periudhën janar-tetor të një viti më parë. Sipas të dhënavetë publikuara nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare, sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë periudhës janar-tetor 2014, patën rritje me 8.37% kundrejt periudhës janar-tetor 2013.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë periudhës janar-tetor 2014 siguruan rreth 1,887 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 70.19%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 17.61% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar-tetor 2014, vihet re një rritje prej 15.35% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 2.42% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-tetor të viti 2013.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë periudhës janar-tetor 2014, arritën në rreth 679 milionë lekë, duke shënuar rritje prej 20.98% në krahasim me periudhën janar-tetor 2013.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-tetor 2014, arritën rreth 835 milionë lekë, ose 8.64% më shumë se në periudhën janar-tetor të vitit të kaluar.