Kjo puna e tre ligjeve është si një tjetër e para afro 50 vjetëve. Në një mbledhje “për revolucionarizimin“ ngrihet një e propozon të falen gjithë depozitat e kursimit. Kur nga presidiumi Mehmet Shehu tha se propozimi është shumë original e me leverdi për shoqërinë e shtetin, të gjithëve u ra pika, por e mblodhën vehten kur shtoi “vërtetë jemi shumë hollë, por më parë ky miku të na sqarojë sa ka për vehte në librezë”. Doli se nuk kish asnjë lek.
 
E bukura e të sotmes është se gjithë llafollogjia, e tanëve dhe e “europianeve”, nis e bitis nëse duhen miratuar apo jo. E keqja është se as pyet njeri ç’janë këto ligje. Mjerimi është se nga tw shumtët nuk njihet fare përmbajtja e këtyre projekteve ndërkohë që ngulet këmbë se janë ligje “reformatore” sikurse ka deklaruar Ministri i nderuar i Drejtësisë në takimin për projektin e Gjykatës së Lartë.
 
Para pak ditësh një gazetar tek ra fjala për tre ligjet kish mendimin të votoheshin sa më pare, por dyshova se edhe ky miku nuk dinte për çfarë flitet në to ndaj e provokova: ”Janë të domosdoshëm, por njeri prej tyre, ai i “shtëpive publike”, as është urgjent e as i nevojshëm të paktën për Shqipërinë”. Miku ra brënda dhe më bëri një tërkuzë argumente për dobinë e domosdoshmërinë e ligjit të bordellove.
 
Argument është jo vetëm fakti se teksti i projektit për Gjykatën e Lartë nuk është publikuar në “parcelat” e internetit të Ministrisë së Drejtësisë a Gjykatës së Lartë, por edhe se realisht nuk është fjala për tre, por vetëm për dy ligje se i treti është projekt rregullore. Ne shqipove nuk na vihet edhe shumë faj sepse e kemi zakon rrumbullakosjen e gjërave por si tja bëjmë me miqtë tanë europianë, të ditur e rigorozë që edhe ata ngulin këmbë në “tre ligjë”. A nuk është argument se ata as i kanë lexuar e jo më të na bindin se shpëtuam me miratimin e tyre.
 
 
Me një të parë të Projekt ligjit të M.Drejtësisë e kupton “reformën madhështore” që po ndërmirret në Gjykatën e Lartë. Janë 11 nene nga të cilat në njërin bëhet shtesa e dy antarëve , në tre nene jepen kriteret edhe procedurat e përzgjedhjes së tyre , në një nen përkufizohet mandati , në dy nene bëhen saktësime në formulimet në fuqi , në një nen renditen emërtimet e kolegjeve dhe tre të tjera gjen dispozitat formale të çdo projektligji .
Del se Ministria e Drejtësisë qënka munduar vetëm si të zgjidhen antarët e rinj të Gjykatës së Lartë dhe mjafton kjo. Padyshim përsosjet kanë rëndësi në çdo drejtim por reforma është është një çikë me lartë e më thellë .
 
Shkaku formal i Ministrisë për këtë ”reformë” ishte krijimi i kolegjit administrativ mirpo shtesa prej vetëm dy antarësh, e pamjaftueshme për një kolegj, tregon se kolegji i ri nuk ish shkak, por pretekst. Të dhënat e statistikës zyrtare për 5 vjetët e fundit tregojnë se çështjet administrative kanë zënë 18 deri 20 % të çështjeve në tërësi në shkallë të parë.Por pesha e çështjeve administrative është më e madhe, afro 30 % sepse në vështrim të ligjit për gjykatat administrative që sapo ka hyrë në fuqi në juridiksion të tyre përfshihen edhe konfliktet përmbarimore dhe marrëdhëniet e punës me organet publike, të cilat për vitin 2010 kanë qënë rreth 2600 çështje. Meqënëse volumet mesatare tw çdo anwtari janw 500 çështje del se për Kolegjin e ri duhen shtuar medoemos 5 anwtarë te rij. Ndërkohw me krijimin e gjykatave administrative, numri çështjeve gjyqësore të tilla pritet të rritet dukshëm për shkak të një perspektive të zgjidhjes më të shpejtë të çështjeve.
 
Duke u “përsosur” vetëm mënyra e zgjedhjes së anwtarëve del qartë shkaku i vërtetë i kësaj reforme: Të garantohet zgjedhja e anwtarëve “të përshtatshëm” në kushtet kur bëhet fjalë për katër antarë të rinj, çka do të çimentonte një gjykatë ”të përshtatshme” sepse… nuk i dihet rrotës nesër!.
 
Por a ka vënd për reformë në Gjykatën e Lartë?
Nuk është vetëm e kryesisht puna e Kolegjit dhe anwtarëve tw rinj sepse ndër problemet themelore të sotme në Gjykatën e Lartë është stoku prej mbi 8000 çështje të mbartura prej shume vitesh. Është një stok i frikshëm, për mua jo thjeshtë në aspektin sasior, por kryesisht në aspektin njerwzor alla helsinki. Janë dy tre a katër palë për çdo çështje gjiithsej 16 a 30 mijë palë e më shumë që prej vitesh presin të zgjidhet përfundimisht çështja e tyre, por rrethi është tre a katër herë më i madh sepse seicili ka familje. Fati i rreth 100 mijë njerëzve nuk i bën përshtypje Ministrisë së Drejtësisë, Komisionit të famshëm të ligjeve të Kuvendit e Avokatit tonë të nderuar të Popullit. Sa i përket Gjykatës së Lartë që kish përgatitur reformën me një projekt gjithpërfshirës ajo nuk bëri gëk kur Ministri trupvogël i Drejtësisë as mori mendimin ta lexojë, por i tregoi vëndin sepse “nuk ish kompetencë e saj“.
 
E gjithë kjo kur shtesa e ministrit me vetëm dy anwtarë nuk i jep nuk i mundëson përfundimin sa më parë të këtyre 8000 çështjeve. Dy antarët e rinj sikur të merren vetëm me to, me mesataren vjetore 250 çështje secili, mund ta heqin nga rruga këtë stok vetëm pas…15 vjetëve duke braktisur kolegjin e ri administrativ.

Një reformë veçse duhet të heqë nga rruga këtë stok, duhet të marrë përsipër të zgjidhë edhe dy probleme themelore të këtij stoku. Së pari: përse dhe si u krijua, së dyti: si duhet parandaluar një stok i ri në të ardhmen e sw treti: si i bëhet zvarritjeve në të gjitha hallkat e gjyqësorit që edhe për një çështje të thjeshtë duhen vite të përfundojë.
Këto janë veç një pjesë, se Gjykata e Lartë ka shumë probleme të tjera.
 
-Para ca vitesh, Prokurorit të Përgjithshëm iu hoq kompetenca e rekursit në interes të ligjit sepse “me Kushtetutë e me ligjin organik, prokurorisë nuk i njihen funksione të tjera veç hetimit dhe gjykimit penal duke mbetur pa bazë kushtetuese rekursi në interes të ligjit”. E bukura është se meqë prokuroria nuk ishte kompetente për të tilla gjëra , në vënd që ti kalojë një organi që nuk ka pengesë të tillë në mos po të ndryshohej Kushtetuta, me fillozofinë çajupjane të doktor Adhamudhit, u hoq fare një mjet i tillë procedurial aq i nevojshëm. Morali i kësaj është se ndaj dhjetwra mijwra vendimeve pa palë kundërshtare, ose mijwra të tjerave të zgjidhura me pajtim në të cilat nuk merr pjesë në asnjë rast, prokurori nuk mund të paraqesë rekurs ndonwse ka bindje dhe argumente për paligjshmërinë e tyre. Del qartë se një masakër e tillë juridike është një kontribut…për shtimin e korrupsionit në Drejtësi.
 
-Në gjykatën e lartë pranohen për shqyrtim rekurse për çdo lloj çështje, pavarsisht nga lloji e natyra e çështjes, rëndësia e saj dhe e shkeljes se pretenduar, duke njësuar padrejtësisht apelin me rekursin nga këndvështrimi i të drejtave të njeriut
- Burokracia edhe zvarritjet më të mëdha bëhen në kolegjet seleksionuese.
 
Në kolegjet seleksionuese kalojnë të gjitha çështjet e ardhura dhe efektivisht kemi një shqyrtim të të gjithë dosjeve.
Mirpo sipas ligjit procedurial, kolegji seleksionues ka për funksion të përcaktojë nëse rekursi përmban shkaqet ligjore çka do të thotë se teorikisht nuk ka pse shihet dosja gjyqsore në këtw fazë sepse mjafton tw verifikojë nëse teksti i rekursit të përmbajë shkelje të tilla që ta legjitimojë duke qwnw kështu një mjet parandalues për rekurse, që nuk plotësojnë kriteret ligjore prandaj edhe i thonë “kolegj seleksionues”. Me shqyrtimin e plotë të dosjes kolegji seleksionues kryen efektivisht një funksion që i takon kolegjt përkatës të Gjykatës së Lartë kur shqyrton çështjen në séance.
 
Nga njëra anë shqyrtojnë çështjet në tërësi dhe vendosin për to pa qënë kompetentw dhe pa praninë e palëve, nga ana tjetër realizojnë volume të mëdha pune të panevojshme. Nëse efektivisht vetëm një pjesë e vogël e vendimeve cënohen me rekurse, do të thotë se janë mijwra dosje që studjohen më kot, çka ndikon në zvarritjet e çështjeve të tjera, i hap rrugë eliminimit të stoku të famshëm dhe sidomos parandalimit të stoqeve në të ardhmen.
 
Është e vërtetë se nisur nga strategjia fitimpurëse e shumë avokatëve, rekurset qëndisen në atë mënyrë që është pamundur të konkludohet pa u shqyrtuar dosja, por këtë strategji e ka bërë të pavlefshme projekti i përgatitur nga Gjykata e Lartë duke vendosur rregullin që rekursi të adresojë rigorozisht shkeljet e pretenduara me vëndin e faqen konkrete të dosjes me pasojën që nëse vërtetohet fiktivite Kolegji që shqyrton çështjen në seancë ka të drejtën e gjobitjes milionëshe ndaj avokatit.
 
-Janë plot rrugë të tjera për shmangjen e burokracive dhe zvarritjeve. Kështu Kolegjet seleksionuese mund e duhen bërë me tre gjyqtarë sikurse duhen bërë me tre gjyqtarë edhe shqyrtimi i rekurseve për kundravajtjet penale, për çështjet civile pa palë kundërshtare ose për çështje të tjera administrative e civile të thjeshta ose me vlera të vogla, masa k=to që e rrisin mbi 30 kapacitetin shqyrtues të gjykatës.
 
-Ankimit ndaj vendimeve gjyqsore zbatohet ndaj vendimeve të gjykatave të shkallës së parë, me anë të apelit me të dy aspektet ligjor e provues ndërsa ndaj vendimeve të shkallës së dytë me anë të rekursit qw është ankim vetwm në aspektin ligjor .
Ankimet ndonwse janë një e drejtë kushtetuese nuk mund tw ushtrohen ndaj vendimeve të Gjykatës së Lartë, jo më përgjithësisht, por as ndaj vendimeve të cilat në thelb janë të njëjtë me vendimet e gjykatava të shkallës së parë.
 
Kështu Gjykata e Lartë shqyrton në gjykim fillestar çështje penale ndaj subjekteve të funksioneve të larta shtetërore, vendime që marrin menjëhere formë të prerw dhe si i gjykuari ashtu edhe prokurori nuk mund të kundërshtojnë. Është i njohur rasti i Ministrit Mediu për të cilin prokurori nuk mund të reagonte edhe po të donte, ndonwse ccwshtja u mbyll padrejtësisht në tërësi në vënd që vetëm të pushohej akuza për shkak tw imunitetit.
 
Ishte kjo një renditje e shpejtë dhe shkurtër e problemeve në Gjykatën e Lartw që bëjnë të domosdoshme jo arnime ligjesh, një, apo dy aspekte, por reforma të mirëfillta e tërësore. Dhe ky nuk është mendimi i veccuar i njërit apo tjetri.
 
Këtë na e thotë qartazi sondazhi i IPR Marketing publikuar nw media më 11 maj 2013 nw, të cilin një nga pyetjet e radhës ka qenë në lidhje me 3 ligjet e integrimit ku të intervistuarit janë përgjigjur:
39,9% se ligjet duhen modifikuar përpara se të aprovohen,29,3% mendojnë se janë mirë kështu siç janë,30,8% janë përgjigjur “Nuk e di”.
Nuk ka nevoje per komente.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 29.05.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)