TIRANË - Përkrah Armand Dukës dhe Sylvinhos, Rolando Maran është prezantuar këtë të martë si trajneri i ri i kombëtares shqiptare të futbollit me kontratë deri në vitin 2028. Italiani i lindur në Trento zë vendin e Sylvinhos duke nisur menjëherë nga puna për dy miqësoret e qershorit në Tiranë, kundër Izraelit dhe Luksemburgut.

Maran e ka për herë të parë drejtimin e një ekipi kombëtar, teksa më parë ka drejtuar në Serie A dhe B të Italisë ekipe si: Bari, Brescia, Pisa, Genoa, Cagliari, Chievo, Catania, apo Varese. Prej korrikut të vitit të shkuar 62-vjeçari ka qenë i papunë, teksa përvoja e fundit ka qenë të Brescia për 15 takime, me ekipin që u rrëzua në Serie C. Ndihmësi i Maran do të jetë Christian Maraner, 56-vjeçari italian që ka qenë besniku i tij që nga viti 2006 në të gjitha ekipet ku ka trajnuar.

Në fjalët e para gjatë prezantimit, Maran u pa i emocionuar duke thënë se e ka ndjekur ekipin dhe e njeh krenarinë e Shqipërisë, gjë që dëshiron ta përcjellë në fushë. Ai tregoi se me pak fat mund të kualifikohemi në Botërorin 2030. Si fillim objektivi është Euro 2028, pasi edhe kontrata e tij lidhet me këtë turne. Trajneri do të zhvendoset për të jetuar në Tiranë.

"Kam një falenderim për Dukën dhe Sylvinhon, e kam ndjekur ekipin dhe ka bërë një punë shumë të mirë. Shqipëria është ekipi i një populli shumë krenar. Dua të transmetoj në fushë këtë krenari për fanellën. Kam folur me De Biasin, është një mik i imi dhe një trajner që e vlerësoj. Më ka dhënë disa vlerësime që mundohem t'i përfaqësoj.

Botërori? Kjo është ëndrra juaj, si edhe e imja. Nëse jam këtu kam bindjen se me përkushtimin dhe profesionalizmin dhe pak fat, kjo gjë mund të bëhet.

Do jetoni në Shqipëri si Sylvinho, apo nuk e keni vendosur ende? Me siguri do të transferohem këtu. Është gjëja e parë që fola me presidentin. Mendoj se nëse dua të trajnoj mirë këtë ekip, nëse dua të jem pjesë integrale e skuadrës, kam nevojë dhe dëshirë për të jetuar këtu. Dua të jem afër realitetit tim, që është realiteti juaj.", tha mes të tjerash Maran.

Në 702 ndeshjet që ka drejtuar në stol, Maran ka siguruar më shumë humbje sesa fitore; përkatësisht 223 fitore, 214 barazime dhe 265 humbje.

Në prezantimin e trajnerit të ri ishte i pranishëm edhe Sylvinho, i cili e drejtori Shqipërinë për tre vite e gjysmë. Ai kishte kontratë deri në fundin e qershorit, teksa nuk është dakordësuar për të rinovuar me FSHF-në edhe për shkak se kërkonte një rritje ekonomike. Së bashku me Sylvinhon do të largohen edhe ndihmësit që ai kishte në staf, braziliani Doriva dhe argjentinasi Zabaleta.

Trajneri Sylvinho foli i emocionuar duke i uruar fat ekipit dhe trajnerit. Braziliano-shqiptari shtoi se e njeh mirë vendin tonë.

"Kemi vendosur që të mbyllim një cikël pas tre vitesh e gjysmë që kemi përfaqësuar këtë komb që na ka pritur shumë mirë. Unë e njoh shumë mirë Tiranën dhe vendin, dua t'ju falenderoj të gjithëve. Dua të falenderoj stafin dhe futbollistët që për tre vite e gjysmë kemi bërë mirë. Tifozët janë shumë dashamirës me Kombëtaren.

Në 9 janar 2023 kam thënë se shpirti dhe djersa nuk duhet të mungojnë, këtë kemi bërë. Edhe sot kam emocione. Dua t'i uroj shumë suksese trajnerit Rolando Maran", tha Sylvinho.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka tha se ishin disa alternativa për trajnerin e ri. Numri një i FSHF-së zbuloi edhe objektivin e trajnerit, kualifikimin për në Euro 2028.

"Dua të falenderoj Sylvion dhe stafin e tij, kemi qeshur dhe kemi qarë së bashku. Në futboll ka disa cikle. Në një mirëkuptim me Sylvion dhe stafin e tij kemi rënë dakord për të mbyllur këtë kapitull dhe për të hapur një cikël të ri, jo me një trajner të ri në moshë, por me përvojë si Rolando Maran.

Kontrata? Kjo është një zgjedhje e menduar dhe e konsultuar. Kemi biseduar me disa alternativa, nuk është etike t'i them. Edhe Maran e di. Kontrata u firmos vetëm 30 minuta më parë se prezantimi. Maran firmosi pa e lexuar, shpresoj mos ketë probleme (qesh). Kontrata është deri në vitin 2028, duam vendin e parë në Ligën e Kombeve dhe për t'u kualifikuar për në Euro 2028.

Aspekti ekonomik? Edhe nëse do të kishim më shumë lekë do kishim bërë të njëjtën zgjedhje", tha Duka.

Rolando Maran do duhet t'i tregojë shpejt aftësitë dhe përvojën si trajner, pasi vetëm pas dy javësh Shqipëria do të zbresë në fushë për ndeshjen e parë miqësore të qershorit, atë kundër Izraelit më datën 3 qershor në 'Air Albania'. Tre ditë më vonë kuqezinjtë do të ndeshen po në Tiranë, këtë herë në miqësoren e radhës kundër Luksemburgut.

Largimi i Sylvinhos dhe shifrat ekonomike

Brazilianit i përfundonte kontrata në fund të qershorit, ndërsa prej kohësh ishte në negociata për rinovimin, por palët kanë vendosur të ndërpresin bashkëpunimin pas dështimit për të shkuar në Botërorin 2026. 

Trajneri brazilian u duk i gatshëm për një rinovim, por me terma më të përmirësuara financiare. Një gjë e tillë ishte e papërballueshme për Federatën e futbollit duke bërë që fundi të ishte i pashmangshëm. Rreth 1 milionë euro në vit përfitonte trajneri Sylvinho me dy ndihmësit Doriva dhe Zabaleta. Edhe ata do të largohen.

Sylvinho iu bashkua kombëtares shqiptare në fillim të vitit 2023 dhe në vitin e tij të parë, arriti kualifikimin historik në Euro 2024, duke e mbyllur grupin kualifikues në vendin e parë.

Në kualifikueset e Botërorit 2026, Shqipëria doli e dyta pas Anglisë duke lënë pas Serbinë, me një tjetër kualifikim historik në play-off-in e Kupës së Botës, aty ku u mund 2-1 nga Polonia në gjysmëfinalen e zhvilluar në Varshavë.

52-vjeçari u prezantua me kuqezinjtë më 2 janar të vitit 2023 dhe deri në këto momente ka qenë në stolin e Shqipërisë për 34 ndeshje, me një mesatare pikësh prej 1.53 për ndeshje. Si trajneri i Shqipërisë, Sylvinho regjistroi 15 fitore, 12 humbje dhe 7 barazime. Në epokën e tij Shqipëria shënoi 40 gola, duke pësuar 30-të.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:46
FSHF përgjysmon shpenzimet për Kombëtaren, mësohet rroga e trajnerit Maran dhe stafit të tij

1779194930_rolandomaran.jpeg

Rolando Maran dhe ndihmësit që do të marrë në kombëtaren shqiptare të futbollit do të përfitojnë 400 mijë euro në vit (si staf), që e përkthyer në muaj do të thotë diçka më shumë se 33.330 euro, kjo sipas mediave. Veç Maran, i konfirmuar si një nga ndihmësit e tij është edhe Christian Maraner.

Federata Shqiptare e Futbollit është rikthyer te pagat e para 'epokës së Sylvinhos', pasi braziliani dhe stafi i tij kishin një pagë të majme prej afro 1 milion eurosh në vit si total.

Kështu, Maran dhe stafi i tij do të ndajnë 400 mijë euro në vit, me kontratat që janë individuale dhe të përcaktuara qartë. Nëse bëjmë një llogari të thjeshtë, FSHF-së stafi i ri do t'i kushtojë diçka më shumë se 1.100 euro në ditë.

Ora 13:59
Sylvinho i dhuroi fanellën e Kombëtares, Jasir Asani: Përjetësisht mirënjohës

1779192028_sylvinhojasirasani.jpg

27 marsi i vitit 2023 është i paharruar për Jasir Asanin, me anësorin e sulmit që bëri debutimin me fanellën e Kombëtares edhe pse në moshën 28-vjeçare. Në stol ishte Sylvinho, trajneri që besoi te Asani dhe e afroi për herë të parë në ekip.

Në lamtumirën e trajnerit nga Shqipëria, Asani ka reaguar i pari ndër futbollistët duke e falenderuar brazilianin. Shkupjani thotë se do t'i jetë përjetë mirënjohës trajnerit.

"Faleminderit mister për gjithçka. Kemi bërë një rrugëtim shumë të bukur dhe të gjatë bashkë, me plot momente që nuk do t’i harroj kurrë. Jam shumë mirënjohës për besimin dhe mundësinë që më dhe për të përfaqësuar Kombëtaren. Do të të jem falënderues gjithë jetën. Suksese në vazhdim, mister", shkruan Jasir Asani në kanalet e komunikimit.

Sot Jasiri feston 31 vjetorin dhe ka marrë një 'dhuratë' jo shumë të këndshme me lajmin e largimit të Sylvinhos nga stoli i Kombëtares. Asani pritet që në verë të bashkohet me Getafen në La Liga.

Ora 12:50
Profil/ Nga rrëzimi i Brescias në Serie C te katër klubet e elitës italiane, trajneri i ri i Kombëtares ka më shumë humbje sesa fitore në karrierë

Rolando Maran do të jetë trajneri i ri i kombëtares shqiptare të futbollit. 62-vjeçari italian prej korrikut të vitit 2025 është i papunë, teksa drejtoi Brescian në 15 takime në Serie B, ekip që në fund u rrëzua në Serie C. Më herët Maran ka qenë edhe trajneri i Cittadellas, Pisas, Genoas, Cagliarit, Chievos, Catanias, Barit apo Vareses në Itali. Kjo është hera e parë që Maran do të jetë në stolin e një ekipi kombëtar.

Trajneri ka drejtuar katër klube në Serie A të Italisë, Catanian, Chievon, Cagliarin dhe Genoan, teksa përvojën tjetër e ka në Serie B, përjashtuar nisja e karrierës me Cittadellan në Serie C1.

Në 702 ndeshjet që ka drejtuar në stol, Maran ka siguruar më shumë humbje sesa fitore; përkatësisht 223 fitore, 214 barazime dhe 265 humbje.

Karriera

Maran e ka nisur karrierën në vitin 2000 si trajneri i Cittadella U-19, për të marrë pas dy vitesh ekipin e parë të këtij klubi të cilin e drejtoi për 105 ndeshje. Puna e mirë bëri që ai më pas të kalonte te Brescia për sezonin 2005-06, ekip që e drejtoi për herë të parë për 35 ndeshje. Maran më pas kaloi te Bari për 25 ndeshje, Tristina (2007-2009) për 89 ndeshje, Vicenza (2009-2011) për 85 ndeshje apo Varese në sezonin pasardhës për 39 ndeshje.

Në sezonin 2012 - 13 ai drejtoi Catanian për 50 ndeshje, për t'u rikthyer sërish te ky ekip për tre muaj në vitin 2014.

Viti 2014 solli kalimin e tij te Chievo Verona, ekip që e drejtoi për katër vite dhe 148 ndeshje. Më pas karriera e tij vijoi te Cagliari (2018-20) për 69 ndeshje, Genoa në vitin 2020 për 15 ndeshje, për të vijuar te Pisa me 7 ndeshje. Në vitin 2023 ai u ul në stolin e Brescias për 45 ndeshje, për t'u rikthyer po te Brescia në Serie B për 15 ndeshje nga 28 janari i vitit 2025 deri në fundin e sezonit të shkuar, aty ku Brescia u rrëzua në Serie C.

Ora 12:17
Besniku i Maran, njihuni me ndihmëstrajnerin e Kombëtares, Christian Maraner

1779185897_christianmaraner.JPG

Rolando Maran nuk do të vijë vetëm te Shqipëria. Një nga ndihmëstrajnerët e Kombëtares do të jetë 56-vjeçari Christian Maraner. I lindur në Rovereto, Maraner është besniku i Maran që nga viti 2006 pasi ka qenë ndihmësi i tij edhe te Bari, Varese, Catania, Chievo, Cagliari, Genoa, Pisa dhe Brescia.

Ora 11:53
Nga më 'jetëshkurtëri' Dossena te legjenda De Biasi, Rolando Maran bëhet italiani i pestë që drejton Kombëtaren

1779184479_rolandomaransylvinhoarmandduka.jpeg

Rolando Maran është trajneri i pestë italian që do të drejtojë kombëtaren shqiptare të futbollit. Më parë në stolin kuqezi kanë qenë Giuseppe Dossena, Gianni De Biasi, Christian Panucci dhe Edy Reja.

Giuseppe Dossena - Trajneri më jetëshkurtër në historinë e kombëtares. Firmosi kontratën në qershor të 2002. Pasi qëndroi në pankinë vetëm për dy ndeshje, u largua në mënyrë të njëanshme në muajin nëntor.

Gianni De Biasi - Trajneri me jetëgjatë, nga 2011 deri në 2017. I pari që çoi Shqipërinë në finalet e Europianit 2016. Drejtoi skuadrën për 52 ndeshje.

Christian Panucci - Nuk qëndroi as dy vjet në pankinën e kombëtares shqiptare. Nga korriku 2017 deri në mars 2019, nën drejtimin e tij, ekipi shqiptar luajti 15 ndeshje.

Edy Reja - Mori drejtimin e kombëtares në prill të vitit 2019 dhe e udhëhoqi skuadrën në 38 ndeshje. U largua pas 3 vitesh e gjysëm, në nëntor 2022.

Ora 10:46
Duka: Kishim disa alternativa, Maran nuk e lexoi kontratën! Objektiv kualifikimi në Euro 28

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka foli në prezantimin e trajnerit të ri të kombëtares së futbollit, Rolando Maran. Duka e nisi me një falenderim për Sylvinhon që ashtu i Maran e kishte në krah, ndërsa tregoi edhe objektivin për kualifikimin në Euro 2028.

"Sot është një ditë e rëndësishme për ekipin kombëtar. Dua të falenderoj Sylvion dhe stafin e tij, kemi qeshur dhe kemi qarë së bashku. Në futboll ka disa cikle. Në një mirëkuptim me Sylvion dhe stafin e tij kemi rënë dakord për të mbyllur këtë kapitull dhe për të hapur një cikël të ri, jo me një trajner të ri në moshë, por me përvojë si Rolando Maran.

Objektivat tona mbeten të ditura, ne kemi arritur një standart. Maran është një emër i njohur në botën e futbollit, ka një CV të pasur në Serinë A dhe B në Itali. Jam i bindur se do bëjmë mirë në Nation League dhe në kualifikuese.

Kontrata? Kjo është një zgjedhje e menduar dhe e konsultuar. Kemi biseduar me disa alternativa, nuk është etike t'i them. Edhe Maran e di. Kontrata u firmos vetëm 30 minuta më parë se prezantimi. Maran firmosi pa e lexuar, shpresoj mos ketë probleme (qesh). Kontrata është deri në vitin 2028, duam vendin e parë në Ligën e Kombeve dhe për t'u kualifikuar për në Euro 2028.

Aspekti ekonomik? Edhe nëse do të kishim më shumë lekë do kishim bërë të njëjtën zgjedhje", tha Duka.

Ora 10:28
Trajneri i ri i Kombëtares, Maran: Ju jeni një popull krenar, këtë dua të transmetoj në fushë! Fola me De Biasin, me pak fat shkojmë në Botëror

Rolando Maran ka folur fjalët e para si trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit. Në prezantimin para medieve, 62-vjeçari u shoqërua nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Maran u pa i emocionuar dhe tha se ekipi përfaqëson një popull krenar, të cilën ai do ta përçojë në fushë. Maran shtoi se ka folur me De Biasin, ish-trajnerin e Shqipërisë.

"Dua të falenderoj presidentin Duka për besimin e dhënë dhe fjalët e thëna. Kam një falenderim për Sylvinhon, e kam ndjekur ekipin dhe ka bërë një punë shumë të mirë. Shqipëria është ekipi i një populli shumë krenar. Dua të transmetoj në fushë këtë krenari për fanellën. Për mua është një impenjim moral, jam pak i emocionuar sepse ndjej një mision të fortë. Këtë që përfaqësoni ju dua ta transmetoj në fushë.

Kam folur me De Biasin, është një mik i imi dhe një trajner që e vlerësoj. Më ka dhënë disa vlerësime që mundohem t'i përfaqësoj.

Botërori? Kjo është ëndrra juaj, si edhe e imja. Nëse jam këtu kam bindjen se me përkushtimin dhe profesionalizmin dhe pak fat, kjo gjë mund të bëhet.

Do jetoni në Shqipëri si Sylvinho, apo nuk e keni vendosur ende? Me siguri do të transferohem këtu. Është gjëja e parë që fola me presidentin. Mendoj se nëse dua të trajnoj mirë këtë ekip, nëse dua të jem pjesë integrale e skuadrës, kam nevojë dhe dëshirë për të jetuar këtu. Dua të jem afër realitetit tim, që është realiteti juaj", tha Maran.

Maran do të fillojë menjëherë punën për dy miqësoret që Shqipëria do të luajë në qershor në Tiranë, më 3 qershor kundër Izraelit dhe në datën 6 kundër Luksemburgut.

Ora 10:21
Sylvinho i prekur: Sot kam emocione, ky është fundi i një cikli! Suksese trajnerit Maran

Ish-trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Sylvinho, foli në prezantimin e teknikut të ri të Shqipërisë, Rolando Maran. Ai u pa i prekur.

"Edhe për mua janë dy minuta me shumë emocion. Kemi vendosur që të mbyllim një cikël pas tre vitesh e gjysmë që kemi përfaqësuar këtë komb që na ka pritur shumë mirë. Unë e njoh shumë mirë Tiranën dhe vendin, dua t'ju falenderoj të gjithëve. Janë mbi 100 njerëz që punojnë dhe kam pasur mundësi t'i njoh, dua të falenderoj stafin dhe futbollistët që për tre vite e gjysmë kemi bërë mirë. Tifozët janë shumë dashamirës me Kombëtaren.

Në 9 janar 2023 kam thënë se shpirti dhe djersa nuk duhet të mungojnë, këtë kemi bërë. Edhe sot kam emocione. Dua t'i uroj shumë suksese trajnerit Rolando Maran", tha Sylvinho para largimit.

Ora 09:51
Italiani Rolando Maran është trajneri i ri i Shqipërisë, prej 1 viti i papunë! Hera e parë për të që drejton një kombëtare

1779177146_rolandomaran.JPG

Rolando Maran do të jetë trajneri i ri i kombëtares shqiptare të futbollit. 62-vjeçari italian prej korrikut të vitit 2025 është i papunë, teksa drejtoi Brescian në 15 takime. Më herët Maran ka qenë edhe trajneri i Pisas, Genoas, Cagliarit, Chievos, Catanias, Barit apo Vareses në Itali. Kjo është hera e parë që Maran do të jetë në stolin e një ekipi kombëtar.

Ora 09:46
Prapaskenat e largimit, FSHF-ja nuk plotësoi kërkesat ekonomike të Sylvinhos

1779176835_armandduka.jpg

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka e kishte lënë topin 'në fushën' e Sylvinhos për rinovimin e kontratës. Trajneri brazilian u duk i gatshëm për një rinovim, por me terma më të përmirësuara financiare.

Një gjë e tillë ishte e papërballueshme për Federatën e futbollit duke bërë që fundi të ishte i pashmangshëm. Rreth 1 milionë euro në vit përfitonte trajneri Sylvinho me dy ndihmësit Doriva dhe Zabaleta.

K.B/A.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Erd: 19/05/2026 18:51

    Mvje keq që paguni 400.000€ për 1 trajner mediokër. Se di ça luhet pas skene por ky mund të ishte me të vërtet i fundit i listës.Kaq të pavlerë ju duket Daja,Hasi,Kukeli apo noj tjetër. Merni o vlla Shqiptar se nuk lat plenaxhi pa mledh nëpër itali e Botë.

    Përgjigju
  • toma: 19/05/2026 16:41

    Kam vite qe e ndjek futbollin italian, por s'e kisha degjuar ndonjehere si emer. Ndoshta ngaqe nuk ndjek kategorite e 2-te apo te 3-te italiane, se edhe ajo e para e ka humbur shijen prej disa vitesh. Nje tranjer low-cost me sa ç'duket. Sidoqofte pune e mbare. Ne Boteror 2030, pak e veshtire. Te shprespjme.

    Përgjigju
  • Suksese: 19/05/2026 11:23

    Suksese Rolando Maran

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 19 Maj, 10:36

    Sylvinho e mbyll me Kombëtaren, si e vlerësoni punën e trajnerit brazilian?