Simpoziumi/ Libri i Preng Lleshit
manifest për mbrojtjen e shqipes

Simpoziumi/ Libri i Preng Lleshit<br />manifest për mbrojtjen e shqipes
TIRANE- Gati tre vjet më parë “Shqiptarja.com” zbuloi se në rrethin e akademikëve do të bëhej një mbledhje e fshehtë e Këshillit Ndërakademik të Gjuhës Shqipe, ku do të projektoheshin ndryshime drastike në Gjuhën Letrare Shqipe dhe të Drejtshkrimit të 1972-shit. Debati zgjati me argumente pro dhe kundër, ndërsa projektet që ngriheshin në tryeza të ngushta, nuk po bëheshin transparente më media.

Të mbështetur edhe nga politika e kohës, ndryshimet ishin gati të merrnin aprovimet në formën ligjore. Anëtarë të Këshillit Ndërakademik si Emil Lafe, Gjovalin Shkurtaj, Rami Memushaj e të tjerë dhanë dorëheqjen nga kryesia e KNGJSH, por kjo vetëm sa u hapi rrugën disave prej vendimeve të gabuara në dëm të gjuhës shqipe. Nuk mbeti zgjidhje tjetër, dhe të dorëhequrit e ngritën zërin në media.

Çështja u kthye në një protestë publike dhe akademike mbarëkombëtare. Studiues të shquar të diasporave shqiptare në Itali, si Matteo Mandala, Francesco Altimari, akademikë e gjuhëtarë të njohur në Kosovë, si akademiku Rexhep Qosja, Kadrije Islamaj, Qemal Murati, e në Shqipëri gjuhëtarët Memhmet Çeliku, Rami Memushaj, Gjovalin Shkurtaj e të tjerë krijuan terrenin për një debat të madh publik e intelektual për mbrojtjen e gjuhës shqipe, duke ua prerë vrullin këtyre ndërmarrjeve absurde.

Preng Cub Lleshi, një nga delegatët e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në vitin 1972, pjesëmarrës në komisionin e hartimit të rregullave drejtshkrimore, ngriti zërin kundër  ndryshimit të gjuhës së njësuar dhe në intervistat e tij në  media solli me argumente shkencore arsyet se pse duhej mbrojtur Drejtshkrimi i ’72-shit. Gjatë periudhës ku dolën këto probleme, nisi sensibilizimi i gjuhëtarëve për krijimin e një shoqate kombëtare për mbrotjen e gjuhës shqipe. Pas dy vjetësh përpjekje, Shoqata Kombëtare për Mbrojtjen e Gjuhës Shqipe ka fituar të drejtat ligjore të veprimtarisë së saj.

Dje, kjo shoqatë e nisi aktivitetin e parë me promovimin e librit të Preng Cub Lleshit “Mos e vritni fjalën shqipe”. Promovimi i librit të Preng Cub Lleshit u mbajt në Fakultetin Filologjik në Tiranë, në praninë e dhjetëra gjuhëtarëve e studiuesve të shquar nga Shqipëria e Kosova. Libri i Preng Cub Lleshit u çmua nga akademikët dhe gjuhëtarët për misionin që përmbush në një situatë të tillë. Profesor Rami Memushaj e quajti situatë krize të gjuhës shqipe.

Gjuhëtari i njohur Memushaj vlerësoi edhe faktin që gazeta “Shqiptarja.com”, “ka qenë një nga gazetat e para që ka hapur faqet e saj për të sensibilizuar opinionin mbarë për rrezikun që po i vinte gjuhës shqipe”. Studiues dhe gjuhëtarë të shquar si Shpëtim Çuçka, Qemal Murati, Gjovalin Shkurtaj, Mark Tirka, Jorgji Xhimari, Emil Lafe dhe shkrimtarë të njohur të pranishëm në këtë promovim e kanë konsideruar librin e Preng Cub Lleshit si një “manifest” të Shoqatës Kombëtare për mbrotjen e gjuhës shqipe. 
 
Shpëtim Çuçka: Shqipja e njësuar, monument që duhet ruajtur 
Gjuhëtar dhe përkthyes i shquar, profesor Shpëtim Çuçka ka folur për vlerat e librit të Preng Cub Leshit “Mos e vritni fjalën shqipe, duke i argumentuar ato hap pas hapi.
“Ky libër të mos humbasë në lëmin e librave të rëndomtë.

Promovimi duhet të ishte bërë, jo vetëm në një mjedis akademikësh, por edhe në një mjedis me studentë”, tha profesor Çuçka, duke arsyetuar se libri i Preng Cub Lleshit meritonte më shumë vëmendje për temën madhore të gjuhës së njësuar që trajton e që duhet të ruhet si një monument. “Ka ardhur koha ta përmirësojmë Drejtshkrimin, thonë kundërshtarët e standartit, “Po prit more zotëri, si do ta përmirësojmë!”.

Është si të thuash do ta përmirësojmë ne Kalanë e Rozafës. Por ne duhet ta ruajmë njëherë, që të mos shkatërrohet”.
Çuçka tha ndër të tjera se vlerat e librit të P.C. Lleshit duken nga mënyra sesi e mbron Drejtshkrimin “pa patos, pa zjarr, por me një karakter luftarak dhe të qytetëruar. Nuk fyen dikë. Ndryshe ka qenë sjellja nga kundështarëve tw standartit, që e quajtën “pjellë në epruvetë”.

Preng Cub Lleshi në këtë libër përdor argumentet. Dija bëhet e argumentuar. Ai ka dhënë me qëndrimin e tij dhe me këtë libër një shembull qytetarie në një epokë degradimi”. “Prenga nuk e sheh gjuhën si njeri klanesh, që për fat të keq është përhapur rëndshëm sot edukata e klanizmit e momenti kur shkruan Prenga për mbrojtjen e shqipes është në kohën e krizës dhe paditurisë.
 
Gjovalin Shkurtaj: Jo, dorëheqjes nga mbrojtja e gjuhës së njësuar
Gjovalin Shkurtaj foli për deformimet që po i vijnë gjuhës shqipe më media dhe shtypin e shkruar nga shkujdesja për normat e Drejtshkrimit. “Këto janë problemet me të cilat akademikët duhet të merren zyrtarisht”, tha ndër të tjera gjuhëtari i njohur, duke u shprehur se ndihet i penduar që është larguar nga Këshilli Ndërakademik i Gjuhës Shqipe me anëtarët e tjerë që ishin kundër ndryshimeve në Drejtshkrim.

Shkurtaj argumentoi se ishte më mirë të qëndronim e të debatonin. “Lumi ka shumë gurë, e ka edhe gurë me thepa, që duhen përplasur me njëri-tjetrin sa të bëhen të rrumbullakët”, tha ai, ndërsa theksoi se “gjuha shqipe standarde është një gjë shumë e vlefshme. Është ajo që na bashkon dhe që duhet ta mbrojmë”.

Qemal Murati: Akademikët në Prishtinës donin t’i bënin dy gjuhë
Gjuhëtari i njohur kosovar, Qemal Murati, pasi vlerësoi argumentet e librit të Preng Cub Lleshit dhe ngritjen e shoqatës kombëtare në mbrojtje të gjuhës, rrëfeu se “Idelogjia e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe është krijimi i dy dialekteve të shqipes.

Një akademik në Prishtinë më ka thënë “ose do t’i bëjmë dy gjuhë, ose nuk bëhet ndryshe”. Nuk e ka tagrin një Këshill i tillë për vendosur për platforma gjuhësore”, tha Murati duke shtuar se “nuk do t’i mistifikojmë kulmet, unë të mbroj kulmin tim e dikush të Prizrenit. Kulmet janë shumë të bukura, por janë dialekte. Ne do të mbrojmë gjuhën e njësuar”.
 
Emil Lafe: Prapaskenat e kundështarëve të dialektit
“Unë nuk dola vetë, unë e ndjej veten të përjashtuar nga kryesia e Akademisë dhe KNGJSH. Në konferencën që u mbajt me rastin e përvjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit në vitin 2002, kemi formuluar thirrjen për të krijuar një Këshill Kombwtar për Gjuhën Shqipe, por në vend të një Këshilli Kombëtar, dy akademikë sesi u morën vesh dhe nga zyrat e Akademisë së Arteve e të Shkencave të Prishtinës, sesi ua prishën mendjen dy zyrtarëve të Akademisë sonë dhe në vend të Këshillit Kombëtar doli një Këshill Ndërakademik.

Çështja e gjuhës është një çështje kombëtare, nuk është ndwrakademike, dhe aq më tepër ajo akademi nuk ka asnjë kontribut në këtë çështje. Nuk ka bërë asgjë për gjuhën letrare ndërkombëtare ose asgjë të madhe, për të mos thënë që ka futur shkopinj në rrota”. Kështu e përmblodhi historinë e problemeve që u hapën për gjuhën shqipe gjatë këtyre vjetëve gjuhëtari i njohur Emil Lafe, duke kujtuar historinë e debateve të nisura për ndryshimet në gjuhën shqipe në marsin e vitit 2012.
shqipja


















Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 30 Maj 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet në Himarë, dorëzohen 21 kuti votimi në KZAZ e numërimit!! Kanë mbetur edhe 15 të tjera

Zgjedhjet në Himarë, dorëzohen 21 kuti votimi në KZAZ e numërimit!! Kanë mbetur edhe 15 të tjera