Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Marta Kos, shprehet optimiste se gjatë mandatit të saj BE mund të zgjerohet me vende të reja, mes tyre edhe Shqipëria.

Në një intervistë për BBC, ajo dha sinjale pozitive për vendin tonë, duke theksuar se Shqipëria “po ecën mirë” në procesin e integrimit. Ajo shtoi se nëse reformat vijojnë, Bashkimi Europian mund të ketë anëtarë të rinj brenda mandatit të saj.

“Jam shumë e lumtur që qytetarët e Islandës do të vendosin në fund të gushtit nëse do të hyjnë në negociatat e anëtarësimit. Duke qenë se ata janë tashmë shumë të integruar në BE, në tregun e përbashkët dhe në zonën Shengen, nëse qytetarët thonë po, ky do të jetë ndoshta procesi më i shpejtë ndonjëherë. Por të mos harrojmë, kemi Malin e Zi që është më i avancuari, kemi Shqipërinë që po ecën mirë dhe gjithashtu Moldavinë, pra këto tre vende dhe ndoshta edhe Ukraina. Nëse ata çojnë përpara reformat, shpresoj që gjatë mandatit tim të kemi shtete të reja anëtare.” tha Kos

Shqipëria mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në vitin 2014, ndërsa negociatat për anëtarësim i nisi zyrtarisht në vitin 2022. BE-ja është shprehur optimiste se Shqipëria mund ta përfundojë procesin e integrimit deri në vitin 2030, ndërsa kryeministri Edi Rama e ka bërë tashmë anëtarësimin në BE prioritet kryesor të mandatit të tij të katërt.