Një sipërmarrës italian 54-vjeçar nga Camposampiero, ishte i vendosur të humbiste peshë. Pas vitesh dietash që kurrë nuk kishin pasur sukses, Massimo Ferro vendosi t’i besonte një klinike private në Milano që premtonte një zgjidhje të qëndrueshme në kohë.
Në klinikën private i propozuan një udhëtim për në Tiranë, ku mund të regjistrohej në spitalin privat Trita Hospital për ngushtimin e stomakut, një ndërhyrje që zvogëlon organin. Ky spital zotëron edhe klinikën estetike DermoLife. Por diçka nuk shkoi siç duhej dhe Massimo Ferro vdiq më 22 dhjetor në Shqipëri. Për të hedhur dritë mbi ngjarjen, prokurori i Padovës Andrea Girlando mori si të dyshuar kirurgun Andrea Formiga dhe dietologen Alessandra Freda, të dy nga Lombardia. Të hënën në Padovë do të kryhet autopsia mbi trupin e Massimos, ndërsa mjeku ligjor i caktuar nga prokuroria është doktori Antonello Cirnelli.
Teknika laparaskopike
Në dhjetor, kontakti i Ferros me kirurgun ishte bërë përmes mesazheve WhatsApp, ku ishin dhënë informacionet, kostot dhe udhëzimet logjistike. Çmimi i operacionit, 4.400 euro, ishte shumë më i ulët krahasuar me rreth 15 mijë eurot që kërkoheshin në Itali. Gjatë vizitës më 6 dhjetor 2025, Ferro u paraqit me djalin e tij të madh. Kirurgu i shpjegoi ndërhyrjen, duke e siguruar mbi teknikat laparaskopike dhe shpejtësinë e procedurës. Pavarësisht që pacienti ishte me diabet tip II dhe peshonte 108 kilogramë, operacioni u planifikua për më 18 dhjetor në Tiranë, në klinikën “binjake” të asaj milaneze. Testet para-operatore, që Ferro nuk arriti t’i kryente në Itali, u shtynë për ditën para ndërhyrjes në Tiranë.
Pa udhëzime
Sipas asaj që denoncoi familja (avokatët Stefano Squarise dhe Jenny Lopresti), asnjë nga procedurat e parashikuara nga udhëzimet italiane dhe ndërkombëtare për kirurgjinë e obezitetit nuk ishte respektuar: nuk kishte trajnim dietik paraprak, as vlerësim multidisiplinar, as përgatitje specifike para operacionit. E vetmja udhëzim ishte që natën para operacionit të mos hante asgjë. Massimo Ferro mbërriti në Tiranë më 17 dhjetor me gruan e tij.
Temperatura dhe simptomat
Ditën pas operacionit, ai telefonoi familjarët duke i siguruar se “shkoi gjithçka mirë”. Por që nga dita pasardhëse diçka ndryshoi. Ferro dukej gjithnjë e më i lodhur, nuk reagonte dhe glicemia e tij mbeti e lartë. Më 20 dhjetor shfaqet temperatura që arriti 38 gradë dhe u trajtua me qetësues. Më 21 dhjetor, me temperaturë që arriti 39 gradë dhe me vështirësi të rëndë në frymëmarrje, ai u dërgua në urgjencën e spitalit publik “Nënë Tereza” në Tiranë. Atje iu bënë analiza, por antibiotiku, sipas denoncimit, u dha vetëm në mbrëmje, para se të kthehej përsëri në klinikë. Gjatë natës, gjendja e Ferros u përkeqësua. Mëngjesin e 22 dhjetorit pësoi arrest kardiak brenda klinikës. U reanimua dhe u transferua me ambulancë në reanimacion në spitalin publik të QSUT. Pasdite mjekët raportuan se gjendja ishte e qëndrueshme, por në mbrëmje gruaja u thirr urgjent: kur arriti, Massimo Ferro kishte vdekur tashmë prej orësh.
Sot, familjarët denoncojnë se askush nuk ka arritur të tregojë me siguri shkakun e vdekjes. “Duam vetëm të dimë pse Massimo nuk u kthye në shtëpi,” shkruajnë gruaja Romina dhe fëmijët./Corriere Della Sera
Alessandra Freda është dietologia që prokuroria e Padovës po heton si të dyshuar për vdekjen e biznesmenit italian në Tiranë, Massimo Ferro. Bashkë me të, edhe kiurgu italian Andrea Formiga është i dyshuar.
Sipas pretendimeve të avokatëve, për ndërhyrjen e ngushtimit të stomakut që Ferro kreu në spitalin privat Trita Hospital, nuk u ndoq asnjë udhëzim shëndetësor sipas praktikave italiane apo ndërkombëtare.
Ferro ishte 108 kilogramë dhe vuante nga diabeti i tipit 2, por nuk mori asnjë trajtim dietik paraprak, përveç këshillës që të mos hante asgjë para operacionit.
Por çfarë e lidh dietologen Freda me mjekun kirurg? Formiga ka themeluar në vitin 2018 C.I.B.O. Milano, një qendër interdisiplinore për obezitetin, të cilën edhe e drejton. Freda punon si dietologe pranë kësaj qendre ku rekomandon dieta të personalizuara.

“E diplomuar me nderime në Dietetikë në Universitetin e Studimeve të Milanos në vitin 2011, ajo është dietiste në Qendrën Ndërdisiplinore për Bariatrinë dhe Obezitetin (C.I.B.O.) në Milano.
Ka qenë përgjegjëse e Shërbimit të Ushqyerjes Klinike dhe Dietetikës në spitalin Sacra Famiglia Fatebenefratelli në Erba (CO). Brenda Grupit Spitalor San Donato, ka kryer aktivitet konsulence në Institutit Klinik Zuçhi në Carate Brianza, në Njësitë Operative të Rehabilitimit të Specializuar Neurologjik, Rehabilitimit të Specializuar Ortopedik dhe Rehabilitimit Psikiatrik (C.R.A dhe C.R.T.).
Merret me mbipeshën, obezitetin dhe çrregullime të të ushqyerit, duke ofruar konsulenca ushqimore dhe plane dietetike të personalizuara për të rritur dhe fëmijë. Si lektore universitare, ajo është autore e shumë publikimeve dhe folëse në kongrese”, thuhet në jetëshkrimin e saj të publikuar në faqen zyrtare të qendrës.

Ajo që bie në sy është se në faqen zyrtare të qendrës interdisiplinare, Freda rekomandon kryesisht dietën ketogjenike pasi nuk shihet opsion tjetër veç saj, balonin gastrik dhe ngushtimin e stomakut që kryen nga mjeku Formiga. Këto dy të fundit ofrohen “kur dieta nuk mjafton.”

Edhe në videot e shpërndara prej saj në rrjetet sociale, shihet mjeku Formiga, por edhe vetë Freda duke folur për humbjen e peshës përmes dy metodave që nuk lidhen me regjimin ushqimor. Kjo është e ndryshme nga ç’do të pritej prej një dietologeje që fokusin e ka tek rregullimi i peshës përmes të ushqyerit.

E gjithë kjo paketohet edhe përmes faqes zyrtare të vetë dietologes Freda: alessandrafreda.it ka në faqen kryesore një foto të sajën dhe përshkrimin: “Një rrugëtim ushqimor i personalizuar për ju: ndryshime të vogla, rezultate të mëdha”, disa metoda kontakti dhe disa shërbime që ajo ofron.
Andrea Formiga është kirurgu nën hetim nga prokuroria e Padovës në Itali, i cili operoi sipërmarrësin italian në një klinikë private në Shqipëri. Pacienti kreu ndërhyrjen për zvogëlimin e stomakut dhe më pas kaloi në arrest kardiak në klinikë dhe ndërroi jetë në QSUT, ku ishte dërguar për ndihmë.
Formiga është një kirurg italian i cili prej disa vitesh bashkëpunon me qendrën shëndetësore Trita Hospital në Shqipëri. Kjo qendër operon gjithashtu edhe klinikën esetike DermoLife.
Në një video të ndarë në faqet zyrtare të Trita Hospital, shkruhet se “pacientët e quajnë doktori i mrekullive’”. Mjeku rrëfen se ka më shumë se 30 vjet në këtë profesion. Veç Shqipërisë, thotë se është i aktivizuar në Liguria dhe “pak a shumë në të gjithë Italinë.”
Në Tiranë vinte 1 ose 2 herë në muaj ku në qendrën shëndetësore aplikon kirurgjinë bariatrike të stomakut ose që trajton problemet që lidhen me peshën. Gjithashtu kryen edhe procedura si fibrogastroskopia dhe kolonoskopia, ndërsa rendit edhe shërbime të tjera.
Në faqen zyrtare të Trita Hospital, për të shkruhet:
"Dr. Andrea Formiga është Kirurg i Përgjithshëm si dhe Drejtor i Qendrës Ndërdisiplinore Bariatrike (C.I.B.O.) në Milano. Pas diplomimit në Mjekësi dhe Kirurgji nga Universiteti i Milanos (1996), ai u specializua përsëri në të njëjtin universitet, në Kirurgjinë e Përgjithshme (2002). Në vitet 1994-1997 Dr. Formiga hodhi hapat e tij të parë profesional si student/mjek në Spitalin San Giuseppe të Milanos. Në vitin 1998 filloi punë, fillimisht si rezident dhe më pas si specialist i pavarur në Kirurgjinë e Përgjithshme, në Poliklinikën San Marco, nën drejtimin e Prof. Carlo Rebuffat. Në vitin 2008 filloi t’i përkushtohej aktivitetit Bariatrik në Klinikën San Carlo në Milano, ndërsa nga viti 2014 deri në vitin 2015 ishte Shef i Kirurgjisë së Përgjithshme dhe Endoskopisë Digjestive në Institutin Auxologjik. Që nga viti 2002, Dr. Formiga ka qenë profesionist i pavarur në Casa di Cura La Madonnina, një aktivitet të cilin me kalimin e viteve ai e ka shtuar edhe në Casa di Cura Columbus, Casa di Cura Villa Arbe në Milano, Casa di Cura Montanari, në Morciani di Romagna, si dhe në Spitalin Nigrisoli në Bolonja. Dr. Formiga ka historinë më të madhe të rasteve italiane për trajtimet endobariatrike të kryera dhe një listë të gjatë të ndërhyrjeve nariatrike për të mposhtur obezitetin."

E njëjta përmbledhje edhe në faqen e DermoLife, por shtohen disa detaje, si:
“Nga viti 2008 - në vazhdim, Dr. Formiga ka realizuar mbi 500 procedura bariatrike ndërkombëtarisht. Ky angazhim ka çuar në krijimin e qendrës së parë italiane për trajtimin e obezitetit me teknika endoskopike mininvasive, një arritje që ka pasur ndikim të madh në përmirësimin e kujdesit për pacientët me obezitet.”
Ndërsa më tej theksohet “qasja e kujdesshme” e Formigas ndaj pacientëve.
“Dr. Formiga është i njohur për qasjen e tij të kujdesshme dhe të personalizuar ndaj pacientëve, duke ofruar një mbështetje të plotë gjatë gjithë procesit të trajtimit dhe pas interventit.”

Komente










