BEJRUT, 25 shtator /ATSH-AFP/ - Rreth 129 xhihadistë të huaj dhe 12 sirianë janë vrarë që prej të martës nga sulmet e koalicionit të drejtuar nga SHBA-ja, konfirmoi sot drejtori i Observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut (OSDH).
"Në total, 84 xhihadistë të organizatës së Shtetit Islamik dhe 57 të Frontit al-Nosra (degë siriane e Al-Kaedës) janë vrarë, mes të cilëve bëjnë pjesë vetëm 12 sirianë", theksoi Rami Abdel Rahmane.
Sipas llogaritjeve të kësaj OJQ-je që mbështetet në një rrjet informatorësh, burime mjekësore dhe të militantëve në të gjithë vendin, xhihadistët e huaj të vrarë ishin me origjinë nga vendet evropiane dhe arabe, por gjithashtu edhe nga Turqia dhe Çeçenia.
Nga 12 të vrarë sirianë, 11 i përkisnin grupit të Shtetit Islamik dhe një Frontit al-Nosra.
"Sulmet kanë shkaktuar gjithashtu dhe vdekjen e 13 civilëve sirianë", sipas OSDH-së.
Koalicioni ka kryer më shumë se 30 sulme në veri dhe lindje të Sirisë, rajon që i ka shpëtuar kontrollit të regjimit të Bachar al-Assad./
/ec/