Pengu britanik John Cantile është shfaqur në një video të re propagandistike, duke kritikuar në emër të grupit veprimet dhe fjalimin e Presidentit amerikan Barack Obama në përkujtimet e sulmeve të 11 Shtatorit.

“Kjo është e gjitha zhgënjyese, ashtu siç e prisnim. Amerika është e mirë, Shteti Islam është i keq ... dhe ata do të përdorin avionët dhe një koleksion të shumëllojshëm armësh dhe luftëtarësh në terren për të luftuar ekstremistët. Ndërsa Shteti Islam thotë se janë të mirëpritur të takohen me ushtrinë e Obamës”. - shprehet Cantile.

I veshur me një këmishë protokalli, të stilit të të burgosurve të Guantanamos, Cantile sulmon planet e perëndimit për përdorimin e trupave irakene dhe rebelët sirianë në luftë kundrë ISIS. Në fjalën e detyruar, e folur sipas skenarit, Cantile thotë se organizimi i ushtrisë së Irakut do të marrë muaj të tërë kohë, duke e përshkruar ushtrinë e lirë sirianë si ‘të padisiplinuar, të korruptuar dhe të pasukseshme’.

Cantile shton se armatosja e rebelëve sirianë me armë perëndimore është krejt e padobishme, sepse shumë prej tyre janë shitur në treg të zi duke përfunduar në duart e ushtarëve të ISIS. Ai është rrëmbyer në muajin korrik të viti 2012, ndërsa në video e përshkruan veten si një të burgosur afatgjatë të shtetit islam duke thënë se është i braktisur nga qeveria britanike.

Pengu britanik përfundon fjalimin e tij rreth 5 minuta e gjysmë me fjalët: “Qëndroni me mua në programin e ardhshëm”, çka paralajmëron një tjetër fjalim të tij në të ardhmen. Për të, është hera e tretë që publikon një mesazh nga forcat e shtetit islamik.

Në fillim të javës së kaluar, një tjetër video u postua në internet, e cila thoshte se presidenti amerikan Barack Obama po shkonte drejt një lufte të tretë botërore. Ndërsa në videon e dytë Cantile kritikon përsëri veprimet e Obamës për të luftuar, duke thënë se hapja e një konflikti të ri nuk do ta bëjë Perëndimin një vend më të sigurt.

Ndërkaq, që nga muaji gusht forcat e ISIS kanë ekzekutuar tre pengje, gazetarët amerikanë James Foley dhe Steven Sotloff, si dhe ndihmësin britanik David Haines.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)