TIRANE, 14 Korrik /ATSH-E,Xhajanka/- Rëndësia e sektorit bankar për ekonominë në tërësi dhe konkurrenca e bankave midis tyre, ka qenë dhe mbetet një çështje e rëndësishme për vendimmarrësit në çdo kohë.
Elona Dushku, eksperte nëDepartamentin e Kërkimeve nëBankësn e Shqipërisë, në analizën që i bën treguesit të fuqisë së tregut të bankave në Shqipëri, vlerëson se, kriza e fundit financiare solli edhe një herë në vëmendje rolin e rëndësishëm, që ka konkurrenca dhe stabiliteti bankar-financiar për të gjithë ekonominë.
Për më tepër, nënvizion ajo, në materialein e publikuar në "Revista Ekonomike" e BSH-së, "konkurrenca në sektorin bankar është më e veçantë se konkurrenca në sektorët e tjerë për shkak të impaktit që ajo ka në stabilitetin financiar, eficiencën dhe aksesin e shërbimeve financiare. Kështu, shumë studime tentojnë të vlerësojnë impaktin që ka konkurrenca në sistemin bankar, ku vlerësimi i një treguesi sa më të mirë të konkurrencës është një hap mjaft i rëndësishëm. Sipas Dushkut, literatura identifikon dy përqasje kryesore për matjen e konkurrencës, përqasjen strukturore dhe atë jostrukturore. Përqasja strukturore e vlerëson konkurrencën, bazuar në strukturën e tregut, ndërsa përqasja jostrukturore e vlerëson konkurrencën e firmave duke vlerësuar sjelljen e firmave në një treg të caktuar.
Ky artikull propozon përdorimin e matësve jostrukturorë për vlerësimin e konkurrencës së sistemit bankar në rastin e Shqipërisë, përkundrejt përdorimit të treguesve të përqendrimit. Vlerësimet e indeksit Lerner për 15 bankat e sistemit bankar, që përbëjnë rreth 90% të totalit të sistemit bankar, tregojnë që mesatarisht ky indeks për të gjithë periudhën është në nivelin 0.48, pra nuk jemi as në situatë monopoli e as në situatë të konkurrencës së plotë, por diku në mes, me një fuqi tregu të moderuar.
Gjatë periudhës 2004-2009, vihet re një rënie e indeksit Lerner që tregon për një ulje të fuqisë së tregut të bankave dhe rritje të konkurrencës, ndikuar si nga ulja e çmimeve të aktiveve ashtu edhe të kostove marzhinale. Ndërsa nga viti 2009 dhe deri në vitin 2014, vihet re një tendencë rritëse e indeksit Lerner, që nënkupton një rritje të fuqisë së tregut nga ana e bankave dhe ulje të konkurrencës. Kjo tendencë është ndikuar nga një ulje e kostos marzhinale të bankave nga njëra anë, por edhe nga një rritje e çmimeve të aktiveve, si rrjedhojë e përkeqësimit të kushteve makroekonomike, shtimit të pasigurisë në treg dhe asimetrisë së informacionit. /a.g/












