Deputeti i PD, Flamur Hoxha ka deklaruar mbrëmjen e sotme se nëse Partia Demokratike nuk hyn me një kandidat të vetëm në zgjedhje, atëherë PS do të fitojë sërish të gjitha bashkitë e vendit.
I ftuar në emisionin Studio Live me gazetarin Arbër Hitaj në Report TV, Hoxha tha se anëtarët e Rithemelimit, duhet që të bashkëpunojnë në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për të arritur një marrëveshje sa i takon zgjedhjeve lokale të 14 majit. Më tej ai tha se deputetët të cilët i janë bashkuar grupit të Rithemelimit, rinë nën hijen e ish kryeministrit, Sali Berisha për të mbajtur postin e tyre.
“Pjesa e Rithemelimit, janë ata senatorë që nuk e lëshojnë postin e deputetit dhe rrinë nën hijen e Berishës për të mbajtur atë post që kanë. Do bëj maksimumin të bashkoj demokratët rreth një figure përbashkuese. Në këtë fushatë Rilindja ka tjetër dhuratë pas asaj të mëparshmes, ka mundësi të jashtëzakonshme tashmë. Duhet t’i përvishemi punës që të mos i përcaktojmë kandidatët si të zgjedhur nga një grup apo grup tjetër”- u shpreh deputeti.
Sa i takon pozicionit të Alibeajt, Hoxha tha se kishte mbajtur një peshë të jashtëzakonshme por nuk mund të bëhet lider nëse nuk do ketë mbështetje të pakushtëzuar nga njerëz që kanë ide.
“Alibeaj ka mbajtur një peshë të jashtëzakonshme. Ai duhet ta ndajë mendjen, i kam thënë se nuk bëhet lider dikush nëse nuk mbështetet nga njerëz që kanë ide dhe e mbështesin pa interes. Mendoj që ai e ka mbajtur një peshë shumë të madhe dhe uroj që këtë peshë, ai ta transmetojë si çlirim për veten e tij.”- u shpreh Hoxha.
Më tej, deputeti demokrat, tha se nëse 1 milionë ‘shuplakat’ e vitit 2013, janë dyfishuar për shkak se PD ishte ndarë dhe shtoi se nëse situata do të vijonte të ishte e njëjtë, atëherë kryeministrit Edi Rama nuk do t’i rrezikohet pushteti deri në 2025-ën.
“Më besoni, nëse kampet do ndahen, asnjë bashki nuk do e fitojmë në Shqipëri. Ne nuk kemi betejë me Rithemelimin, por nëse dikush e shikon si dobësi tonën, do thotë se kjo do lërë një shenjë që nuk e bashkon PD-në.
Do duhet që të sakrifikojmë nga vetja, nëse nuk e bëjmë këtë, Rama do jetë në pushtet deri në vitin 2025. 1 milionë shuplakat e 2013-tës, nuk i harroj kurrë, tani janë 2 milionë sepse është ndarë partia”- shtoi ndër të tjera Hoxha.