Situata e motit, përmirësohen kushtet në Vlorë, Lezhë e Shkodër, bie niveli i lumenjve! Në disa zona, situata mbetet e keqe, rrëshqitje dheu në disa akse rrugore

Pas një dite me reshje të shumta dhe përmbytje në të gjithë vendin, kjo e shtunë (9 janar) duket se ka sjellë përmirësim të kushteve atmosferike. Qytetet të cilat ditën e djeshme u përballën me përmbytje të shumta, sot ka pasur një situatë më të qetë. Niveli i lumit Drin në Lezhë ka rënë me rreth 40 cm. Ndërsa bëhet e ditur se ka një tërheqje të konsiderueshme të ujit dhe nga tokat bujqësore të përmbytura.

Në këtë situatë ka ndikuar ndërprerja e reshjeve si dhe funksionimi i hidrovoreve me kapacitet të plotë gjatë natës. Si shkak i reshjeve ka pasur shkarje të tokës dhe reshkitje dherash në Lezhë, Torovicë dhe disa zona të Mirditës. Ndërsa edhe në qytetin e Vlorës janë përmirësuar kushtet atmosferike. Prurjet e lumit Vjosë kanë vijuar gjatë natës, teksa niveli i lumit arriti në  7.1 m ku aktualisht niveli ka rënë në 6.9 m.

Ndërkohë është evakuuar një familje në fshatin Fitore, si dhe janë ndihmuar për kalimin në katet më të larta të shtëpive të tyre edhe 4 familje të tjera. Problematika ka pasur në rrugët nacionale për shkak të rrëshqitjeve të dherave ku shumë gurë dhe mbetje të tjera kanë bllokuar disa prej tyre. ARRSH-ë ka njoftuar dhe akset rrugore me më shumë problematika ndërkohë që kompanitë e mirëmbajtjes kanë qenë në terren dhe kanë bërë të mundur pastrimin e rrugës, si në Kalimash-Fushë Arrëz  ku po punohet akoma për pastrimin e rrugës, Elbasan-Peqin, Berat-Çorovodë, Peshkopi-Qafë Drajë km 30.5, Sarandë-Borsh ku janë instaluar neë jersey dhe sinjalistika provizore.

Moti i keq në vendin tonë ka shkaktuar probleme në rrugët që lidh fshatrat e Lezhës. Segmenti rrugor që lidh fshatrat e njësisë administrative Ungrej në Lezhë me Kallmetin është shembur thuajse totalisht. Ndërsa në disa zona të tjera të vendit, situata paraqitet e njëjtë si ditën e djeshme ku në fshatin Murqinë të Fushë-Krujës, niveli i ujit është rritur dhe ka përmbytur një sipërfaqe të madhe bujqësore. Janë dhjetra hektarë nën ujë dhe rreth 20 banesa janë të rrethuara nga uji, ku në disa prej tyre ka hyrë brenda.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:36
Përmbytjet dëmtojnë burimin e Vrizit në Delvinë, qytetarët pa ujë të pijshëm

Shirat e ditëve të fundit kanë lënë pa furnizim me ujë qytetin e Delvinës. Shkak është bërë përmbytja nga ujërat e shiut dhe rrëkeve e vendburimit nga ku furnizohet me ujë qyteti. Bashkia Delvinë ka njoftuar se ende nuk dihet se kur do të normalizohet situata dhe këshillon qytetarët të furnizohen me ujë në çezmat publike.

“Reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë shkaktuar një problematikë serioze në burimin e Vrizit duke e bërë ujin të papërdorshëm për momentin. Jemi duke bërë përpjekjet maksimale për sistemimin e ujërave përreth burimit. Në bashkëpunim me NJVKSH Delvinë po ndjekim në vazhdimësi kryerjen e analizave të ujit. Analizat e kryera sot në orët e para të mëngjesit tregojnë përmbajtje bakteriologjike, fakt ky që e bën të pamundur furnizimin me ujë të popullatës. Të gjithë banorët janë të lutur të përdorin çezmat publike për të realizuar furnizimin me ujë të pijshëm. Përballë kësaj situate të vështirë, të kushtëzuar nga moti i keq, kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve deri në zgjidhjen e këtij problemi”, thuhet në reagimin e Bashkisë Delvinë.

Ora 12:42
Bashkia e Durrësit njofton mbi situatën e përmbytjeve në qytetin bregdetar! Problematika shfaqen në Sukth, Katund i Ri, Ishëm e Rrashbull

1610192610_durres.jpg

Bashkia e Durrësit njofton këtë të shtunë mbi situatën e reshjeve në qytetin bregdetar. Në mbledhjen e shtabit të emergjencave në këtë bashki, njofton se situata aktualisht është normale ndërsa problematike shfaqet në Sukth, Katund i Ri, Ishëm dhe Rrashbull.

Sipas informacioneve nga Bashkia e Durrësit, prurjet e lumit Erzen e kanë rritur në kuotat maksimale nivelin e ujit, ndërsa prurjet e lumit Ishëm mbeten në kuota të pa ndryshuara. Në Bashkinë Durrës evidentohen 380 hektarë sipërfaqe e përmbytur nga e cila 40 ha në Rrashbull, 20 ha në Katundi të Ri, 220  ha në Sukth dhe 100 ha në Ishëm. Hidrovori në Porto Romano, punon me kapacitet të plotë. Sipas informacioneve nga terreni, pritet shtim i prurjeve  kryesisht në Lumin Erzen.

Bashkia e Durrësit dhe grupi i menaxhimit të situatës së emergjencava ka marrë masat e nevojshme për të shpëtuar jetët e njerëzve, zonave në rrezik përmbytje, në rast të zgjerimit të sipërfaqes të përmbytur.  Nisur nga përvoja në menaxhimin e situatave të ngjashme, dhe parashikimet e përkeqësimit të motit, pritet zgjerim i zonës të prekur, dhe evakuim i rreth 250 familjeve nga të cilat rreth 150 në Katundi të Ri dhe rreth 100 familje në Sukth. Prurjet e lumit Ishëm mbeten të pa ndryshuara.

Në Sukth janë të rrezikuara nga përmbytjet pallatet dhe shtëpitë e ulëta në qendër të njësisë si pasojë e daljes së lumit Erzen nga shtrati, po kështu rrezikohen 20 shtëpi në lagjen Stalla, ndërsa në Vadardhë në rrezik përmbytjeje janë lagjet 2 dhe 6, ndërkohë rruga në kryqëzimin e fshatrave Perlat me Rrushkull është e pakalueshme. Në njësinë e Katundit të Ri rezervuari është i tejmbushur dhe uji ka filluar të rrjedhë mbi barriera duke rrezikuar të përmbyten disa shtëpi në zonë, po kështu uji ka dalë mbi urën Erzen.

Në njësinë administrative Rrashbull ka rrëshkitur ura në fshatin Pjeshkë si dhe ka rrëshqitje dheu në fshatin Shkallnur. Bashkia me të gjitha kapacitetet e veta dhe shtabi i emergjencave kanë marrë masat dhe vijojnë punën për zgjidhjen e problematikave të deritanishme si dhe janë në monitorim të vazhdueshëm të gjendjes së krijuar.

Bashkia e Durrësit dhe të gjitha ndërmarrjet e saj në varësi si dhe i gjithë shtabi i emergjencave janë dhe do të vazhdojnë të jenë në terren 24 orë në shërbim të qytetarëve si dhe në gatishmëri të plotë për të përballuar situatat e mundshme emergjente që mund të krijohen nga reshjet por edhe për tju përgjigjur menjëherë çdo banori të bashkisë Durrës që mund të ketë probleme nga kjo situatë.

Ora 12:30
Ministrja Balluku: Menaxhuam mirë kaskadën së Drinit, shmangëm rëndimin e situatës në hidrocentrale

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, është shprehur sot se mirëmenaxhimi në kohë i kaskadës së Drinit ka bërë që të shmanget rreziku që vjen si pasojë e rëndimit të situatës.

Sipas saj menaxhimi i Kaskadës së hidrocentraleve mbi lumin Drin si dhe masat e marra më herët, kanë shmangur një përkeqësim të mëtejshëm të situatës së krijuar nga reshjet e dendura të shiut.

Në një postim në Facebook, Balluku shkruan se në hidrocentralin e Vaut të Dejës dhe atë të Komanit është rritur prodhimi duke arritur në kapacitetet maksimale ndërkohë që hidrocentrali i Fierzës është mbajtur jashtë pune për të bërë të mundur grumbullimin e rezervave hidrike për periudhën në vijim.

 “Situata e motit të përkeqësuar nuk na gjeti të papërgatitur. Në sajë të masave të marra në momentin e duhur dhe falë menaxhimit të integruar të punës me të gjithë aktorët në kaskadën e hidrocentraleve që ngrihen mbi lumin Drin, ja dolëm të shmangim një rëndim të mëtejshëm të situatës në zonën e Shkodrës dhe Lezhës. Në Hidrocentralin e Vaut të Dejës dhe atë të Komanit rritëm prodhimin, duke arritur në kapacitetet maksimale, ndërkohë kemi mbajtur jashtë pune Fierzën duke grumbulluar rezerva hidrike. Përmes një koordinimi korrekt dhe në zbatim të Rregullores së Plotave në kaskadën e Drinit evituam një rrezik potencial, por njëkohësisht duke e kthyer në një rast efecient të maksimizimit të performancës së KESH. Në çdo moment në monitorim dhe gatishmëri deri në normalizimin e situatës”, shprehet Balluku.

Ora 11:52
Shkodër/ Drejtori i KESH, Benet Beci: Shkarkimet janë minimale, duhen krijuar rezerva për problematikat që mund të krijohen të hënën

Situata paraqitet problematike në Shkodër sa i takon përmbytjeve. Drejtori i KESH, Benet Beci në një prononcim për Report Tv thotë se prurjet në kaskadën e Drinit janë historike.

Duke folur nga hidrocentrali i Vaut të Dejës, ai tha se shkarkimet janë minimale për të krijuar rezerva dhe parandaluar problematikat që mund të krijohen të hënën.

Më datë 11 janar, nga IGJEUM janë paralajmëruar reshjet më masive të këtyre ditëve.

“Sot kemi prurje rreth 3000 metra kub në sekond në kaskada. Përsa i përket shkarkimeve jemi nën kontroll. Kemi punuar për ta menaxhuar këtë situatë. Shkarkimet janë minimale dhe pa asnjë impakt në zonën e Shkodrës. Niveli i Vaut të Dejës është 75.5 metra. Kemi dhe pak rezervë. Shqetësimi është e hëna, mëngjesi sidomos” – tha Beci.

Ora 11:32
Situata e rrugëve nga moti i keq, ARRSH njofton akset më problematike

Moti i keq ka shkaktuar situata problematike në disa prej rrugëve të vendit, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar se gjatë natës ka pasur reshje të dendura shiu në të gjithë vendin dhe si pasojë ka pasur rënie gurësh në disa akse rrugore.

 “Gjatë natës dhe ne orët e para të mëngjesit ka pasur reshje shiu që kanë sjellë edhe rënie gurësh e materialesh në rrugë.

Kompanitë e mirëmbajtjes kanë qenë në terren dhe kanë bërë të mundur pastrimin e rrugës, si në Kalimash-Fushë Arrëz  ku po punohet akoma për pastrimin e rrugës, Elbasan-Peqin, Berat-Çorovodë, Peshkopi-Qafë Drajë km 30.5, Sarandë-Borsh ku janë instaluar new jersey dhe sinjalistika provizore. Nuk ka probleme me qarkullimin e mjeteve në të gjitha akset kombëtare”, shkruan ARRSH.

Ora 10:39
Rrëshkitje dherash në aksin Gramsh-Bersnik, bllokohet qarkullimi në njërin krah të rrugës

Aksi rrugor Gramsh-Bersnik është bllokuar nga njëri krah i rrugës për shkak të rrëshkitjes së gurëve.

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm ku si pasojë e rrëshkitjeve të gurëve mjetet qarkullojnë vetëm në njërin krah.

Ky është një aksi i rëndësishëm rrugor pasi shërben si ndërlidhës i tri komunave, Kodovjat, Kukur dhe Lenie.

Siç duket në pamje veç banorëve ndodhet policia por asnjë mjet pastrues i bashkisë. Kjo është një zonë problematike dhe shpesh ka rënie dherash.

1610189828_GRAMSAH.jpg

Ora 10:21
Ministri Niko Peleshi në Obot: Niveli i ujit është ulur! Deri më 11 janar do kemi reshje të shumta, jemi në gatishmëri

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi duke folur nga Oboti i njësisë administrative Ana e Malit tha se nuk do ketë shkarkime pavarësisht se ka prurje të mëdha.

Duke kryer inspektime në këtë zonë, ai thotë se pozitive është ulja me disa cm e nivelit të ujit dhe se po menaxhohet mirë Kaskada. Ai thotë se deri më 11 janar do të ketë intensitet të lartë të reshjeve.

Gjithashtu ministri Peleshi shprehet se trupat e emergjencave civile janë në gatishmëri, dhe janë angazhuar trupa të Forcave të Armatosura.

“Kam marrë një informacion që këtu në fshatin Obot, përsa i përket sipërfaqes nuk kemi tërheqje të ujërave. Jemi në një sipërfaqe të ulët në nivelin e detit. Pozitive është që kemi një ulje të lehtë të nivelit disa cm. Era që po fryn po na ndihmon dhe po përshpejton çuarjen e ujërave drejt detit. Një gjë tjetër pozitive është ulja e intensitetit të reshjeve. E rëndësishme është që të mos kemi përmbytje në Shkodër dhe gjasat janë që do arrijmë ta evitojmë. Reshjet do të shtohen por ne po bëjmë një menaxhim të mirë të kaskadës. Sot komunikova me drejtorin e KESH-it. Fierza po punon me dyer të mbyllura. Në Vaun e Dejës ka shkarkime normale. Shpresojmë që të mos përkeqësohet më shumë situata. Ne jemi në gatishmëri. Drejtori i Emergjencave Civile ka qenë prezent në çdo moment. Janë dhjetra trupa të Forcave të Armatosura në terren. Kemi rezultate të mira të prurjeve në krahasim me vitet e kaluara. Ditën e djeshme kishim rreth 4200 metër kub për sekond. Përpara 10 vjetësh është përmbytur e gjithë Shkodra me vetëm gjysmën e këtyre prurjeve. Ne jemi të gatshëm për evakuim. Dje kemi bërë disa evakuime. Kemi 260 persona nga Forcat e Armatosura në dispozicion. Mbi 1200 trupa të angazhuar” – tha Peleshi.

Ora 10:20
Reshjet e shiut, situata normale në Elbasan! Pastrohen rrugët nacionale, qarkullimi normal

Vazhdojnë reshjet e shiut në gjithë qarkun Elbasan herë me intesitet të lehtë e herë me intensitet mesatar.

Akset rrugore nacionale dhe akset e tjera rurale janë të gjitha funksionale dhe qarkullimi nuk është ndërprerë asnjë moment.

Janë pastruar në vazhdimësi inertet që bien herë pas here në akset Elbasan-Qafë Thanë dhe Gramsh-Mollë Grabovë.

Në Pishkash janë prezent makineri dhe punonjës dhe punohet në vijimësi për heqjen e masave të dheut që bien herë pas here.  Gjithashtu në qarkun Elbasan nuk ka banesa apo ndërtesa të cilat të jenë të përmbytura as sipërfaqe toke të përmbytura.

Niveli i ujërave të Lumenjve Shkumbin e Devoll është larg pikës së rrezikut. Përroi i Zaranikës, bashkia Elbasan dhe përrenjtë e tjerë malorë kanë prurje më të vogla.

Nuk rezultojnë probleme përsa i përket furnizimit me energji elektrike  përveç një lagje në fshatin Polis Vale Nj. A Shushicë, Bashkia Elbasan, ku janë rrëzuar dy shtylla nga gërryerja e përroit Gostimë dhe nesër do të rikthehet energjia. Kanalet e kullimit të fushave funksionojnë normalisht.

1610184079_z.jpg

Ora 10:10
Pamje të frikshme/ Shembje masive e rrugëve që lidh fshatrat e Lezhës

Moti i keq në vendin tonë ka shkaktuar probleme në rrugët që lidh fshatrat e Lezhës.

Segmenti rrugor që lidh fshatrat e njësisë administrative Ungrej në Lezhë me Kallmetin është shembur thuajse totalisht.

Është bllokuar total ky aks rrugor duke izoluar qindra banor të kësaj zone të cilët nuk kanë mundësi tjetër për tu lidhur me qendrën urbane.

Ndërkohë në zonën e Zadrimës situata paraqitet e keqe teksa rruga është e bllokuar ndërsa ka qindra hektarë të përmbytur.

1610183336_RRUGA001.jpg

Ora 10:00
Situata e reshjeve në Bulqizë, problematika në rrugën e Arbrit

Bashkia e Bulqizës ka bllokuar rrugën midis dy qyteteve Kukës dhe Bulqizë dhe për makinat dhe për këmbësorët.

Janë përmbytur dhjetëra hektarë toka bujqësore. Problematik edhe segment i rrugës Arbrit poshtë urës që lidh dy qytetet e Bulqizës grubmbullon rreth 1m ujë, problem për kalimin e mjeteve.

Ora 09:45
Moti i keq, dëmtohet çatia e një pallati 3 katësh në Lezhë

Çatia e një pallati 3 katesh në lagjen “Besëlidhja” të qytetit të Lezhës është dëmtuar nga moti i keq.

Objekti i ndërtuar para viteve 80’ ka patur dëmtime që nga tërmeti i 26-nëntorit të vitit 2019-të dhe situata e motit e ka përkeqësuar edhe më shume situatën.

Uji i shiut ka deportuar brenda apartamenteve në të gjitha katet dhe në bizneset që ndodhen në katin e parë.

Ora 09:10
Reshjet e shiut, qarku i Korçës pa problematika! Po punohet për pastrimin e rrugëve

1609447905_korce.jpg

Gjatë natës në territorin e qarkut të Korçës ka pasur reshje shiu me intensitet të ulët të cilat nuk kanë shkaktuar problematika.

Gjendja e rrugëve nacionale dhe atyre rurale është e mirë ndërsa qarkullimi i automjeteve është normale.

Nga kompanitë kontraktore po bëhet e mundur pastrimi i rrugëve dhe kanaleve anësore nga aluvionet e ndryshme për kullimin e ujërave.

Në fushën e Maliqit situata është normale, në lumin e Devollit ka filluar të ulet niveli i prurjeve të ujit. Në furnizimin me energji elektrike nuk ka probleme. Aktualisht rreshjet e shiut janë ndërprerë.

Ora 08:36
Përmbytjet në fshatin Murqinë, Fushë-Krujë, situata e njëjtë! Banori: Nuk na kanë dëmshpërblyer kurrë për dëmet

Në fshatin Murqinë të Fushë-Krujës situata me përmbytjet vijon të jetë e njëjtë. Niveli i ujit është rritur dhe ka përmbytur një sipërfaqe të madhe bujqësore. Janë dhjetra hektarë nën ujë dhe rreth 20 banesa janë të rrethuara nga uji, ku në disa prej tyre ka hyrë brenda.

Një prej banorëve të zonës shprehet se përherë situata është e njëjtë dhe nuk kanë marrë asnjëherë dëmshpërblim nga shteti për dëmet që janë shkatërruar.

“Nuk ka asnjë lloj pastrimi kanalesh. Niveli i ujit është rritur. Nuk na kanë dëmshpërblime, ndoshta na kanë sjellë por unë nuk kam marrë gjë” – tha një banor.

Ora 08:26
Lezhë/ Sërish rrëshkitje dherash në disa zona të qytetit

Pavarësisht se kushtet atmosferike janë përmirësuar gjatë mbrëmjes së djeshme, në disa zona të qytetit të Lezhës situata vijon të jetë problematike.

Ka pasur rrëshkitje dherash në disa pjesë të qytetit ku janë në rrezik dhe banesat. Ndërsa disa prej banesave të djeshme janë evakuuar disa familje që kanë qenë më të rrezikuara.

E.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Për të shpëtuar nga SPAK, Këlliçi distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën

Për të shpëtuar nga SPAK, Këlliçi distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën