Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë shënuar 14 vatra zjarri në disa qarqe të vendit, një pjesë e të cilave vijojnë që të jenë aktive.
 
Në operacione për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 98 punonjës zjarrfikës, 13 automjete zjarrfikëse, 140 personel nga Forcat të Armatosura të Ushtrisë, dhjetëra vullnetarë si dhe punonjës të Pyjores, të Drejtorisë së Zonave të Mbrojtura, etj, të mbështetur dhe nga helikopterë.
 
Vatrat e zjarrit janë regjistruar në Berat, Tiranë, Durrës, Elbasan, Librazhd, Dibër, por edhe në qytete të tjera të vendit.
 
Në Skrapar te Parku i Bogovës, zjarri i rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha ka vazhduar, zjarrfikësit nuk kanë mundur të ndërhyjnë për shkak të terrenit të thyer malor, ndërsa sot do të dërgohet 1 helikopter për të shuar vatrat e zjarrit.
 
Situata më serioze paraqitet në Ulëz, ku në rrezik janë 4 familje, por në raportin e fundit të Emergjencave Civile nuk flitet për ndërhyrje në këtë zonë. 

Ulëz, familja luftë me zjarrin: Vatra vetëm 5 metra larg, po digjemi
Vatra e zjarrit në Njësinë Adminstrative Ulëz të Bashkisë Mat, e aktivizuar disa ditë më parë, i është afruar një shtëpie në fshatin Trodhen. 

Alarmi është dhënë nga vetë familjarët të cilët kanë deklaruar se zjarri ndodhet vetëm pak metra larg banesës së tyre.

Kryefamiljari Tanush Sefgjini është shprehur gjatë një lidhje telefonike për Report Tv se familjes pesë anëtarëshe, flakët u kanë shkaktuar dëmet e para. Ai thotë se të rrezikuar janë bagëtitë, ndërkohë që në zonë ndodhen edhe disa stane. 

Mësohet gjithashtu se një i mitur në fshatin Trodhen ka pasur probleme me frymëmarrjen për shkak të tymit të shkaktuar nga zjarri. 

Drejt zonës janë nisur 25 forca të ushtrisë nga Mati, ndërkohë që ndërhyrja e shërbimit zjarrfikës duket mision i pamundur për shkak të terrenit të thyer malor. Zgjidhja shihet vetëm nga ajri përmes helikopterit. 

Banorët e zonës thonë se nga zjarri rrezikohen jo vetëm ata, por edhe disa stane në zonë, dhe bagëtitë e tyre.

Kryefamiljari: Me 80% jemi të mbaruar, zjarri s'ndalet
Kryefamiljari Tanush Sefgjini ka deklaruar për Report Tv se banesa e tyre është thuajse e djegur nga zjarri i madh që ka përfshirë kodrat me pyje pisha pranë shtëpisë së tij. 

Ai thotë se është e vështirë mbajtja në kontroll e flakëve, pasi pranë banesëes ndodhet një pyll me pisha çka favorizon përhapjen e flakëve.

"80% jemi të djegur me shtëpi e çfarë kemi. Pranë shtëpisë është një kurorë me pisha dhe zjarri është i vështirë të ndalohet. Është vetëm pak metra larg shtëpisë"

Z.Sefgjini cila është situata e fundit nga zjarri në Ulëz ku edhe rrezikohet banesa juaj?
80% jemi të djegur me shtëpi e çfarë kemi. Pranë shtëpisë është një kurorë me pisha dhe zjarri është i vështirë të ndalohet. Është vetëm pak metra larg shtëpisë. 

A ka ardhur ndonjë ndihmë nga shërbimi i emergjencave civile?
Jo, asnjë. Zjarri ka disa ditë. Sot ka ardhur një përfaqësues nga Njësia Administrative Ulëz, por çfarë do bëjë ai. Kemi pak shpresa që të shpëtojmë shtëpinë. 

Vetë keni marrë masa për të shmangur djegien e shtëpisë?
Shtëpia mund të përfshihet nga flakët nga momenti në moment, me kova uji nuk përballohet. 

Rrezikohen banesa të tjera?
Ka dhe shtëpi të tjera, një prej tyre nuk banohet, ndërsa te tjetra banon një e moshuar. 

Terreni është i vështirë?
I vështirë është, pasi ndodhemi në lartësi. 

Zjarri në Mat, 4 familje në Ulëz luftë me flakët “Ndihmë, jemi në rrezik"
Vijon prej tre ditësh zjarri intensiv në Ulëz, ndërsa në rrezik serioz janë katër familje.
 
Familjarët apelojnë për ndihmë, pasi zjarri është shumë pranë banesave, ndërsa të vetëm po luftojnë me flakët.
 
Pas apelit mbrëmjen e djeshme ende nuk ka shkuar askush për t’i ndihmuar askush, ndërsa thirrja për ndihmë për autoritetet shtetërore vijon.
 
Ndërhyrja është e vështirë për shkak të terrenit, ndërsa kërkohet ndihmë nga ajri për të vendosur në kontroll flakët që po përhapen me shpejtësi.
 
Banorët për Report Tv: Situata është dramatike
Një nga banorët e zonës, Gjovalin Gjergji në një lidhje telefonike për Report Tv u shpreh se situata është dramatike.
 
Situata është shumë dramatike, mund të krahasohet me kohën e ‘gjermanit’. Zjarri ka marrë përmasa  të papame, asnjë ndërhyrje nga shteti, bashkia apo njësia administrative, vetëm banorët po shuajnë zjarrin. Kemi kërkuar ndihmë, ka ardhur vetëm një helikopter, vetëm ka vrojtuar dhe ka ikur” shprehet ai.
 
Ndërsa një tjetër banor thotë se zjarri është 50 metra larg shtëpive dhe për momentin është izoluar, por paraqet rrezik.

Si pasojë e zjarrit i cili vijon prej disa ditësh në Ulëz, janë djegur një sipërfaqe e madhe me dushk dhe lisa.



[gallery]23418[/gallery]
Zjarri në Mat, deputetja e PD: Kërkojmë 10 ushtarë nga FA 
E ndërsa situata nga zjarri vazhdon që të jetë problematike në Ulëz të Matit, në një lidhje telefonike për Report Tv deputetja e PD për zonën, Dhurata Çupi u shpreh se banesat nuk rrezikohen, ndërsa për të vendosur në kontroll flakët duhen vetëm 10 ushtarë nga Forcat e Armatosura.