Një episod i rrallë dhe mjaft interesant u regjistrua në ndeshjen e Kupës së Botës mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Australisë, e cila përfundoi me fitoren 2-0 të amerikanëve.

Vëmendjen e medieve ndërkombëtare nuk e mori vetëm rezultati, por edhe një ngjarje e pazakontë që ndodhi në minutat e fundit të takimit. Gjyqtari kryesor Felix Zwayer u ul në fushë duke kërkuar asistencë mjekësore, ndërsa ndihma mbërriti menjëherë në një formë jo të zakonshme.

Gjyqtarja e katërt, Katie Garcia, i dha arbitrit një shishe të vogël me lëng turshish, duke shkaktuar habi te të pranishmit dhe shikuesit. Megjithatë, sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, kjo përzierje përdoret shpesh në sport për të luftuar ngërçet dhe lodhjen muskulore.

Sipas “New York Times”, produkti përmban lëng turshish të pasuruar me vitamina dhe minerale që ndihmojnë në rikuperimin e shpejtë të muskujve. Specialistët rekomandojnë që ai të mbahet në gojë për 20 deri në 30 sekonda përpara se të gëlltitet ose të pështyhet.

Ekspertët e ushqyerjes sportive shpjegojnë se elektrolitet natyrale, si natriumi dhe kaliumi, ndihmojnë në ndërprerjen e sinjaleve nervore që shkaktojnë ngërçet, duke relaksuar muskujt në më pak se një minutë.

Dr. Mayur Ranchordas, ekspert i të ushqyerit sportiv në Universitetin Sheffield Hallam, ka deklaruar më herët se lëngu i turshive mund të ndalojë ngërçet deri në 40 përqind më shpejt sesa konsumimi i ujit.

Përveç luftimit të ngërçeve, kjo përzierje ndihmon edhe në rritjen e energjisë, hidratimin e organizmit dhe përmirësimin e qarkullimit të gjakut. Për këtë arsye, ajo përdoret kryesisht si zgjidhje emergjente gjatë aktivitetit fizik intensiv dhe jo si masë parandaluese.

Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.

Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.