Kombëtarja e Holandës vazhdon të shkruajë historinë në Kupën e Botës. 'Tulipanët' regjistruan një fitore 5-1 ndaj Suedisë në ndeshjen e dytë të Grupit F, duke vendosur një rekord të ri që deri më tani mbahej nga Brazili legjendar i Pelesë.

Në sfidën e zhvilluar në Houston, protagonistët kryesorë ishin Brian Brobbey dhe Cody Gakpo, të cilët realizuan nga dy gola secili. Brobbey zhbllokoi rezultatin që në minutën e 5-të dhe dyfishoi shifrat në të 17-ën, ndërsa Gakpo shënoi në minutat 47-të dhe 54. Golin e vetëm për suedezët e realizoi Anthony Elanga në minutën e 59-të, ndërsa Crysencio Summerville vulosi triumfin holandez me golin e pestë në fund të takimit.

Rekord historik, Brazili mbetet pas

Me këtë sukses, Holanda arriti në 14 ndeshje radhazi pa humbje në Kupën e Botës, duke vendosur një rekord të ri në historinë e turneut. Seria nisi në Botërorin 2014 me fitoren 5-1 ndaj Spanjës dhe vazhdon ende sot.

Gjatë kësaj periudhe, holandezët kanë regjistruar 10 fitore dhe katër barazime, duke përfshirë edhe dy sfidat kundër Argjentinës në gjysmëfinalen e vitit 2014 dhe çerekfinalen e vitit 2022, të cilat u vendosën më pas nga gjuajtjet e penalltive.

Humbja e fundit e Holandës në një ndeshje të Kupës së Botës, pa llogaritur penalltitë, daton në finalen e vitit 2010, kur Spanja triumfoi 1-0 pas kohës shtesë.

Rekordi i mëparshëm mbahej nga Brazili i Pelesë, që kishte qëndruar 13 ndeshje radhazi pa humbje në Botëror mes viteve 1958 dhe 1966, me 11 fitore dhe dy barazime.

Dominim edhe në fazën e grupeve

Përveç rekordit të përgjithshëm, Holanda vendosi edhe një tjetër arritje. Ndeshja ndaj Suedisë ishte e 18-ta radhazi në fazën e grupeve të Kupës së Botës pa pësuar humbje.

Seria nisi në Botërorin e vitit 1994 dhe vazhdon prej më shumë se tre dekadash. Pas kësaj fitoreje bindëse, Holanda kryeson Grupin F me katër pikë, ndërsa Suedia renditet në vendin e dytë me tre pikë, duke mbajtur të hapur garën për kualifikimin në fazën me eliminim direkt.

Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.

Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.