'S'jam i kënaqur'/ Basha ironizon deklaratën e Ramës: Duhet të jesh, se në kurriz të njerëzve ke fituar milionat

Kryetari i PD, Lulzim Basha u takua me qytetarë e biznese në Tiranë

TIRANË- Kryetari i PD, Lulzim Basha u takua me qytetarë e biznese të zonës së Njësisë Administrative 7 në Tiranë, ku tha se PD-ja ka një plan konkret për t'u ardhur në ndihmë.

Në bashkëbisedim me qytetarët, Basha akuzoi qeverinë se nuk ka ka punuar asnjë ditë për njerëzit, por për një grup oligarkësh, teksa ka ironizuar edhe deklaratën e Ramës se "nuk është i kënaqur".

"Ka 8 vite që qeveria s’ka bërë asnjë gjë për këta njerëz, absolutisht asgjë. E del tani që po i vjen fundi e thotë edhe unë s’jam i kënaqur. Në fakt vetëm ai dhe një grusht njerëzish duhet të janë të kënaqur se kanë fituar miliona në kurriz të shqiptarëve.  Ne kemi dalë më një plan për të ndihmuar biznesin. Se po qe biznesi mirë do jenë gjithë njerëzit mirë, do jenë punonjësit mirë, do jenë familjet e tyre mirë, mirë do jenë të punësuarit.  Ju që punoni me djersën e ballit dhe nuk keni parë një ditë të bardhë këto 8 vite, që jetoni me frikën dhe terrorin e shtetit, nesër do ta keni shtetin në krahun tuaj nuk do ta keni kundër siç e keni pas deri sot.  Të jemi gjithë bashkë, që 25 prilli të jetë fitorja e të gjithëve, jo vetëm e imja, e të gjithë Shqipërisë", tha Basha.

Ndërkohë, qytetarët kanë treguar problemet e tyre.

"Jetesa është bërë shumë e vështirë. Tatimet po, siguracionet... ç’është kjo siguracionet, ku kemi ne të paguajmë kaq shumë. Apo kemi punë kaq shumë! Në kohën e pandemisë ne kemi rënë shumë, shumë, shumë keq! Kemi rënë aq keq, sa me zor nxjerrim bukën e gojës. Qiraja po, dritat po në stratosferë. Po pse rriten dritat dhe uji o djalë? A ka populli, pensionisti? Ka mundësi me i pagujt? Kaq di me thënë, më shumë nuk di nëna. Kam dhe burrin invalid edhe rri 2 orë sa për të shkuar për të bërë bukë. Torturohemi gjithë ditën, shkurt muhabetit. I kam ngrënë dy gjoba. Sa hapa dyqanin, po pija kafe me shoqet, vjen njëri hapur e kisha kafen, harrova ta shkruaj atë të shkretë, për një raki më vunë 500 mijë lekë gjobë", - thotë një zonjë që shet në një biznes të përgjysmuar nga xhiroja.

"Kam punuar 35 vjet dhe tani s’mbaj dot veten time me 170 mijë lekë pension. Nuk mbaj dot veten time', - thotë një pensionist.

"Inshallah të vini në pushtet se për zotin është një katastrofë. Të gjitha taksat, tarifat. S’ka, ja rrimë gjithë ditën kështu. Shohim, numërojmë rrugët, njerëzit ça vijnë e çfarë dalin", - shprehet i revoltuar një qytetar tjetër.

B.K./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Listat në afat të fundit/ A besoni se partitë politike do përzgjedhin kandidatë të pastër e me integritet për zgjedhjet e 25 prillit?

Komento


×

Lajmi i fundit

John

6 muaj burg se falsifikoi dokumentet për t'u bërë pjesë e KPA, Apeli i GKKO lë në fuqi dënimin për Luan Dacin! Flet ish-gjyqtari: Nuk largohem, kam 109 vota nga Parlamenti