UEFA ka dënuar federatën e futbollit të Kosovës me gjobë 42.250 euro për ndeshjen e luajtur në nëntor kundër Izraelit në Prishtinë. Në duelin e vlefshëm për Ligën e Kombeve komisioni disiplinor ka vërejtur 4 shkelje të dardanëve.
Dënimi më i rëndësishëm lidhet me sjelljen raciste dhe diskriminuese të tifozëve, për të cilën UEFA ka shqiptuar 10.000 euro gjobë dhe ka vendosur mbylljen e pjesshme të stadiumit “Fadil Vokrri”, konkretisht të sektorit L2, në ndeshjen e ardhshme si vendase në një garë të UEFA-s.
Dënimi me mbyllje të një pjesë të stadiumit për momentin është pezulluar duke qenë se Kosova nuk është përsëritëse, por do të jetë në një periudhë prove prej 2 vitesh.
FFK-ja është dënuar gjithashtu me 2.250 euro për hedhjen e sendeve në fushë, 10.000 euro për incidentet gjatë këndimit të himneve kombëtare dhe 20.000 euro për transmetimin e një mesazhi të papërshtatshëm për një aktivitet sportiv.








Komente
Komento