Skënderbeu/Faktet që dëshmojnë
lidhje të shumëfishta me sllavët 

Skënderbeu/Faktet që dëshmojnë<br />lidhje të shumëfishta me sllavët 
Termi Shqipëria si “senduiç” që të paktën në 2008

Tek “Gjysma e harruar e Skënderbeut” Ylli Polovina shkruan “Kur kritikuesit e ashpër të Gjergj Kastriotit, pikërisht ata emra që kemi cituar në fillim të librit (bëhet fjalë për dikur diplomatin A.B: dhe historishkruesin H. F.-shënim i tanishëm i autorit), e akuzojnë atë si një servil të Evropës dhe të interesave të saj të çastit, po ashtu nuk harrojnë të bashkëngjisin edhe një mëri tjetër. Sipas tyre Skënderbeu në kryerjen e gjestit të tij historik ka bërë një gabim të rëndë: ka flirtuar me serbët dhe grekët, pra me ata, të cilët jo vetëm prej kritikuesve të mësipërmë konsiderohen si armiqtë tanë të pandryshueshëm.

Në botimin “Skicë e mendimit politik shqiptar” H.F. shkruan se “Skënderbeu, Pjetër Bogdani etj., u ndodhën jo thjesht krahas Perëndimit, por krahas sllavëve, krahas serbëve e rusëve, krahas armiqve kryesorë sipas konceptit nacionalist shqiptar, në luftë kundër Perandorisë osmane”. Po ashtu, ai ngul këmbë se “..... Skënderbeu.....nuk ishte luftëtar i vërtetë për liri kundër të gjithë pushtuesve, por përkundrazi, ishte i prirë për bashkëpunim me pushtuesit më të rrezikshëm, pushtuesit sllavë, kundër një pushtuesi tjetër, pushtuesit osman....”.

Gjithnjë sipas këtij arsyetimi rrethanat historike i kanë shtrënguar paraardhësit tanë, të gjendur mes pushtuesve të panumërt në pozicionin e vështirë të “senduiçit”, të zgjedhin vetëm llojin e të keqes, thjesht përmasën negative të saj. Mospajtuesit me veprën e Gjergj Kastriotit sulmojnë me mendimin se shqiptarët mes të këqijave kanë zgjedhur atë më të vogël. Ata nuk mendojnë se në këtë strategji tradicionale të etnisë së vet Skënderbeu ka ditur të veprojë drejt. Për ta ai ka bërë zgjedhjen më të paduhur, më të gabuarën.

Sipas tyre Gjergj Kastrioti në strategjinë e zgjedhjes së të keqes më të vogël duhej të kalonte në anën e Perandorisë Osmane dhe jo siç veproi, në krah të serbëve dhe grekëve.

Pikërisht për këtë konkluzion që kanë nxjerrë, A.B. gjykon se “....gatishmëria dhe përpjekjet e Skënderbeut për të bashkëpunuar me udhëheqësit politikë sllavë, para së gjithash serbë dhe udhëheqësit politikë grekë, nuk e kanë bërë politikën serbe e greke miqësore ndaj shqiptarëve në asnjë periudhë dhe për asnjë ngjarje”.

Në mbështetje të këtij përfundimi A.B. i jepet mendimit se “Prirja e Skënderbeut për miqësi dhe aleanca politike përveç me sundimtarin serb të Bosnjës edhe me sundimtarin serb të Kosovës, despotin Gj. Brankoviç, ka qenë shkak i armiqësisë së popullsisë shqiptare që vuante terror nën sundimin e Brankoviçit ndaj Skënderbeut. Po ashtu edhe princa dhe udhëheqës të rëndësishëm si Dukagjinasit u vunë kundër Skënderbeut për shkak të miqësisë së tij me serbët.

Territoret e Dukagjinasve kufizoheshin me territoret shqiptare të sunduara nga Brankoviçi dhe aleati politik i Skënderbeut që shfaroste shqiptarët në principatën e vet (Kosova) dhe nga kjo fqinjësi ndërmjet Dukagjinasve dhe Brankoviçit kishte konflikte. Mbështetja e Dukagjinasve nga popullsia dhe kundërshtimi i Skënderbeut për arsye të miqësisë së tij me Brankoviçin kanë bërë që në traditën popullore në Krujë e sipër të jetojë Lekë Dukagjini, ndërsa Skënderbeu është dërguar vonë nëpërmjet sistemit arsimor në popullsi, kurse në kujtesën popullore dhe në odën tradicionale shqiptare ka qenë i harruar. Në këtë argument po të pyetet se pse e “tradhëtuan” dukagjinasit Skënderbeun, përgjigja është se Skënderbeu i kishte tradhëtuar më parë duke lidhur miqësi me armikun kryesor të tyre, me serbët dhe Gj. Brankoviçin. Sipas këtij argumenti Dukagjinasit përfaqësojnë politikën e armiqësisë me serbët, Skënderbeu të bashkëpunimit me serbët”.

Një skajim i kësaj mënyre të bëri analizë doemos që do ta çonte autorin A.B. në pranimin e idesë se “Bashkëpunimi i Skënderbeut me serbët dhe grekët tregon se ai ka qenë bashkëpunëtor me armiqtë dhe pushtuesit më të rrezikshëm e jo luftëtar i lirisë”.
 
Rrjeti i aleancave ndërballkanike, inteligjenca e shquar e Skënderbeut

Prerja e kordonit ombikal, jetë ushques, mes Gjergj Kastriotit dhe Evropës, nuk do të bëhej plagë më pak e rëndë duke i shtuar të njëjtin veprim: prerjen e lidhjes së tij edhe me popujt e Ballkanit, përfshi edhe grekët e serbët e kohës. Në rast se ai do të kishte ndërtuar lidhje të ngushta me qendrën e kontinentit, duke shpërfillur rajonin, në të vërtetë nuk do të kishte bërë gjë tjetër veç do të kishte dobësuar dhe mpakur kontributin e tij evropian.

Bashkëpunimi i Skënderbeut dhe ndërtimi i një rrjeti aleancash me pushtetushtrues të rajonit e bëri më të gjërë dhe më të natyrshme, më të plotë dhe më harmonike, më të fortë dhe më funksionale, më largpamëse dhe më historike gjestin e tij të kryengritjes çlirimtare kundër pushtimit osman. Po ashtu edhe rreshtimin e tij me qytetërimin perëndimor.

Dobinë e lidhjes së shumëfishtë të Gjergj Kastriotit me Ballkanin dhe Evropën e shohim tani, kur rajoni përgatitet pjesë-pjesë për t’u integruar në BE. Sot as që mund të kuptohet që një proçes i tillë në Bruksel apo në qendrat më të mëdha të eurokontinentit do të përfytyrohej i realizueshëm duke lënë jashtë rajonin ballkanik. Madje kjo gjë as mund të merret me mend qoftë edhe sikur, në një formë “ndëshkimi” apo “karantine” të përkohshme, do të braktisej për një kohë vetëm një shtet apo popull i gadishullit.

Bashkimi Evropian do të konsiderohet identitet i plotë vetëm në rast se në Ballkan nuk do të lihet asnjë centimetër tokë pa u përfshirë në integrimin me të. Skënderbeu në kohën e kryerjes së veprës së tij do ta krijonte një gropë të tillë në rast se do të përjashtonte nga bashkëpunimi qoftë edhe një popull të gadishullit, ca më tepër që të gjithë ata ishin përfshirë në rezistencën ndaj pushtimit osman.

Tjetër gjë, disi më elastike, do të ishte strategjia e krijimit të aleancave të Gjergj Kastriotit me pushtetushtruesit e veçantë në rajon. Atëhere nuk kishte shtete të krijuara sipas përputhjeve me atë që më pas u quajt komb. Serbët si etni administroheshin nga disa zotër të tyre, siç ndodhte që një pushtetmbajtës i tillë kishte në sinoret e feudit të vet edhe vendbanime shqiptare. E njëjta gjë ndodhte edhe me zotërit e pjesëve të ndryshme të etnisë sonë.

Nën këtë këndvështrim situata gjeopolitike e atëhershme ka fare pak përngjasim me të sotmen dhe akoma më pak me dekada apo një shekull më parë. Feudalë të veçantë serbë në kohën kur veproi Skënderbeu, por edhe shumë më parë e më pas tij, kur ende nuk gjendeshin të pushtuar nga Perandoria Osmane, kanë tentuar daljen në det. Kjo dalje ka qënë përherë jetike për të gjithë pushtetushtruesit e ngujuar në brendësi e thellësi të territoreve të Ballkanit. Nuk duhet të harrojmë se edhe vetë Gjon Kastrioti, trashëgimtar nga i ati i vetëm dy fshatrave në Dibër, me agresivitetin e vet të njohur principatën e vet nuk e shtriu nga lindja por nga perëndimi, andej nga ishte deti.

Kështu veproi edhe i biri i tij, Gjergji. Skënderbeu vuri në dorë dhe gjatë gjithë kohës që jetoi mbajti nën kontroll të plotë zonën bregdetare në grykëderdhjen e lumit Mat, ku ndërtoi skelën, qendrën doganore dhe pranë tyre kriporen e Shënkollit.

Ka qënë po ashtu shumë e vërtetë që Gjergj Kastrioti ka bërë aleancë të ngjizur fort me mbretërinë e Malit të Zi, me Çërnojeviçët, për të penguar daljen e despotëve serbë të Rashkës në bregdetin e kontrolluar prej tyre. Veç kjo ende ka lidhje të pakta me kontekstin e zhvillimeve të mëvonshme, kur serbët jo vetëm krijuan shtet mbi hapësirat e etnisë së tyre, por nëpërmjet mbretërisë, republikës federative apo regjimit komunist përpunuan dhe zbatuan një strategji të tërë për të dalë edhe në Lezhë e Durrës, pse jo edhe në Vlorë. Për këtë arsye ata, para dhe pas vitit 1912, vunë në jetë një politikë për dobësimin dhe më pas pushtimin e trojeve të shqiptarëve.

Gjergj Kastrioti në përputhje me kohën e vet dhe tendencat e zhvillimeve gjeopolitike që po ndodhnin, kreu veprime në favor të mbrojtjes së Evropës. Vetë Ballkani ishte pjesë e këtij kontinenti e qytetërimi. Mbrojtja e Evropës ishte mënyra më e mirë për të mbrojtur Shqipërinë. Mbrojtja e Ballkanit mbetej po ashtu siguria më e mirë për lirinë e shqiptarëve.
 
Despoti serb Gjergj Brankoviç, për t’i shpëtuar hakmarrjes së sulltanit, për shumë kohë u strehua në kështjellën-rezidencë të Skënderbeut

Po ta tentonte aventurën e prishjes me ballkanasit Gjergj Kastrioti do të mbetej i rrethuar nga Perandoria Osmane, i izoluar, me krahë e shpinë të zbuluara. Nuk kishte mallim sentimental Skënderbeu për Gjergj Brankoviçin, despotin serb që kontrollonte edhe një pjesë të etnisë së shqiptarëve të vendosur në hapësirën e Kosovës së sotme, por atje ishte shpina e tij. Po të ndërtonte marrëdhënie armiqësore, atëhere në trupin e rezistencës së vet në mungesë të mburojës do të hynin lehtësisht majat e heshtave dhe të jataganëve të mprehtë osmanë.

Kur pas pushtimit nga turqit ai e strehoi për disa kohë aleatin e tij në trojet shqiptare, nuk bëri ndryshe nga sa bënë edhe hungarezët, ndjekësit e Janosh Huniadit. Brankoviç u strehua edhe atje për t’i shpëtuar hakmarrjes sulltanore.

Në rast se despoti serb Gjergj Brankoviç i kishte dhënë sulltan Mehmetit II të bijën për grua, kur Skënderbeu bënte aleancë me të ai i kishte përkeqësuar raportet me Portën e Lartë. 

Një nga Brankoviçët, Vuku, në krye të një ushtrie kishte luftuar kundër turqve në betejën e përgjakshme të Fushës së Mëllënjave, në Fushë Kosovë, më 1389. Ndërkohë sipas një dokumenti autentik kur Skënderbeu vdiq në varrimin e tij në Lezhë patën ardhur "të gjithë princat serbë dhe bujarët e tjerë përreth".
Ka mjaft arsye për të besuar se Gjergj Kastrioti kishte ndërtuar me zotërit e parë të popullit fqinj marrëdhënie të qarta partneriteti dhe aspak lëshimesh etnike, pasurish apo trojesh. Nuk kishte as raporte vasaliteti. Madje ndodhte të kishte epërsi morale. Skënderbeu adhurohej prej serbëve dhe nuk ndodhte që ndërkohë shqiptarët të kishin idhull ndonjë prijës apo gjeneral të serbëve. Ai nuk mund të akuzohet për shitje apo kompromentim interesash etnike ndërsa ka ndikim të madh shpirtëror te sllavët. Në parim është ai që i ka “pushtuar”.
 
Gjoni, djali i vetëm i Gjergj Kastriotit, mori për grua një princeshë sërbe

Në librin “Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut”, botuar në 2012, për temën e raporteve të kryeheroit kombëtar shqiptar me sllavët e Ballkanit, Ylli Polovina vë në dukje: “Gjithçka që do të tregojmë në këto radhë nis në fillim pranverë të vitit 1468, kur pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, bashkëshortja e tij, princesha Donikë, e shoqëruar nga djali i vetëm, Gjoni trembëdhjetë vjeçar, si edhe disa vejusha komandantësh shqiptarë të rënë në luftë, kapërceu detin për t’u vendosur në Itali. Ajo nuk po ikte si një emigrante që nuk do të rikthehej më në principatën e vet. Në atë pragpranverë po e kapërcente detin bashkë me princin trashëgimtar për ta vijuar luftën përkohësisht prej andej dhe në rastin më të parë për t’u rikthyer.

Kastriotët qenë një familje e vjetër autoktone, madje me lëvizshmëri të dukshme në hapësirën verilindore të arbërve, por si dinasti pushteti në trojet shqiptare zotëronin historinë e vetëm katër brezave. Veç qenë një familje me etje të fortë për të ushtruar ndikim e qenë të parët, me vullnet të madh për t’i mbërritur synimet e tyre politike dhe pasurore, me këmbëngulje të papërmbajtur zgjerimi dhe me rregulla shumë të rrepta të ruajtjes të së drejtës së trashëgimisë.

Gjergj Kastrioti i pamartuar për një kohë të gjatë dhe çështja e kalimit tek pasardhësi i principatës së tij e sidomos i statusit të kryekomandantit të Lidhjes Shqiptare të Lezhës, qenë preokupuese për jo pak qarqe e individë të fortë të kohës.

Dihet, pastaj, që kur martesa e vonë me Donika Arianitin e dha frytin e gëzuar të një djali (Gjoni lindi afërsisht në vitin 1455) ndodhi edhe tradhtia e madhe e nipit të tij, Hamzait, atij që pas vdekjes së të ungjit, në kushte të mungesës së një fëmije mashkull nga Donika dhe Gjergji, do t’i takonte kurora e Arbërisë.

Si ndodhi që më vonë, pas lindjes së shëndetshme të Gjonit, çifti princëror Kastrioti nuk bëri më fëmijë të tjerë, se e provuan por nuk ia dolën dot apo u mjaftuan me lindjen e parë, për fat një mashkull dhe jo femër, është një temë joshëse jo vetëm për historianët.

Sidoqoftë jeta e trembëdhjetëvjeçarit në atë ikje drejt brigjeve të gadishullit të Apenineve si edhe ajo e pasardhësve të tij meshkuj në Itali merr rëndësi të veçantë. Madje në tokat përtej detit e mbart këtë peshë edhe më të madhe se në trojet amtare.

Në Itali dhe në Evropë Skënderbeu kishte një emër tepër të madh dhe familja e tij, pra trashëgimtarët, një vlerë shumë të posaçme për t’u përdorur qoftë edhe në mënyrë propagandistike në luftën e gjatë që kontinenti i krishterë po bënte kundër perandorisë osmane me fe zyrtare islamizmin.

Zhvillimet që ndodhën pas mërgimit të përkohshëm të familjes së Gjergj Kastriotit ishin të tilla që brenda një dekade pothuaj e shuan mundësinë e rikthimit të tyre. Megjithëse vetë Gjoni dhe të paktën dy nipër të tij dëshmohet se në krye të komandove të ndryshme të financuara e pajisura nga Republika e Venedikut apo Mbretëria e Napolit kanë rihyrë në Shqipëri për akte diversioni, kapje plasdarmesh apo edhe operacionesh të gjëra çlirimi, ajo ikje e pragpranverës 1468 kishte qenë pa rikthim. Që prej këtij çasti familja princërore Kastrioti e vazhdoi jetën e saj larg trojeve të shqiptarëve dhe për fat të trishtë edhe larg lidhjeve e vëmendjes reciproke të dy palëve, duke krijuar kështu një nga gropat më të mëdha të kujtesës sonë kombëtare...

...Gjoni u martua në mërgim me Jerina Brankoviç, vajzën e princit serb Llazar. Edhe këta, për shkak të pushtimit osman, qenë të emigruar. Siç dihet vetë Erina ishte bijë e lidhjes martesore të Llazarit me Helena Paleologun, pjesëtare e familjes perandorake të Bizantit.

Mund të thuhet se me atë martesë në shkallën e fisnikërisë Gjon Kastrioti realizoi një ngjitje më të madhe se i ati i tij i lavdishëm dhe më të lartën në të gjithë historinë e derës së tyre. Jo pak libra dhe disa enciklopedi të mesjetës shkruajnë se në rast se në Itali dhe më tej saj duan të gjejnë një dëshmi pranie të vijuar të perandorit bizantin Manuel Paleologu, këtë gjë duhet ta bëjnë duke kërkuar në pasardhësit e Skënderbeut.

Gjon Kastrioti u martua në vitet 1475 apo 1476. I takon të ishte njëzetë e apo njëzetë e një vjeç.
Genetikisht prej të atit dhe të ëmës, Kastriotët dhe Arianitët, kishte traditë për lindje djemsh. Me siguri e ëma, Donika, e cila u kujdes për këtë martesë, nuk pati asnjë merak se të birit do t’i ndodhte ndryshe. Kështu edhe ngjau.

Çifti lindi mashkull dhe menjëherë atij iu vu emri i gjyshit të famshëm: Gjergj. Trashëgimia ishte siguruar. Gjoni, i cili edhe vetë, sipas rregullave dinastike feudale, pati ringjallur në emër gjyshin e tij, nuk e mbylli këtu çështjen e pasardhësve. Ndërsa Gjergji u lind në fillim të vitit 1477, pothuaj më pak se një vit më pas serbja Erina (siç më lehtësisht e shqiptonin emrin e saj italianët) dhe Gjoni u bënë me djalin e dytë. I vunë emrin Kostandino (Costandino).

Djali i tretë doli në jetë po kaq shpejt. U quajt Federiko (Federico). Afërsisht rreth vitit 1495 lindi mashkulli i katërt si edhe pa u vonuar një vajzë,që u pagëzua me emrin Maria. Mund të ketë ngjarë edhe e kundërta: Maria të jetë e lindura para Federikos. Në kontrollin që disa studiues italianë e veçanërisht Prof. Valone i kanë bërë librave të famullive të vendndodhjeve të Kastriotëve në Pulia, nuk gjendet asnjë ditëlindje e regjistruar e të katër fëmijëve të tij. Sigurisht kjo u ndodhte shumëve atë kohë”.
 
Qyteti i Ohrit ka pasur një lagje me emrin e Skënderbeut

”Gjergj Kastrioti e ka Ballkanin në gjakun e vet.

Familja e tij e kishte origjinën nga Dibra. Madje edhe sikur t’u hapim rrugë hipotezave të tjera, përshembëll lindjes së tij në krahinën e Hasit në tejveri të Shqipërisë, gjithsesi një gjë është mjaft e qartë: Skënderbeu dhe prindërit e tij kanë jetuar në troje jo krejtësisht të pastëra etnikisht, siç ishin hapësirat në brendësi të vendit. Në Dibër apo në Has gjendeshin kufij të bashkëjetesës me pakica sllave, pra serbe, malazeze apo maqedonase.
Kjo afëri jo vetëm inkurajonte përzjerjen nëpërmjet martesave, por edhe i bënte më shumë të hapët e tolerantë me njëri-tjetrin. Ishte kohë kur sadopak mes etnive të ndryshme mbetej shija e mirë, gjë që tre-katër shekuj më pas, kur filloi shteformimi, këto pika kontakti me sllavët në zona të tëra u ashpërsuan.

E jëma, Vojsava, ishte bijë e sundimtarit sllav të Pollogut, territor që sot harmonizon me një pjesë të Maqedonisë dhe pak hapësirë nga Bullgaria. Ndoshta jo patjetër për vetëm këtë arsye në trojet maqedonase të sllavëve princi shqiptar përherë ka qënë një figurë e afërt, thua si të ishte i familjes. Në një dokument të vitit 1852 shënohet se në qytetin e Ohrit ka patur një lagje, e cila mbante emrin e Skënderbeut. Qarkullon edhe një gojëdhënë për këtë. Ohri ishte një qytet pothuaj ushtarak, ku osmanët përqendruan një garnizon mjaft operativ. Ky jo vetëm ruante rrugëkalimin e armatave turke për në veri, drejt Beogradit dhe zëmrës së Evropës, por edhe drejt Lidhjes së Lezhës dhe veçanërisht principatës së Gjergj Kastriotit.

Ndërkohë edhe vetë Skënderbeu të gjitha ushtritë që niseshin posaçërisht kundër tij nga ky drejtim taktik, pasi nisej nga Kruja, i priste në luginat përreth Ohrit. Në të gjitha ato ndeshje kishte fituar. Mbajtja e emrit të tij në një lagje të vendbanimit strategjik buzë liqenit me të njëjtin emër dëshmon se me tepër nga zelli në të kundërt i administratës osmane, ajo ishte dëshirë popullore e banorëve shqiptarë e sllavë të qytetit. 


Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Goditja e organizatës kriminale të Suel Çelës, SPAK: Publikimi i dosjes dëmton procesin hetimor

Goditja e organizatës kriminale të Suel Çelës, SPAK: Publikimi i dosjes dëmton procesin hetimor