DUPONCET, Jean Nicolas.
Pjesë nga parathënia e veprës “Exploits héroiques de Scanderbeg, roi d'Albanie” [Bëmat heroike të Skënderbeut, mbret i Shqipërisë] Paris, 1714.
Në çastin kur vëmendja e Europës është përqendruar mbi Orient, nuk është pa interes të kthejmë vështrimin mbi luftërat e mëdha të shekullit XV. Perandoria osmane, sot aq e dobësuar, sa nuk i ka mbetur veçse marrja në mbrojtje nga Fuqitë e mëdha të Perëndimit, shpaloste atëherë krejt forcën e një kombi ngadhënjyes dhe kërcënonte të pushtonte krishtërimin.
Ndër të gjitha ata që i bënë qëndresë përpjekjeve të muslimanëve u dallua heroi, historinë e të cilit e jep këtu Ati Duponcet: histori e çuditshme dhe aq e jashtëzakonshme sa autorit i është dashur të përligjë vërtetësinë e burimeve nga ka vjelur të dhënat. Dhe këtu po japim të shkurtuar parathënien e Atit Duponcet.
Para tij, Ati Causin, jezuit, e kishte vendosur Skënderbeun ndër heronjtë e tij të krishterë, dhe Z. Campion, e kishte renditur ndër njerëzit më të shquar të tij. Por vepra e të parit nuk ishte veçse një lavd që i nënkupton faktet heroike të atij Shqiptari të ndritur, pa i paraqitur ato, kurse nderimi që i bën i dyti, edhe pse më historik, është një shkurtore e këtyre fakteve që vetëm sa janë dhënë përciptazi, si të ishin prekur në sipërfaqe dhe, si te njëri, si te tjetri, nuk do mund të kënaqej një lexues që kërkon të dijë më në thellësi e të ketë një njohje më të plotë të historisë.
Për të paraqitur sa më mirë pamjen, tiparet, shtatin e një njeriu, që ende nuk e kemi parë, nuk është e mjaftueshme të hidhet vështrimi mbi portretin e tij të përmbledhur, nëse nuk do ta shihnim të pikturuar në përmasa të mëdha dhe krejt të natyrshme; po ashtu, për të patur një mendim të drejtë për një luftëtar të lavdishëm, që nuk e njohim veç nga emri e nga fama, duhet ta ndjekim atë hap pas hapi, si të themi, në krejt rrjedhën e jetës, duke njohur hollësitë dhe rrethanat e krejt aksioneve që ndërmori. Por këtu paraqitet vështirësia për mbledhjen e dëshmive të denja për t'u besuar dhe për t'i ruajtur historisë karakterin e vet thelbësor të vërtetësisë. Ati Duponcet beson se e ka hasur këtë karakter në rrëfimin e një historiani bashkëkohës të quajtur Marin Barlet.
[...]
Libri i Barletit duhet parë si e vetmja vepër që ne kemi për këtë subjekt të dorës së parë. Mund të shprehim ndoshta çudi se, teksa Skënderbeu ndërmori një luftë aq të gjatë, dhe me aq shkëlqim e ngadhënjim, si ka mundësi të gjendet vetëm një autor i kombit të tij që të jetë përkujdesur për të na mësuar rreth personalitetit që kishte. Kësaj vërejtjeje, Ati Duponcet i përgjigjet se pak kohë pas vdekjes së këtij princi, turqit u bënë zotër të krejt Shqipërisë, se ata të pabesë ishin armiq të Letrave, sikundër e dinë të gjithë, se ndaluan fenë e krishterë dhe i detyruan shqiptarët të merrnin doket dhe zakonet e tyre; sepse, në të kundërt, kush do donte të aspironte në fe të mëparshme, do duhej të përballej me ta veç me armë. Në këtë mënyrë, duke qenë krejt
Shqipëria e nënshtruar nga turqit, kush do guxonte të shkruante historinë e një princi që kishte arritur tërë atë lavdi në luftë kundër tyre, me tërë ato beteja në të cilat i kishte mposhtur?
Po prapë, Ati Duponcet bëri kujdes të mos ndjekë hap pas hapi a të përkthejë veprën e Barletit. Ai e pa atë si memorie, nga e cila mori çka ishte e vlefshme, duke i dhënë një formë më të këndshme, duke hequr digresione të kota e duke vendosur kudo rend e qartësi.
Duke iu përgjigjur më pas kritikave për ekzagjerim që i janë drejtuar Barletit nga Z. Sponde, peshkop i Pamiersit, Ati Duponcet kujton bukur në këtë rast një letër të papa Kaliksit III për Skënderbeun. Në atë letër, datuar më 15 qershor 1457, papa i shpreh atij mirënjohjen plot lavd, se i bëri ballë pothuaj i vetëm krejt fuqisë së turqve dhe se gëzohet bashkë me të për famën e madhe që ka krijuar me një vijimësi fitoresh të arritura ndaj të pabesëve.
Në një bref tjetër apostolik, dërguar më 11 shtator të atij viti, për të rigjallëruar Skënder-beun drejt aksionesh të reja, ai vazhdon t'i thurë lavdi, duke iu lutur që të mos kursejë asgjë, që të shkëlqejë edhe më shumë e nëse mundet, të shtojë famën e arritur: "Sepse, vijon ai, nuk ka asnjë në krejt kristianizmin që të mos dijë se çfarë keni bërë ju, që të mos ju ngrejë gjer në qiell me lëvdatat që ju takojnë dhe që të mos flasë për ju si një atlet i vërtetë dhe gjeneral mbrojtës i emrit të krishterë".
Vlen të theksohet se qëkurse u dërguan këto dy Brefe apostolike, Skënderbeu përsëri do të shkëlqente me arritjen e shumë fitoreve, në mbrojtje të Krujës, duke e detyruar dy herë Mehmetin të heqë dorë nga rrethimi i qytetit, krahas aksionesh të tjera të shumta, edhe më të ndritura e më të denja për t'u admiruar nga ato për të cilat flet këtu Kaliksi. Kur të shqyrtojmë se ç'fjalë zgjedh një Papë, armik i çdo ekza-gjerimi e i çdo lajkatarie, për të cilësuar Skënderbeun, që ende ishte, të themi, në mesin e karrierës së tij, a mundet atëherë të hedhim hije dyshimi për autorin e jetëshkrimit të tij, duke pretenduar se ai paska treguar zell të tepruar për lavdinë e heroit që na përshkruan dhe për atdheun e tij, dhe se na i paska tejkaluar kufijtë e së vërtetës? [...]
Përfundimi
[...] Atë çka Mehmeti ndërmori në vitet e fundit të jetës së tij, [pushtimi i Kalabrisë më 1481], një objektiv që i dukej ende i largët, ai do ta kishte realizuar kohë më parë, po të mos kishte hasur rrugës Skënderbeun si një pengesë e pamposhtur ndaj synimeve të veta. Tek rrëzoi fronin e perandorëve të Orientit, i fryrë nga një sukses aq i madh dhe përherë po aq ambicioz sa dhe plot guxim e mendjemadhësi, ai, në rastin më të parë, do t'i kishte kthyer armët dhe përpjekjet kundër perandorisë së Perëndimit dhe rrënimi i kësaj perandorie do të sillte me vete rrënimin e krishtërimit.
Ishte kësisoj vetë Providenca ajo që dha goditjen e saj tek i kundërvuri atij Skënderbeun, si dikur kur ajo i kundërvuri Juda Makabeun qafirit Antiok, për të ndalur ngadhënjimin e tij dhe për të shpëtuar besnikët nga mjerimet e tmerrshme që i kërcënonin. Ja ç'thotë Shkrimi i Shenjtë për këtë hero të popullit Çifut: "Që mblodhi tërë ata që ishin të gatshëm për të vdekur dhe që nën drejtimin e tij, luftëtarët do luftonin për mbrojtjen e Izraelit; që ai ngriti lart dhe përforcoi lavdinë e kombit të tij; që vrumbulliste e ndeshej si luan; që i ndiqte ngado armiqtë e Perëndisë e të popullit të tij dhe që tmerri nga emri i tij i bënte armiqtë të merrnin arratinë; që bëmat e tij kreshnike ishin gëzimi i Jakovit, inati dhe zhgënjimi i mbretërve të pabesë".
E gjithë kjo i përshtatet aq bukur Skënderbeut, sa askush nuk do mund ta përshkruante nën këto tipare, po të mos kishim mundësi të ngrinim vështrimin lart, drejt njeriut të shenjtë për të cilin na flet Shkrimi, apo sikur të mos e hasnim këtë lavd në ndonjë libër më pak të shenjtë.
Kujtimi i Juda Makabeut, shton Shkrimi i Shenjtë duhet të bekohet përjetësisht; mendoj se kështu duhet të jetë edhe për kujtimin e Skënderbeut dhe se të gjithë ata që do të lëçisin këtë vepër, nuk do të harrojnë kurrë kujtimin e një njeriu aq të famshëm sa ishte gjallë në Europë e në Azi, për shumësinë e fitoreve që korri mbi muhamedanët, armiq të betuar të Jezu-Krishtit dhe të Kishës së tij, aq i rekomandueshëm për tërë Krishtërimin.
In sœculum memoria ejus in benedictione . [Qoftë përjetë i bekuar kujtimi i tij].
Pjesë nga libri: “Skënderbeu, Album-Antologji, 1413-2017”.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com