Për shkak të bojkotit, Sali Berisha nuk iu bashkua dot debatit në parlament mbi deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviç për Kosovën.

Por, nga selia e Partisë Demokratike ai kërkoi shpalljen e saj non grata dhe inicimin e një padie ndaj zyrtares serbe për mbështetje të gjenocidit dhe të spastrimit etnik.

“Në aktin më të turpshëm, më vetëposhtërues nuk guxon të shpallë non-grata dhe ai ministri i Jashtëm, turpi i të gjitha kohërave, që nuk guxon të thotë një fjalë ndaj ministres monstër që kërkonte spastrimin etnik të të gjithë shqiptarëve nga Kosova. Ky qëndrim dëshmon fytyrën e vërtetë të regjimit të Tiranës.  Një regjim vasal ndaj Beogradit”, tha Berisha.

Duke u ndalur te Reforma Territoriale për të cilën socialistët do të ecin para pa opozitën me variantin për më pak bashki dhe ndarjen e vendit në rajone, Berisha lajmëron divorcin për një hartë konsensuale.

“Ne e besuam dhe e vlerësuam që të kemi një ndërmjetës, një të urtë, një këshilltar të mençur që ka të gjithë ekspertizën evropiane të reformave territoriale për të bërë më të mirën.  Edi Rama, Partia Socialiste, do të shkojë veçmas. Ajo është pastaj zgjidhja e tyre, jo e jona. Ne qëndrojmë kundër variantit të paraqitur nga ata”, tha kreu i PD.

Shpresa, nuk ka as për një reformë të përbashkët zgjedhore, pavarësisht se punën aty, PD e PS e vijojnë bashkë.

“Rama është i vendosur të mos pranojë asnjë kërkesë të protestës rinore qytetare. Ne i kemi mbështetur të gjitha kërkesat e tyre. Këtu ka një dallim të madh mes nesh dhe atyre”, tha Berisha.

Reforma zgjedhore është dakordësuar që të shtyhet të paktën deri në nëntor, ndërsa javën e ardhshme komisioni i posaçëm do të mblidhet sërish.

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:18
Deklaratat e ministres serbe për spastrimin etnik në Kosovë, Berisha: Ka shprehur mendimin e padronit të Ramës, të shpallet non grata

 

Sali Berisha akuzoi qeverinë se nuk ka reaguar ndaj deklaratave të ministres serbe Snezhana Paunoviç për spastrimin etnik në Kosovë. Berisha tha se ajo ka shprehur mendimet e padronit të Edi Ramës, presidentit serb Aleksandër Vuçit. Si përsëriti edhe njëherë qëndrimin e PD për shpalljen e ministres non grata.

“Ka shprehur mendimin e padronit të Ramës, Aleksandër Vuçiç. Të mbash një montër si ajo në kabinet që shpreh keqardhjen se nuk u kompletua spastrimi etnik në Kosovë, do të thotë të kesh vetë atë mendësi. Së dyti, dënoj më forcën më të madhe heshtjen e turpshme, prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës një ministreje të Beogradit, ndërkohë që shpall non grata qytetarë të Prizrenit pse marrin pjesë në protestë, shpall non grata deputetë të Maqedonisë së Veriut, përfaqësues të shqiptarëve, në aktin më të turpshëm, më vetposhtërues nuk guxon të shpallë non grata dhe ai ministër i jashtëm, turp i të gjitha kohërave që nuk guxon të thotë një fjalë ndaj ministres monstër që kërkonte spastrim etnik të të gjithë shqiptarëve nga Kosova. Ky qëndrim dëshmon fytyrën e vërtetë të regjimit të Tiranës, regjim vasal ndaj Beogradit”, tha Berisha.