Mbetet pa trupë gjykuese procesi që pritet të nisë nga e para në Shkallën e Parë për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Prej 2017-ës zvarritje në dyert e drejtësisë, Apeli vendosi rigjykimin nga e para duke rrëzuar vendimin e pafajësisë për drogë dhe të shpërdorimit të detyrës, por asnjë nga 10 gjyqtarët aktual tek GJKKO nuk mundet të jetë pjesë e rigjykimit. Kjo për shkak se ata e kanë kaluar më herët këtë dosje në gjykim, ndërsa gjyqtarët e rinj kanë refuzuar thirrjen e KLGJ për t’u bërë anëtarë të Gjykatës së Posaçme.

Gjyqtarët refuzojnë të bëhen pjesë në Gjykatën e Posaçme duke mos iu përgjigjur dy ofertave të bëra nga këshilli i lartë gjyqësor, refuzim i cili fut në kolaps dhe procesin ndaj Saimir Tahirit.

Kjo situatë e cila aktualisht ka lënë me 10 gjyqtarë, Gjykatën e Posaçme automatikisht pamundëson dhe rigjykimin e ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, pasi gjyqtarët aktual e kanë gjykuar atë më herët.

Pak ditë më parë apeli i përbërë nga Dhimitar Lara, Albana Boksi dhe Nertina Kosova vendosën rigjykimin e procesit Tahiri por me një tjetër trup në gjykatën e Posaçme. Më 19 shtator 2019 gjyqtarët Ardit Mustafa, Irena Gjoka dhe Flora Haradinaj dënuan ish-ministrin me shërbim prove tre vite për shpërdorim detyre.

Nga procesi i Vettingut, Mustafa është shkarkuar, ndërsa Haradinaj e Gjoka janë sërish por s'mund të jenë pjesë e trupës së re. Gjyqtarja Liljana Baku po ashtu ka gjykuar më herët masën për pasaportën e ish-ministrit Tahiri çka automatikisht sjell përjashtimin e saj.

Gjashtë gjyqtarët e tjerë të mbetur po ashtu janë konsumuar në proceset ndaj Orest Sotës si e Moisi Habilaj dhe Armando Kocerrit, të cilët ishin në të njëjtin procedim të nisur në 2017-ën me numër 313 ndaj Tahirit dhe të dyshuarve si trafikant droge.

Report Tv mëson se pas marrjes së vendimit të arsyetuar nga apeli i gjykatës së Posaçme mbrojtja e ish-ministrit do të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë si dhe do të kërkojë pezullimin e këtij procesi.

Vendimin e arsyetuar të Apelit e ka kërkuar edhe këshilli i lartë gjyqësor i cili do të delegojë gjyqtarë nga gjykatat e rretheve për të vendosur fatin e ish-ministrit të brendshëm, i cili nga viti 2017 zvarritet në dyert e drejtësisë.

Njoftimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor