Mbledhja e 21-të e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit në Strasaburg ka përfunduar pa një deklaratë të përbashkët. PS e PD nuk arritën të gjejnë konsensus as aty, duke i ndarë votat sipas përkatësisë politike, 7 vota pro mazhoranca e 7 kundër opozita.
Deklarata e përbashkët si rregull pritet të miratohet në përfundim të takimeve periodike mes parlamentarëve shqiptarë dhe atyre të Unionit dhe përmban vlerësimet për ecurinë e anëtarësimit në BE dhe rekomandimet për reformat, por këtu palët ndahen.
PD pretendoi se amendamentet e tyre që synonin intensifikimin e luftës kundër korrupsionit, heqjen dorë nga mbrojtja politike që u ofrohet zyrtarëve të akuzuar për korrupsion si dhe zbatimin e vendimeve të gjykatave u rrëzuan.
“Kryeministri urdhëroi shumicën për të mbrojtur krahun e tij të djathtë, edhe pasi vetë SPAK deklaroi publikisht se mungesa e masës së sigurimit dëmtonte hetimin. Ky është një moment që ngre një pyetje themelore: a përdoret shumica parlamentare për të mbrojtur institucionet apo për të mbrojtur pushtetin nga veprimi i ligjit?”, tha Gazment Bardhi.
Në deklaratën zyrtare të PD thuhet se integrimi s'mund të realizohet mbi propagandë, por reforma reale dhe të prekshme.
"Komiteti Parlamentar për Stabilizim-Asociim Shqipëri–Bashkimi Evropian nuk arriti të miratojë një rezolutë të përbashkët për procesin integrues të Shqipërisë. Arsyeja ishte refuzimi nga përfaqësuesit e mazhorancës i më shumë se 30 amendamenteve të paraqitura nga Partia Demokratike, amendamente që në thelbin e tyre përmbanin kriteret dhe kërkesat jetike për avancimin e procesit të integrimit evropian.
Mazhoranca votoi kundër propozimeve që synonin intensifikimin e luftës kundër korrupsionit, heqjen dorë nga mbrojtja politike që u ofrohet zyrtarëve të akuzuar për korrupsion, zbatimin e vendimeve të gjykatave, në veçanti të Gjykatës Kushtetuese, si dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit, transparencës dhe llogaridhënies. Këto janë standarde themelore që Bashkimi Evropian i konsideron të domosdoshme për ndërtimin e një shteti të së drejtës dhe për përparimin e procesit të integrimit.
Amendamentet e Partisë Demokratike morën mbështetjen e europarlamentarëve në Komitetin Parlamentar për Stabilizim-Asociim Shqipëri–Bashkimi Evropian, por u refuzuan në mënyrë të përsëritur nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste.
Përfaqësuesit e Partisë Demokratike në Komitet ritheksuan qëndrimin e tyre të palëkundur për të bërë gjithçka në funksion të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë. Megjithatë, integrimi nuk mund të ndërtohet mbi propagandë apo deklarata politike, por vetëm mbi reforma reale dhe të prekshme për qytetarët shqiptarë. Lufta pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, respektimi i shtetit të së drejtës, zbatimi i vendimeve të gjykatave dhe rritja e standardeve të jetesës janë kushtet e vetme për ta çuar Shqipërinë drejt Bashkimit Evropian", thotë PD.
Por në një intervistë për Report Tv nga Strasburgu deputeti socialisti Erion Malaj i hodhi poshtë këto pretendime.
“Kemi miratuar disa nga amendamentet e tyre”, u shpreh Malaj.
Sipas PS, “deputetët e PD zbatuan urdhrin e Saliut” duke votuar kundër Shqipërisë në BE.
"Sot në Strasburg në mbledhjen e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–Bashkimi Evropian, deputetët e Partisë Socialiste dhe të gjithë eurodeputetët votojnë pro Rekomandimeve në mbështetje të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, deputetët e PD zbatuan urdhrin e Saliut, siç e kishin bërë me dije, duke votuar kundër Shqipërisë në BE. Partia Socialiste nuk paraqiti asnjë amendament në tekstin e propozuar nga Sekretariati i KPSA-së, pikërisht sepse atij teksti iu bashkëngjitën dy dokumente themelore: Rezoluta e Parlamentit Europian për Shqipërinë dhe Rezoluta e miratuar me konsensus nga Kuvendi i Shqipërisë për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Në këto kushte, përsëritja e përmbajtjes së këtyre dy rezolutave, duke hequr njëkohësisht pjesët që evidentojnë qartësisht ecurinë pozitive të Shqipërisë në këtë rrugëtim, nuk kishte as kuptim politik, as logjikë institucionale dhe as vlerë shtesë për tekstin e përbashkët. Është po ashtu e rëndësishme të theksohet se një numër amendamentesh të propozuara nga Partia Demokratike u mbështetën dhe u votuan edhe nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste, pikërisht në frymën konsensuale që duhet të karakterizojë një proces kaq të rëndësishëm sa anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Nga ana tjetër deputetët e Partisë Socialiste votuan një pjesë të amendamenteve të Partisë Demokratike, me perjashtim te formulimeve që nuk pasqyronin frymën e një dokumenti të përbashkët parlamentar. Nuk mund të pranohej tentativa për të deformuar balancën e dokumentit, përmes përjashtimit të plotë të çdo reference që pasqyron progresin e njohur dhe të çertifikuar nga raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë dhe njoftimin për përmbylljen e kapitujve të negociatave. Procesi i anëtarësimit nuk i shërbehet duke mohuar arritjet e vendit, por duke ndërtuar mbi to, me seriozitet, përgjegjësi dhe vullnet bashkëpunimi. Partia Socialiste mbetet e angazhuar për të mbështetur çdo tekst, çdo qëndrim dhe çdo mekanizëm bashkëpunimi që i shërben realisht avancimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, mbi bazën e fakteve, standardeve dhe rezultateve konkrete të këtij procesi", shprehet PS.
Megjithatë, kjo mbledhje nuk i shpëtoi debateve për protestën dhe projektin e Zvërnecit që u kthye në një çështje ndërkombëtare.
Një prej eurodeputeteve, pjesë e delegacionit të të gjelbërve që vizituan Shqipërinë, kishte rezerva të forta mbi qëndrimin e qeverisë shqiptare.
“Një proces që ka të bëjë me integrimin në BE. Flas këtu për mbrojtjen e natyrës dhe turizmin e qëndrueshëm. Kemi dëgjuar nga Ministri se nuk është dhënë një lejë ndërtimi por rruga brenda zonës së mbrojtur ishte rreth 60 km. Bëhet fjalë për një prej ekosistemeve të dunave që është hequr tashmë, kemi dhe ligatinat që janë hequr. Kemi identifikuar edhe makineri për të bërë ndërtime. Në Europë nëse nuk jepet leja kjo nuk ndodh. E kemi pyetur ministrin që si ka mundësi që për 1 muaj është bërë kjo punë, përgjgja ishte e vështirë për ta kapërditë, tha që nuk jemi akoma pjesë e BE-së”, tha Cristina Guardia.
I pakursyer në përgjigje ndaj saj ishte Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar të PS.
“Do ju ftoja të vinit të realizonit një mision faktmbledhës të gjithë bashkë, jo për të marrë like, por për të parë si është situata në terren. Është shumë e rendësishme që informacioni që ju jepet nga institucionet tona ta sillni këtu siç u është dhënë. Informacioni i dhënë nga ministri nuuk është paraqitur në mënyrë të plotë. Ajo çfarë u tha nuk ishte e saktë. Nuk ka leje të dhënë ende. Ndikimi mjedisor do të vlerësojë ndikimet e mundshme në habitat dhe burimet ujore. Do ketë transparencë me komunitetin lokal”, tha Balla.
Debatet për projektin e Zvërnecit ishin edhe një ditë më parë kryefjalë e diskutimeve në Strasburg, ndërsa opozita akuzoi mazhorncën se po bllokon llogaridhënien dhe nuk lejon debatin në parlament.
Lajm në përditësim...

Kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla ka replikuar sot me eurodeputetin Fredi Beleri nga gjatë seancës në Strasburg.
Beleri komentoi protestat që po zhvillohen në Shqipëri duke thënë se qeveria po përpiqet të heqë fokusin nga problematikat e brendshme duke fajësuar fqinjët për nxitje të tyre.
“Shumica e njerëzve që dolën në demonstrata janë shqiptarë që kanë protestuar për mungesë të transparencës, korrupsionit, për largimin e të rinjve dhe për keqqeverisje. Qeveria do t’i hedhë sytë diku tjetër duke thënë se këto probleme vijnë nga fqinjët. Duhet të përfundojë helmimi i shoqërisë nëse duhet të bashkëjetojmë si anëtarë të BE. Shpresoj të përqendrohemi në gjërat që na bashkojnë dhe jo në ato që na ndajnë”, tha Beleri.
Pasi Fredi Beleri mbaroi fjalën, Balla replikoi duke e korrigjuar: “Zoti Beleri, të gjithë ata që janë në protestë janë shqiptarë. Se mos u është përkthyer keq”, mësohet të ketë thënë Balla.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në mbledhjen e Këshillit të Stabilizim Asociimit në Parlamentin Europian, është shprehur se në Shqipëri është zhbërë shteti ligjor.
Gjatë fjalës së tij, Bardhi përmendi rastin ‘Balluku’ si shembullin se shteti ligjor në Shqipëri nuk funksionon.
“Kur SPAK kërkoi autorizimin e Kuvendit për të vijuar procedurat ndaj një prej zyrtarëve më të lartë të qeverisë shqiptare, zëvendëskryeministres Belinda Balluku, shumica parlamentare përdori votën si mburojë politike. Kryeministri urdhëroi shumicën për të mbrojtur krahun e tij të djathtë, edhe pasi vetë SPAK deklaroi publikisht se mungesa e masës së sigurimit dëmtonte hetimin.
Ky është një moment që ngre një pyetje themelore: a përdoret shumica parlamentare për të mbrojtur institucionet apo për të mbrojtur pushtetin nga veprimi i ligjit? Rasti Balluku nuk ishte vetëm një debat i brendshëm politik. Ai ekspozoi një problem që sot është reflektuar edhe në kriteret (benchmarks) e Bashkimit Europian për mbylljen e Grupkapitullit të Themeloreve: nevojën që ekzekutivi dhe legjislativi të mos ndërhyjnë në drejtësi dhe që vendimet për imunitetin të udhëhiqen nga standardet e Komisionit të Venecias”, tha mes të tjerash Bardhi.
Më pas Bardhi foli edhe për krimin e organizuar, ndikimin e tij në shoqëri dhe lidhjet me pushtetarët.
“Dy nga urdhër-arrestet më të rëndësishme për krimin e organizuar në Shqipëri, ai ndaj drejtuesit të bandës së Elbasanit dhe ai ndaj personit që konsiderohej koordinatori jozyrtar i Kryeministrit, mbeten ende të paekzekutuara. Vendndodhja e tyre është prej kohësh sekret publik në zemër të Shqipërisë, por policia nuk i gjen. Kjo është e vështirë të shpjegohet me mungesë informacioni. Ajo ushqen bindjen se ligji ndalet aty ku fillon interesi politik i pushtetit”, shtoi Bardhi.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka folur në Parlamentin Europian edhe për investimin në Zvërnec dhe aeroportin e Vlorës.
Balla tha se në vendin ku aktualisht po ndërtohet aeroporti i Vlorës, ka pasur me parë një aeroport të ndërtuar nga italianët.
Sipas Ballës, nuk është ndikimi mjedisor shkaku për kundërshtimin e ndërtimit të aeroportit në Vlorë, por konkurrenca nga vendet fqinje.
Më tej Balla ftoi eurodeputetët e Parlamentit Europian që të krijonin një mision faktmbledhës, për të parë nga afër si është situata në Zvërnec dhe në vendin ku është ndërtuar aeroporti.
“Nga Parlamenti i Shqipërisë edhe unë jam regjistruar të them 2 fjalë lidhur me këtë temë. Është bërë qëllimisht që 2 parqet, i Vjosës dhe i Nartës të ‘bashkohen’ dhe të përmenden në një. Ne jemi i vetmi vend që ka një park të tillë në Europë si Vjosa. Ju duhet të mësoni nga ne, mos na jepni mësime. Lidhur me Aeroportin e Vlorës, duhet ta dini që aty ka pasur një aeroport shumë kohë më parë. Ka qenë një aeroport i ndërtuar nga italianët. Ne na nevojitet një port në jugun e Shqipërisë dhe lufta për aeroportin e Vlorës nuk ka të bëjë me çështjet mjedisore, por lidhet me konkurrencën. Neve na nevojitet një aeroport në jug. Shpresojmë që vitin që vjen të kemi mundësi të fluturojmë nga Vlora në Strasburg. Do ju ftoja të vinit të realizonit një mision faktmbledhës të gjithë bashkë, jo për të marrë like, por për të parë si është situata në terren”, tha mes të tjerash Balla.
Më tej, duke folur për ‘Zvërnecin’, Balla tha se ende nuk ka një leje të dhënë për ndërtimin e resortit, teksa shtoi se do të studiohet ndikimi që investimi do të ketë në mjedis.
Balla shtoi se qëllimi i Qeverisë është promovimi i turizmit të qëndrueshëm, për hapjen e sa më shumë vendeve të punës.
“Në vitin 2014 ne prezantuam moratoriumin e gjuetisë për të ruajtur jetët e flamengove. 21.7% e gjithë territorit të vendit tonë është zonë e mbrojtur. Kemi 12 parqe kombëtare kategoria 2, kemi 11 pejsazhe të mbrojtura. Sipërfaqja e tokës të cilën ju përmendët, është tokë private. Ajo çfarë u tha nuk ishte e saktë. Nuk ka leje të dhënë ende. Ndikimi mjedisor do të vlerësojë ndikimet e mundshme në habitat dhe burimet ujore. Do ketë transparencë me komunitetin lokal. Qëllimi ynë është të promovojmë turizmin e qëndrueshëm, që hap vende pune. Sepse kemi nevojë për më shumë vende pune. Jemi të bindur që të thithim investime dhe do të garantojmë dhe mbrojmë të gjitha aspektet mjedisore. Lufta më e madhe për demokracinë është luftë kundër dezinformimit dhe është një luftë që duhet ta realizojmë të gjithë bashkë”, shtoi Balla.
Komente








Bravo! Nuk duam Europe pa u arrestuar Belind Balluku
PërgjigjuE kuptoni,Gaz Bardhi referon ne PE?Duhet me ik me vrap.
PërgjigjuDeputet e opozites paguhen nga populli me nje rroge shume te madhe dhe gjithe diten nuk bejn asjne pune.Shkojn dalin neper kanale shpifin gjithe diten dhe paguhen dhe nga kanalet per shpifjet, organizatoret e vertet te protestes " paqesore " me litare dhe arkivole!!Shkuan ne Bruksel me biletat te paguara ,hotelin ,ushqimin ,kafet ,ujin dhe ne fund te vetmen pune qe duhet te benin ishte ngritja e kartonit per fatin per te ardhem e Shqiperis dhe votuan kunder!! Tradhetaret e pa bese te historis shqiptare!! Shifini kush ishin perfaqesuesit e opozites ne Bruksel dembelet e Stambollit dhe shpifanjoset e shtepis se shtrigave te familjes Berisha!Te ajo godina ku jane zyrat e opozites te behen zyrat e Natos dhe zyrat e tyre ti cojm ne Kukes ose Tropoj se e injorojn qyteterimin dhe kulturen e Tiranes ose te shkojn te pallati Sales se me leket e grabitura nga populli e ka bere.
PërgjigjuMere populli yne me cfare ka te beje te shkosh edhe ne patlamentin europian e te votosh kundra kjo eshte kulmi. Mos bofshihit hajer ò njerezkoti
PërgjigjuUrrejtja e ashtu quajtur opozites ndaj Shqiperise
Përgjigju