Deputeti socialist Erion Malaj ka folur nga Parlamenti Europian për emisionin 'Sot Live në Shqipëri' me gazetarin Nertil Agalliu në Report Tv, ku komentoi mos-arritjen e dakordësisë mes PS dhe PD, për miratimin e deklaratës së përbashkët në Komitetin e Stabilizim Asociimit.
Malaj tha se opozita me qëndrimet e saj populiste, nuk është e interesuar për integrimin europian të Shqipërisë dhe për problematikat reale të vendit tonë.
“PS mbetet e angazhuar për të mbështetur çdo mekanizëm bashkëpunimi, që i shërben realisht anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Është shumë e rëndësishme të dihet se ka një gjuhë zyrtare për propozimin e amendamenteve. Dje dhe sot, me qëndrimet që ka pasur opozita ka qenë në të njëjtën linjë me qëndrimet e saj, fjalimet më tepër populiste sesa me qëllimin për të folur për problematikat dhe arritjet e Shqipërisë në këtë proces. Do të duhet që të gjithë bashkë të ndërtojmë me bashkëpunim këtë proces, ndërkohë që ata kanë hedhur vetëm baltë prej kohësh”, tha mes të tjerash Malaj.
Më tej Malaj deklaroi se përfaqësuesit e mazhorancës kanë shpjeguar në Parlamentin Europian procedurat që janë ndjekur për ‘Zvërnecin’.
Sipas Malajt, një pjesë e eurodeputetëve ishin të keq-informuar përsa i përket kësaj çështjeje. Ai tha se ka një ngatërresë mes zonës së Pish-Poro Nartës me Vjosën.
Më tej Malaj shtoi se faktori ndërkombëtar u habitën kur opozita votoi kundër deklaratës së përbashkët. Sipas tij, ata e kanë kuptuar se opozita vijon të përdorë për politikë të brendshme, çështjet e integrimit europian.
“Përfaqësuesit e Qeverisë kanë shpjeguar procedurat që janë ndjekur për Zvërnecin. U përpoqëm t’i vëmë në dijeni për disa fakte, sepse kishte edhe informacione të gabuara. Shpesh shumë eurodeputetë e ngatërrojnë zonën e Pish-Poro Nartës me Vjosën. Unë i pashë sytë e ndërkombëtarëve kur gjatë momentit të votimit panë që opozita votoi kundër. Ishin të habitur dhe na thanë se kjo është edhe humbje kohe për ta. Kishin bërë një sërë amendamentesh. Kur panë që i gjithë mundi edhe i tyre u hodh poshtë, sigurisht që nuk u ndjenë mirë. E kanë shprehur qartë se opozita vazhdon të përdorë për politikë të brendshme edhe çështjet e integrimit europian”, shtoi Malaj.
Procesi i votimit të deklaratës së përbashkët në Komitetin e Stabilizim Asociimit kërkon shumicë të dyfishtë, pra shumicën e anëtarëve të delegacioni shqiptar prej 14 deputetësh (7 të PS dhe 7 të PD) si dhe 14 eurodeputetë të PE.
Deklarata nuk ka arritur të marrë shumicën e votave nga delegacioni shqiptar, pasi votat u ndanë të të tillë mënyrë: 7 vota pro PS dhe 7 kundër PD. As delegacioni i PE nuk arriti të bënte shumicën dhe deklarata e përbashkët arriti të merrte vetëm 5 vota të eurodeputetëve.
Deklarata e përbashkët e Komitetit (ose Këshillit) të Stabilizim-Asociimit (KSA) është dokumenti zyrtar që miratohet në përfundim të takimeve periodike mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Ajo përmban vlerësimet për ecurinë e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE dhe rekomandimet për reformat, por nuk ka arritur të miratohet.
Komente








