'S'ka libra nga ASA', MAS i përgjigjet akuzave të studiuesit Afrim Krasniqi: Kemi marrë konsultime për titujt, mos na përbaltni punën

'S'ka libra nga ASA', MAS i përgjigjet akuzave të studiuesit Afrim Krasniqi: Kemi marrë konsultime për titujt, mos na përbaltni punën

Akuzave të një dite më parë të studiuesit dhe historianit Afrim Krasniqi ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për procedura jo transparente në lidhje me listën paraprake të librave për bibliotekat e shkollave, u është përgjigjur Drejtori i Drejtorisë së Politikave të Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, njëherësh drejtues i bordit për listën rekomanduese të titujve për bibliotekat e shkollave, Shkëlqim Allkaj.

Në cilësinë e drejtuesit të grupit të punës, Allkaj sqaron se MAS ndërmori nismën për rishikimin listës së miratuar në vitin 2021 me qëllim që të hartohet një listë me tituj librash që t’u shërbejë realisht nxënësve dhe mësuesve, por edhe të jetë sa më e pranuar nga grupet e interesit.

Ai shton se fakti që MAS e ka bërë publike këtë listë, duke kërkuar sugjerime, mendime e propozime nga kushdo që ka interes për këtë proces, tregon të kundërtën e asaj që z. Krasniqi thotë në postimin e tij, ku flet për mungesë transparence për “grupime të dyshimta”, apo duke prekur çështje të tjera që nuk kanë lidhje me bibliotekat e shkollave.

“Nëpërmjet rrjeteve sociale u njoha me një postim të z. Afrim Krasniqi i cili akuzon Ministrinë e Arsimit dhe Sportit për procedura jo transparente në lidhje me listën paraprake të librave që do të rekomandohen për bibliotekat e shkollave, listë e cila është publikuar në uebin (web) zyrtar të ministrisë.

Në cilësinë e drejtuesit të bordit për listën rekomanduese të titujve për bibliotekat e shkollave, si dhe në respekt të opinionit publik, të nxënësve dhe prindërve të tyre, të mësuesve dhe të z. Krasniqi si një studiues e profesor i njohur sqaroj se:

Qëllimi kryesor i funksionimit të bibliotekave në shkolla është realizimi me efektivitet i programit mësimor, nëpërmjet shfrytëzimit të titujve që gjenden në fondin e tyre. Gjithashtu, nëpërmjet tyre synojmë nxitjen tek nxënësit të dëshirës për lexim. Bibliotekat mund të shërbejnë edhe për zhvillimin profesional e personal të mësuesve.

Ministria përgjegjëse për arsimin që nga viti 2002, ka hartuar dhe miratuar titujt e librave për bibliotekat e shkollave. Lista e fundit me 630 tituj është miratuar në vitin 2021. Kjo listë u përzgjodh nga dy borde, njëri për literaturën shkencore e didaktike dhe tjetri për literaturën artistike, anëtarët e të cilëve ishin pedagogë e studiues të njohur. Edhe pse bënë një punë të vështirë dhe profesionale, përsëri gjuha e akuzave, dyshimeve dhe e përbaltjes nuk mungoi.

Me qëllimin e vetëm që të hartojmë një listë me tituj librash që t’u shërbejnë realisht nxënësve dhe mësuesve, por edhe të jetë sa më e pranuar nga grupet e interesit, MAS ndërmori nismën për rishikimin listës së miratuar në vitin 2021.

Për këtë qëllim kërkuam nga rrjetet profesionale të mësuesve (mësuesit e të gjitha lëndëve, në të gjitha zyrat arsimore të vendit janë të organizuar në rrjete profesionale), dhënien e propozimeve për titujt që ata vlerësojnë se i shërbejnë mësimit dhe edukimit të nxënësve të çdo moshe, dhe që ata vlerësojnë se duhet të jenë në bibliotekat e shkollave. Bazuar në këtë kërkesë të MAS, mësuesit në të gjithë vendin propozuan një listë me 750 tituj. Po me kërkesë të ministrisë, Shoqata e Botuesve Shqiptarë dërgoi zyrtarisht propozimin e saj prej 930 titujsh, ndërkohë që Shoqata e Botuesve të Teksteve Shkollore propozoi 230 tituj. Për shqyrtimin e këtyre propozimeve u ngrit një bord, i cili në përfundim të detyrës së ngarkuar, hartoi një listë paraprake me 500 tituj, e cila tashmë është publikuar për konsultim.

Fakti që MAS e ka bërë publike këtë listë, duke kërkuar sugjerime, mendime, propozime etj, nga kushdo që ka interes për këtë proces, tregon të kundërtën e asaj që z. Krasniqi thotë në postimin e tij, ku flet për mungesë transparence për “grupime të dyshimta”, apo duke prekur çështje të tjera që nuk kanë lidhje me bibliotekat e shkollave.

Mësuesit jo vetëm që nuk mund të quhen grupime propozuesish të dyshimtë, por ne mendojmë se ata si njohësit dhe zbatuesit e drejtpërdrejtë të programit mësimor lëndor, janë më afër se kushdo për përcaktimin e titujve që duhet të jenë në shkollë. Gjithashtu vlerësojmë se botuesit nëpërmjet shoqatave të tyre, por edhe individualisht kanë rol domethënës në dhënien e propozimeve për titujt e bibliotekave të shkollave.

Pavarësisht kësaj, ne i kërkojmë kujtdo që para se të akuzojë apo të përbaltë punën e bërë në këtë drejtim, të dërgojë zyrtarisht listën e librave që propozon të jenë në bibliotekat e shkollave, si dhe titujt që mendon se nuk duhet të jenë, duke dhënë edhe argumentet përkatëse për propozimet e bëra.

Faleminderit!”- tha Allikaj

Drejtori i Institutit të Historisë, studiuesi Afrim Krasniqi në një shënim në rrjetet sociale ka ngritur shqetësimin në lidhje me listën e bërë publike nga Ministria e Arsimit me 500 libra që rekomandohen për t'u përfshirë në fondin e bibliotekave të shkollave.

Sipas studiuesit, lista, krahas gjysmës së saj pozitive, ka edhe një numër të madh autorësh dhe botimesh me natyrë marketingu, të botuara me qëllim audience, pa asnjë filtër shkencor dhe kryesisht me autorë amatorë. Sipas Krasniqit, në librat e preferuara të Ministrisë së Arsimit, nuk bën pjesë asnjë libër nga institucionet albanologjike, instituti i historisë, gjuhësisë, letërsia, antropologjia apo instituti arkeologjik.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Acarohen gjakrat te sheshi Uilson, policia shtyn protestuesit, tentohet shpërndarja! Përplasje me deputetet Ina Zhupa dhe Erisa Xhixho, shoqërohet një protestues

Acarohen gjakrat te sheshi Uilson, policia shtyn protestuesit, tentohet shpërndarja! Përplasje me deputetet Ina Zhupa dhe Erisa Xhixho, shoqërohet një protestues