Karriera e një gruaje/ Enkelejda Deliallisi, kirurgia nga Shijaku që bëhet shefe e kirurgjisë në Ontario, Kanada

Karriera e një gruaje/ Enkelejda Deliallisi, kirurgia nga Shijaku që bëhet shefe e kirurgjisë në Ontario, Kanada

Jeta Dedja dhe mjekja Enkelejda Deliallisi

“Pyetësori i Jetës” është përgatitur nga gazetarja Jeta Dedja. Çdo javë, personazhe nga diaspora Shqiptaro-Kanadeze do të ndajnë mendimet e tyre me lexuesit.

Sot e ftuar është Dr. Enkelejda Deliallisi - Kirurge e Përgjithshme, Richmond Hill, Ontario. Dr. Eda flet për herë të parë në një media. Ajo është një profesioniste e shkëlqyer në fushën e mjekësisë, e cila më së fundi ka vendosur të pranojë edhe pozicionin e shefes së kirurgjisë në spitalin ku ajo punon prej disa vitesh.

1. Dr. Eda, nëse emocionet kanë ngjyrë, çfarë ngjyre ndihesh sot?

Emocionet ndryshojnë në varësi të momentit dhe vendit ku je. Në këtë moment emocionet e mia kanë ngjyrë rozë, pavarësisht nga bardhësia që na rrethon.

2. Me çfarë shpejtësie kanë ecur 10 vitet e fundit të jetës tënde?

Këto 10 vitet e fundit kanë kaluar me një shpejtësi marramendëse, si në familje dhe në profesion. Vajzat, që për mua janë akoma të vogla, tani po vendosin në çfarë Universiteti do shkojnë dhe vitin e ardhshëm shkollor do na mungojnë. Në profesion, nga një prej kirurgeve më të reja të grupit, tani jam ajo me më shumë vite në punë, dhe në Korrik do jem Shefja e Kirurgjisë së Përgjithshme për spitalin ku punoj. Gjë që e pata refuzuar para 5 viteve për të qenë më afër vajzave gjatë adoleshencës.

3. Cila ka qenë zgjedhja me koston më të lartë?

Kjo ka qenë gjatë viteve të specializimit në Universitetin e Torontos, kur dërgova vajzat në Shqipëri tek prindërit e mi për një vit. Vajzat binjake ishin 2 vjeç dhe në atë kohë unë isha senior resident, që kërkonte dedikim 24 orë në 24 orë. Kjo kosto e lartë pati të mirën e vet se arrita të jap maksimumin tim dhe të siguroja në të ardhmen pozicionin e punës ku jam tani. Megjithatë, ky moment do mbetet përsëri diçka që sa herë e kujtoj, ndjej një shtrëngim në zemër. Nuk ka sukses pa një sakrificë...

4. Humbja më e vogël?

Humbja më e vogël ka qenë në Shtator 1995 kur konkurova në QSUT në Tiranë për pozicionin e pedagoges dhe zura vendin e katërt e nuk munda të zgjidhja specialitetin që doja. Atëherë kisha fituar bursën e Ambasadës italiane për kirurgji dhe vendosa të lë Tiranën dhe të zgjedh Italinë. Kam vajtur me gjysëm zemre, pa e kuptuar që ajo që ndodhi ishte gjëja më e mirë që mund të më ndodhte në jetë. E adhuroj kirurgjinë dhe këtu jam vetvetja. Falenderoj Zotin që nuk fitova atë që doja në Tiranë dhe jam tani këtu në Kanada.

5. Gjëja e fundit që të ka gërryer shpirtin e trazuar gjumin?

Situata e Covid-19. Ndryshe nga e gjithë pjesa tjetër e popullatës, mua ashtu si dhe kolegë të mi, më është dashur të ndërpres çdo lidhje fizike me shoqërinë dhe miq të mi, pasi punoj me pacientë me imunitet të ulur (pacientë të kancerit të zorrës, stomakut dhe të gjoksit). Nuk do e harroj asnjëherë operacionin e parë që bëra në një pacient të urgjencës me Covid. Ishte Prill 2020 dhe nuk ishim shumë të informuar për rreziqet e virusit gjatë operacionit nën anastezi të përgjithshme. Një operacion që bëhet për 30 minuta, u bë për 1 orë dhe nuk do harroj stresin gjatë heqjes së përparëses, maskës dhe dorezave pas operacionit (dihet për ne që ky është momenti që mund të kontaminohesh). Kirurgu nuk vishet me ato pajisjet e bardha që shihen në TV dhe që është lehtë të hiqen. Atë natë kam fjetur në basement me frikën që mund të infektoja bashkëshortin tim, Hajron.

6. Cilës ndjesi/gjendjeje do doje t'i arratiseshe?

Do doja t’i arratisesha vetmisë. Më pëlqen jeta me njerëz, jam një “city girl” dhe asnjëherë nuk mund ta mendoj veten në një shtëpi të izoluar larg nga të tjerët. Profesioni më bën që të shoh së paku 70 pacientë në javë (në kohe epidemie 20-25 vetë në javë). Shpresojmë për të gjithë që kjo periudhë e papreçedent të kalojë sa më shpejt.

7. Ç'dobi mund t'i sjellë njeriut mërzia?

Askush nuk do dojë të ketë mërzi në jetë, por s’ka jetë pa probleme. Mërzia të bën të vlerësosh lumturinë ose çaste të lumtura të jetës. Njeriu duhet që dhe në momente mërzie, të kujtojë çaste të lumtura të jetës. Vetëm kështu mund ta kalosh mërzinë.

8. Cili është stimulanti më i fortë që ndez qënien tënde?

Vajzat e mia. Dikur ishte salla e operacionit, një rast kirurgjikal i vështirë apo i komplikuar. Tani janë vajzat më forcën dhe energjinë e tyre, me argumentat që të bëjnë të mendohesh mirë para se të japësh një opinion.

9. Çfarë bën për t'u ndjerë në formë fizike/shpirtërore?

Në momente qetësie dhe kohë të lirë gjithmonë lexoj libra. Romanet kanë qenë “oazi” i qënies sime. Aty gjej qetësinë shpirtërore. Mamaja ime gjithmonë përmendte Maksim Gorkin: “Kur lexon një libër, hapet një dritare për të parë botën”. Nga ana fizike, mundohem të gjej kohë tre ditë në javë për yoga dhe elliptical. Kuptohet në punë jam në lëvizje të vazhdueshme dhe kaloj orë të gjata në këmbë.

10. Si reagon ndaj një pritjeje të gjatë?

Të rritur në Shqipërinë komuniste jemi mësuar me pritje të gjata. Kujtoj rradhat e kosit, të vajgurit ose të gjizës kur isha e vogël. Nuk reagoj ndaj një pritjeje të gjatë, por ama shpreh indinjimin tim nëse dikush nuk e respekton rradhën.

11. Si i dallon njerëzit e mënçur?

Populli thotë: “Kalliri i mbushur mban kokën poshtë”. Njeriu i mençur dallohet qysh në komunikimin e parë, është i thjeshtë dhe nuk ka sjellje narcisiste. Dëgjon, diskuton dhe respekton mendimin e të tjerëve.

12. Për çfarë të pëlqen të flasësh më shumë me miqtë?

Siç e përmenda më parë, më pëlqejnë njerëzit dhe shoqëria. Adaptohem lehtë dhe mundohem të flas për çdo subjekt që kam interes ose miqtë e mi shprehin interes. Mjafton të jem në praninë e miqve e shoqëruar me një gotë verë.

13. Profili i “mikut” të padëshiruar?

Mosmirënjohësi dhe hipokriti. Përbuz vulgaritetin dhe cinizmin.

14. Cila është formula e njeriut të mirë?

Njeriu i mirë është ai që të respekton, të dëgjon dhe të mbështet në jetë. Është njeriu që është gjithmonë pranë teje kur ke nevojë ose je në vështirësi. Një njeri që shikon vetëm të mira te të tjerët.

15. Përkufizimi i budallallëkut?

Budallallëku është një veprim ose sjellje e kryer pa inteligjencë, e nxituar dhe pa arsye, me një përfundim që nuk ndihmon askënd, madje që rezulton në humbje. Një veprim i kotë pa rezultat.

16. Çfarë nuk do t'ia uroje as "hasmit"?

Vdekjen. Jetën dhe vdekjen nuk e përcakton njeriu. Për një njeri të lig, vdekja është gjëja më e vogël dhe e shpejtë që mund të marrë si ndëshkim.

17. Një rast tipik kur të vjen për të sharë?

Rallë shaj, sepse siç e përmenda, më sipër, e përbuz vulgaritetin. Nuk shaj asnjëherë në shqip. Infermierët e sallës e dinë, që nëse kam një rast të vështirë, nuk komunikoj me asnjë, është qetësi absolute në sallë, ndalohet muzika dhe vetëm në fund kur e realizoj atë që duhet, shfryhem dhe shprehem, në anglisht, me një fjalë të vetme që ka lidhje me jashtëqitjen. Kjo ndodh shumë rrallë.

18. Urimi që merr e jep më shpesh?

“Jetë të gjatë dhe lumturi në jetë”. Ky është urimi që marr nga prindërit, miqtë dhe të afërmit. Ky është dhe urimi që i jap, me gjithë zemër, gjithkujt që njoh dhe takoj në punë, shoqëri dhe kudo.

19. Cili është vendi që të qetëson sapo e sjell ndërmënd?

Vendi që më qetëson sapo e sjell ndërmend është buza e detit, në mëngjes ose në mbrëmje, në një det të qetë në një anë dhe palmat në anën tjetër.

20. Po libri që ke për zemër?

Kur isha në tetëvjecare, libri që më pëlqente ishte “Sekreti ushtarak” i Lev Shejnin. Ky është i vetmi libër që mora me vete nga biblioteka e prindërve të mi. Tani që e lexoj me syrin e të rriturit, çuditem me zgjedhjen time të atëhershme. Tani mund të them që libri që unë e lexoj dhe nuk lodhem së rilexuari është “Pride and prejudice”. I kam blerë të gjitha variantet e filmit për këtë libër.

21. Kënga që të vjen më shpesh në mendje?

Ricardo Coçiante: “Margarita”. Më ka pëlqyer gjithmonë muzika italiane dhe mezi prisja të shihja Sanremon çdo vit.

22. Udhëtimi që nuk është ndërmarrë ende?

Azia është udhëtimi që nuk është bërë akoma. Vajzat kanë shprehur idenë të shohim Singaporin apo Tajlandën. Ky udhëtim është në planet tona të ardhshme.

23. Pema që të kënaq syrin?

E vogël magjepsesha me shelgjet lotuese në Tiranë dhe Pogradec. Ata mbeten akoma dhe sot e kësaj dite pema ime e preferuar.

24. Nata perfekte e dimrit kanadez?

Ulur në dhomën e ndenjes, me familjen, secili në kolltukun e vet, shtrirë, me një kakao të ngrohtë në dorë, një pjatë me brownies të gatuara nga Angela, vajza ime, dhe duke parë “Modern family” së bashku. Me Buttons (qenin tonë) në kolltukun pranë oxhakut.

25. Produkti që nuk do të doje të mungonte kurrë në dyqan?

Me thënë të drejtën nuk më vjen ndonjë gjë në mendje në këtë moment. Më pëlqejnë ftonjtë si frut dhe është diçka që e kërkoj kudo për ta blerë.

26. Pjata/ushqimi që nuk do refuzoje dot as me stomakun plot?

Fërgesa me gjizë/djath dhe domate që bën Hajro. Crème brûlée është ëmbëlsira që më pëlqen më shumë tani dhe gjithmonë gjej hapësirë në stomak.

27. Zakoni që do doje mos ta kishe?

Mendohem shumë kur blej diçka. Pendohem që nuk e bleva sidomos kur nuk e gjej më në treg. Duhet të jem më spontane në jetë.

28. Aftësia që do doje të kishe?

Në fillim mendova aftësinë e fluturimit, por kam frikë nga lartësitë. Kështu që jo. Do doja të kisha një aftësi që kur të doja të isha në një vend të botës për ta parë, mjafton të thoja “dua të shkoj atje” me mendjen time, dhe kjo të realizohej pa qenë nevoja të hipja ne avion ose të përdorja mjete të tjera udhëtimi.

29. Parashikimi për të ardhmen e profesionit që ushtron?

Kirurgjia ka qenë e pranishme në të gjitha kohërat dhe do jetë. Besoj se shumë operacione do bëhen me robotë në të ardhmen, por kirurgu përsëri do jetë i nevojshëm. Do jetë ai që do drejtojë robotin. Kirurgjia ështe një fushë ku përdoret jo vetëm teknika e duarve por dhe truri për të arritur rezultatin me të mirë.

30. Cila është arritja jote më e madhe në aspektin profesional?

Të arrij të fitoj vlerësimin dhe respektin a kolegëve të mi, me të cilët punoj çdo ditë, si dhe mirënjohjen e pacientëve. Ndjehem mirë kur kolegët më kontaktojnë për familjarët dhe më besojnë për të trajtuar sëmundjet e tyre (mjekë dhe infermierë).

31. Si ndihesh tani në fund të pyetësorit tim?

E ndjej që mund të thoja dhe shumë më tepër për çdo pyetje, por nuk do të dëshiroja që të isha e tejzgjatur dhe e bezdisshme. Jam munduar t’u përgjigjem pyetjeve sa më shkurt dhe drejt. Pyetjet ishin shumë interesante dhe thelbësore. Ju falemnderit!/FlasShqip

/a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Manjola: 22/02/2021 23:16

    I uroj Edes suksese Ka qenë e do mbetet e mrekullueshme

    Përgjigju
  • Dani: 18/02/2021 18:10

    Une kam qene ne nje klase me Eden ne 8 vjecarr dhe ajo ka qene nxenese e shkelqyer, vetem 10 merrte , ishte e dashur , e sinqerte ,dhe familje shume e mire. Prinderit arsimtare te shkelqyer (Presor Gimi dhe zysh Fatimja ). Me behet qejfi qe degjoj fjale te mira. E meriton . Me Eden krenohen Shijaksit dhe krenohen Shqiptaret. Urime me zemer Eda.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë