As kjo e hënë nuk solli ndonjë ndryshim në pjesëmarrjen e foltores së Sali Berishës përpara Kryeministrisë.

Me gjithë përpjekjen e tij për të nxitur demokratët me thirrjen e zakonshme për rrëzimin e qeverisë, pamjet me dron të Report Tv tregojnë realitetin ku ndodhet Partia Demokratike.

Një grusht militantësh të pranishëm dëgjuan madje edhe fjalët ‘inkurajuese’ të kryetarit të PD, me nota hiperbolizmi.

“8 maj është revolta dhe kryengritja paqësore. Ne do të protestojmë si prindër për fëmijët. Në 8 maj kryengritja paqësore do të drithërojë themelet”, tha Berisha.

Gjatë fjalës së tij Berisha vijoi sërish me sulmet ndaj mediave duke i cilësuar si mburojë e kryeministrit Edi Rama.

"Çfarë bëjnë mediat e kontrolluara nga Rama? Në vend që të ngrenë revoltën dhe ndërgjegjen qytetare, në vend që të pasqyrojnë të gjithë këta engjëj që sot nuk jetojnë dhe që mund të ishin midis nesh nëse shteti do kishte bërë detyrat më minimale, këto media shpëlajnë trurin e shqiptarëve me lajme të rrema, korruptojnë gjuhën shqipe me propagandën e qeverisë, ngjallin cinizëm si mburojë për Ramaduron dhe mosbesim të madh te qytetarët. Sulmojnë opozitën vetëm e vetëm që të ndërtojnë mburojë për Ramën, mashtrimet e tij, t’u errësojnë të vërtetën qytetarëve", tha ndër të tjera Berisha.