Aksioni për lirimin e hapësirave publike në Shkodër ka vijuar edhe këtë herë pa bërë përjashtime, duke përfshirë edhe një përfaqësues të shumicës në Këshillin Bashkiak.
Bashkia Shkodër ka ndërhyrë sot për prishjen e një shtese objekti në pronësi të këshilltarit bashkiak të Partisë Socialiste, Mirsad Basha. Sipas Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), struktura ishte ndërtuar në hapësirë publike dhe për këtë arsye është ndërmarrë aksioni për heqjen e saj.
Ndërhyrja vjen në kuadër të një sërë aksionesh që Bashkia Shkodër ka ndërmarrë muajt e fundit për lirimin e hapësirave publike, me qëllim rikthimin e tyre në shërbim të komunitetit dhe garantimin e aksesit për qytetarët.
Që në muajin korrik pas aksionit të iniciuar nga kryeministri Rama, në Shkodër janë shembur mbi 600 objekte, shtesa të cilat kishin zënë sipërfaqet publike.
Ky aksion vijon çdo ditë në rrugë, sheshe dhe hapësira publike të qytetit.
Vëmendja tashmë është përqendruar në objektet arsimore, ku u lirua edhe hapësira rreth shkollës “Ndre Mjeda.”
Komente











