BULQIZË - Galeritë e minierave në vend që të ishin një burim pasurie për shqiptarët, rezultojnë prej vitesh burim vdekjesh.

Minierat që kanë sjellë më shumë fatkeqësi janë ato të Bulqizës, ku mbrëmjen e së enjtes ka humbur jetën një tjetër minator, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur.

Izet Keta, 60 vjeç përgjegjës i turnit në galerinë 44 nuk arriti të dalë i gjallë nga thellësitë e tokës këtë mbrëmje. 60-vjeçari është bërë viktima e nëntë për vitin 2015 e minierave shqiptare.

Ndërsa më me fat ka qenë kolegu i tij, punëtori Agron Daxha, 50 vjeç, i cili mbeti i plagosur.

Minatorët shqiptarë përveçse punojnë në mungesës së kushteve të sigurisë, gjithashtu nuk respektohet as mosha e daljes në pension.

Sipas ligjit të miratuar në vitin 2014, minatorët dalin në pension në moshën 55-vjeçare.

Përveç këtij fakti, miniera ku ka ndodhur tragjedia ishte pezulluar me vendim të Ministrisë së Industrisë dhe Energjisë në dhjetor 2013 për shkelje të rregullave të sigurisë në punë. Por, vetëm pak muaj pas pezullimit të licensës kjo kompani që nxjerr krom rezulton aktive.

Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave gjatë një kontrolli mbi zbatimin e ligjshmërisë dhe kushteve të lejeve mjedisore për aktivitetin e shfrytëzimit dhe nxjerrjes së mineralit të kromit, gjobiti këtë kompani për moszbatim të kushteve të lejes në dhjetor 2014 me 500 mijë lekë.

Ngjarja

Rreth orës 19:15 në galerinë e firmës “Kevger” me administrator Eltion Deda ka pasur një shpërthim. Burime për Shqiptarja.com bëjnë me dije se dy punëtorët kanë qenë duke furnizuar me karburant një makineri në thellësi të galerisë dhe pas kësaj ka ndodhur shpërthimi.

E ndërsa policia po kryen të gjitha veprimet hetimore për të zbardhur të vërtetën e kësaj ngjarje të rëndë, mësohet se firma “Kevger” disa vite më parë ishte ndëshkuar me heqje të drejtës së ushtrimit të aktivitetit për shkelje të rregullave të sigurisë në punë.

Precedenti

Kevger sh.p.k ishte pjesë e ngjarjes që solli dhe dorëheqjen e Drejtorit të Policisë së Qarkut Dibër, Shemsi Prenci në vitin 2012. Prenci u largua nga Policia e Shtetit pasi akuzoi drejtues të lartë të policisë si të lidhur me mafien e kromit. Dorëheqja e tij erdhi pasi u pezullua nga puna për bllokimin e 14 kamionëve me krom që nuk kishin faturë tatimore. 8 kamionë i përkisnin pikërisht kompanisë “Kevger”.

Redaksia online
(S.m/shqiptarja.com)