LEZHE - Pezullohen nga detyra tre punonjësit e policisë rrugore dhe një specialist i hetimit të krimit në Policinë e Lezhës, pas publikimit të pamjeve shokuese në A1 Report, ku kufoma e një të moshuari u trajtua në mënyrë çnjerëzore duke u transportuar me një kamionçinë dhe jo me ambulancën e morgut të spitalit. Gjithashtu hetimi ka filluar edhe për personelin e urgjencës dhe morgut të spitalit të Lezhës për mos marrjen e masave për transportimin e të viktimës. 

...
Refuzimi i automjetit privat të morgut në qytetin e Lezhës për të marrë viktimën e një aksidenti rrugor ka krijuar një situatë shokuese në limitet e skandalit, teksa trupi i pajetë i një të moshuari është transportuar në karrocerinë e një kamionçine. Fatkeqësia e 60-vjeçarit Gëzim Sula i cili në mbrëmje dyshohet të jetë përplasur për vdekje nga një automjet në aksin Lezhë-Laç, ka vijuar edhe më tej mëngjesin e kësaj të shtune. Televizioni A1Report ka filmuar momentin kur tre efektivë të Policisë së Lezhës dhe një Specialist i Seksionit të Hetimit të Krimit e vendosin kufomën në një batanije dhe më tej e hedhin në karroceri.

aksident
 
aksident

Pas transmetimit të videos në A1Report, punonjësit e policisë Rrugore dhe specialisti janë pezulluar nga detyra.
 
Kontraktuar nga A1Report, policia sqaroi se ka nisur hetimet për refuzimin që ka bërë morgu i Lezhës për të transportuar trupin e pajetë të 60-vjeçarit. Gjtihashtu, policia deklaroi se ka qenë e detyruar të marrë me kamionçinë viktimën, pasi nuk mund ta linte në rrugë. Më tej përmes një njoftimi zyrtar të Policisë së Lezhës, u sqarua se:
 
Në Spitalin Rajonal Lezhë ka shkuar Patrulla e Përgjithshme Policisë, ku është kërkuar ambulanca, por spitali nuk ka pranuar të dërgojë asnjë auto-ambulancë apo makinë të morgut për të transportuar kufomën. Në lidhje me refuzimin nga ana e Spitalit për të mos dërguar makinë në vendgjarje për të transportuar kufomën, nga ana e policisë është plotësuar raporti i shërbimit. Duke u ndodhur në këto rrethana, trupi i viktimës është mbështjellë me një batanije dhe është transportuar drejt morgut për ekspertizë mjeko-ligjore me një kamionçinë e cila është gjetur rastësisht në vendngjarje.
 
Në këto kushte, policia njofton se do të nisë hetimet edhe ndaj personelit të Urgjencës së Spitalit dhe të Morgut të Spitalit.
 
“Lidhur me mos marrjen e masave nga ana e personelit të urgjencës së Spitalit dhe të morgut të Spitalit për transportin e viktimës nga vendi i aksidentit në drejtim të morgut të Spitalit, Specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomik, pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Lezhë po punojnë për dokumentimin ligjor të këtij rasti dhe ndaj personave përgjegjës do fillojë procedimi penal për veprën penale Shpërdorim detyre”, thuhet në njoftimin e policisë.