Fantazma politike e Silvio Berlusconit po rikthehet të trazojë Romën. Skandali famëkeq “bunga bunga”, që për vite dominoi mediat dhe gjykatat italiane, është rikthyer papritur në qendër të debatit politik dhe po shkakton një krizë serioze në Ministrinë italiane të Drejtësisë të drejtuar nga qeveria e Giorgia Melonit.
Në qendër të stuhisë është Nicole Minetti, ish-dentiste e kthyer në figurë politike nga vetë Berlusconi, e dënuar për rolin e saj në organizimin e grave për festat private të ish-kryeministrit italian në vilat luksoze në Sardenjë.

Këtë vit, Minetti mori një falje presidenciale me argumentin humanitar se duhej të kujdesej për një fëmijë të sëmurë. Vendimi u miratua nga presidenti Sergio Mattarella pas rekomandimit të Ministrisë së Drejtësisë. Por shumë shpejt çështja u kthye në një bombë politike.
Media italiane Il Fatto Quotidiano publikoi një hetim ku ngrihen dyshime se dokumentacioni i paraqitur për faljen mund të ketë qenë i paplotë ose i pasaktë, sidomos për pretendimet se fëmija i Minettit ishte braktisur në lindje dhe kishte nevojë për trajtim të specializuar.
Tani zyra e presidentit Mattarella ka kërkuar sqarime urgjente nga Ministria e Drejtësisë, ndërsa autoritetet italiane kanë përfshirë edhe Interpolin për verifikime ndërkombëtare. Skandali ka ndezur menjëherë opozitën, e cila kërkon largimin e ministrit të Drejtësisë Carlo Nordio. Giorgia Meloni, megjithatë, ka dalë publikisht në mbrojtje të tij.
“Kam besim te Nordio”, deklaroi kryeministrja italiane, duke përjashtuar çdo mundësi dorëheqjeje. Por presioni politik po rritet dita-ditës.
Nicole Minetti ishte një figurë simbolike e epokës Berlusconi. E nxjerrë nga anonimati nga vetë ish-kryeministri, ajo u bë këshilltare bashkiake në Milano dhe më pas një nga personazhet qendrore të hetimeve për festat “bunga bunga”, përfshirë procesin famëkeq ku Berlusconi akuzohej për marrëdhënie seksuale me një vajzë minorene të njohur si Ruby “zemërvjedhësja”.
Pas vitesh betejash ligjore, Minetti u dënua për ndërmjetësim prostitucioni dhe përvetësim fondesh. Më pas ajo u zhvendos në Uruguai, ku rindërtoi jetën me partnerin e saj të ri, trashëgimtar i dinastisë së pasur Cipriani. Kërkesa për falje presidenciale u bazua pikërisht te argumenti humanitar për kujdesin ndaj djalit të saj të adoptuar.
Ministria e Drejtësisë kishte kërkuar verifikime dhe opinionin e Prokurorisë së Milanos përpara se t’ia kalonte dosjen presidentit Mattarella për miratim final. Tani opozita akuzon ministrinë për neglizhencë serioze dhe mungesë kontrolli.
“Jemi përballë një tjetër katastrofe institucionale, politike dhe etike nën drejtimin e Nordio”, deklaroi Nicola Fratoianni, lider i partisë së majtë Aleanca e Gjelbër dhe e Majta.
Edhe Lëvizja populiste 5 Yjet kërkoi dorëheqjen e ministrit. Ish-prokurori dhe deputeti Federico Cafiero De Raho deklaroi se Nordio duhet të shpjegojë si u menaxhua falja e Minettit “dhe më pas të largohet përpara se të shkaktojë më shumë dëme”.
Vetë Ministria e Drejtësisë i hodhi poshtë akuzat, duke insistuar se ministri kishte vepruar mbi bazën e dokumenteve të paraqitura dhe se nuk ekziston asnjë arsye ligjore apo politike për dorëheqje.
Por problemi për Melonin nuk është vetëm kjo çështje. Skandali Minetti vjen pas një serie krizash që kanë goditur Ministrinë e Drejtësisë muajt e fundit. Në mars, qeveria pësoi një humbje të rëndë politike kur votuesit rrëzuan në referendum reformën kryesore të drejtësisë të promovuar nga Nordio. Pas humbjes dha dorëheqjen edhe shefi i kabinetit të ministrit.
Në të njëjtën periudhë, zv.ministri i Drejtësisë Andrea Delmastro Delle Vedove u detyrua të largohej pas akuzave për lidhje biznesi me figura të afërta me mafian. Ndërkohë, Italia u përball edhe me kritika ndërkombëtare pas lirimit dhe riatdhesimit të një gjenerali libian të kërkuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit.
Të gjitha këto, sipas Politico, po krijojnë perceptimin e një ministrie në kaos dhe të një qeverie që po humbet kontrollin mbi një nga sektorët më delikatë.
Edhe brenda koalicionit qeverisës ka zëra që pranojnë privatisht se situata po bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u menaxhuar. Sipas burimeve qeveritare, tensionet janë rritur ndjeshëm pas largimit të dy figurave të rëndësishme nga ministria në mars dhe klima brenda qeverisë konsiderohet “shumë e tensionuar”.
Për Giorgia Melonin, e cila e ka ndërtuar imazhin politik mbi disiplinën dhe stabilitetin, rikthimi i skandaleve të stilit Berlusconi përbën një goditje serioze. Profesori i politikës Daniele Albertazzi nga Universiteti i Surrey-t thotë se “me këtë skandal, Berlusconi po rikthehet për të përndjekur Melonin”.
Sipas tij, kryeministrja italiane po e mbron ende Nordion sepse shkarkimi i tij do të shihej si “pranim i hapur i dështimit” dhe do t’i jepte opozitës një fitore të madhe politike.
“Por krizat po shtohen njëra pas tjetrës. Nuk e di sa gjatë mund ta shpëtojë ende”, tha Albertazzi.
Tashmë pyetja në Romë është sa dëme të tjera politike mund të përballojë Giorgia Meloni përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, ndërsa hija e Berlusconit vazhdon të rëndojë mbi qeverinë e saj.
Komente











