TURQI - Në një goditje të rëndësishme ndaj korrupsionit në futbollin turk, prokuroria e Stambollit ka urdhëruar arrestimin e Murat Ozkaya, presidentit të klubit Eyüpspor, si dhe shtatë gjyqtarëve profesionistë të përfshirë në një rrjet të gjerë bastesh në futboll.

Federata Turke e Futbollit ka publikuar gjithashtu emrat e mbi 1,024 lojtarëve të dyshuar për përfshirje në baste të paligjshme, ndër të cilët 27 aktivizohen në Superligë, divizioni më i lartë i futbollit turk. Të gjithë janë referuar zyrtarisht në Prokurori për hetim të mëtejshëm.

Disa nga lojtarët e njohur të përfshirë në hetim janë:

Beşiktaş: Ersin Destanoğlu, Necip Uysal

Galatasaray: Metehan Baltacı, Evren Eren Elmalı

Trabzonspor: Boran Baskan, Salih Malkoçoğlu

Alanyaspor: İzzet Çelik, Enes Keskin, Yusuf Ozdemir, Bedirhan Ozyurt dhe të tjerë nga klube të ndryshme.

Pasojat në nivel gjyqtarësh dhe delegatësh

Në përgjigje të skandalit, Federata ka sanksionuar 149 gjyqtarë, ndërsa mbi 40 delegatë ndeshjesh janë larguar nga detyrat. Prokuroria kërkoi paraburgim për 17 gjyqtarë dhe një gazetar sportiv, ndërsa 11 të tjerë u liruan me kusht.

Historia dhe konteksti i skandalit

Gjatë periudhës së presidencës së Murat Ozkaya, Eyüpspor arriti ngjitjen në Divizionin e Dytë dhe më pas, në vitin 2023 vendosën si trajner ish-lojtarin e Atletico Madrid, Arda Turan. Verën e kaluar, për herë të parë në histori, Eyüpspor arriti në Superligë.

Në një konferencë për shtyp disa javë më parë, presidenti i Federatës, Ibrahim Haciosmanoglu, publikoi të dhëna shqetësuese lidhur me basteve të gjyqtarëve profesionistë në Turqi.

Nga 571 gjyqtarë aktivë në ligat profesioniste, 371 kishin llogari aktive me kompanitë e basteve, ndërsa 152 vinin baste në mënyrë të rregullt. Mes tyre ishin 7 gjyqtarë të nivelit të lartë, që dyshohen për përfshirje në manipulime.

Një numër prej 10 gjyqtarësh kishin vënë baste në mbi 10,000 ndeshje gjatë 5 viteve të fundit. Një rast ekstrem përfshinte një gjyqtar që dyshohet të ketë vendosur bast në 18,227 ndeshje.