Ka një kontrast paradoksal mes përmasave që ka marrë skandali me tenderin e byzylykëve dhe qëndrimit apatik të organit të akuzës. Gjatë javës së kaluar, Shqiptarja.com ka publikuar fakte, detaje dhe rrethana, të cilat përcjellin indicie të mjaftueshme për Prokurorinë, në mos për të thirrur protagonistët e tenderit, të paktën për të nisur verifikimet nëse kemi të bëjmë apo jo këtu me elemente të veprës penale.

Përpos një kallëzimi penal të referuar nga Ministria e Drejtësisë, për disa shkelje të pretenduara rreth zbatimit të kontratës, Shqiptarja.com investigoi rreth pjesës së padukshme të ajsbergut të skandalit me tenderin e byzylykëve, duke ngritur dyshime të forta për paracaktimin e fituesit.

Në pah dolën lidhjet mes Përgjegjësit të IT-së pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Ermal Beqiri, me njërën nga kompanitë fituese, Soft & Solutions. Kjo fundit ka marrë gjithashtu edhe katër tendera nga Hipotekat, duke krijuar dyshime të arsyeshme për konflikt interesi, me pasoja në buxhetin e shtetit.

Gjithashtu, u zbulua se në garë morën pjesë shtatë firma, por pesë prej tyre, nuk paraqitën as ofertë ekonomike. Komisioni i Vlerësimit e lexoi të gjithë dokumentacionin e paraqitur nga shtatë kompanitë dhe shpalli fituesin në më pak se 48 orë.

Bashkimi i Operatorëve që fitoi tenderin me vlerë 196 milionë lekë të reja duke bërë një skonto prej vetëm 2 milionë lekësh të reja (sa 1% e vlerës totale). Në një muaj kohë, bashkimi i operatorëve, nënshkroi kontratën dhe realizoi aplikimin, por byzylykët i dorëzoi vetëm pas kallëzimit penal. Gjithashtu, është publikuar një listë me pretendime nga njëra prej kompanive, që u skualifikua, me anë të vendosjes së specifikimeve teknike unike, afateve të kufizuara kohore etj.

Pavarësisht panoramës së lartpërmendur dhe interesit të jashtëzakonshëm publik, organi qendror i akuzës dhe Prokuroria e Tiranës, vijojnë të mos bëzajnë në mënyrë të çuditshme, nën letargjinë e pushimeve të gushtit. Deri më sot, nga ana e Prokurorisë, nuk kemi qoftë edhe një deklaratë, për një prej skandaleve më të rënda që ka përfshirë Ministrinë e Drejtësisë.

Sekretarja sfidon
Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë, Juliana Hoxha, e konsideron të mbyllur çështjen e tenderit të byzylykëve.

Në reagimin e saj kundër ministrit të Drejtësisë, Hoxha thotë se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë i ka konsideruar në përputhje me ligjin procedurat për tenderin e byzylykëve.

“Madje, Ministri është gjetur aq ngushtë, sa që, nga dosjet e kontrolluara dhe rikontrolluara, përsëri u gjet për t’u quajtur “skandal i rëndë” një dosje prokurimi, të cilës i ka dhënë përgjigje ligjore edhe Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në kallëzimin penal të para disa ditëve të vet Ministrit të Drejtësisë Z. Bardhi, ku ndër të tjera qartësisht shpjegon se: “Procedurat e prokurimit publik janë realizuar në përputhje me ligjin”, pretendon Hoxha.
 

MD gjen pretekstin për të favorizuar ftuesin
 Ministria e Drejtësisë, si autoritet kontraktor, ka mbështetur fort bashkimin e kompanive Ratech shpk, Fastech shpk dhe Soft & Solutions, për të fituar tenderin e byzylykëve elektronikë, me vlerë 1.4 milionë euro, për mbikëqyrjen e të dënuarve.

Ministria ka mbrojtur vendosjen e afateve të shkurtra kohore dhe specifikimet teknike, të përshtatshme vetëm me byzylykët e markës Track Group, me qëllim që tenderin ta fitonin tre kompanitë në fjalë. Shqiptarja.com sjell përgjigjen e dokumentuar, me anë të shkresës nr. 62/2 datë 10.01.2017, që Ministria e Drejtësisë i ka kthyer kompanisë “B.360” sh.p.k., pjesëmarrëse në garë. “B. 360” kontestoi tenderin që në fazën përgatitore, duke kërkuar rrëzimin e specifikimeve teknike, afateve kohore dhe kërkesave të tjera kualifikuese arbitrare, si në kundërshtim me ligjin.

Por, sipas ministrisë, një afat më i gjatë për zbatimin e kontratës, qoftë edhe me një javë sa ç’kërkon kompania, rrezikon të dështojë mbikëqyrjen e të dënuarve. Ministria shkon më tej, duke thënë se, një shtyrje në kohë e ngritjes së aplikacionit mund të sjellë pasoja të rënda dhe të pariparueshme në sistemin e drejtësisë penale.

ra, sipas arsyetimit të ministrisë, disa ditë kohë më shumë për kompaninë, për të ngritur sistemin dhe siguruar byzylykët, rrezikon që të dënuarit të dilnin jashtë kontrollit. “Ky sistem mbikëqyrjeje është i një rëndësie të veçantë dhe duhet të jetë funksional dhe efektiv në një kohë sa më të shkurtër.
 
Sqarimi i procedurave nga Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë
 Pretendimi nga ana e Ministrit se janë prokuruar dhe nënshkruar kontrata disa herë më të larta se fondi i parashikuar buxhetor është tërësisht i pabazuar në legjislacionin në fuqi. Këto procedura nuk janë prokuruar për një vit kalendarik, por për një periudhë 4 vjeçare në përputhje të plotë me VKM nr. 710/2013 dhe VKM nr. 703/2014 dhe rrjedhimisht fondi do të prokurohet jo sa është parashikimi buxhetor një vjeçar por vlera totale e 4 viteve në përputhje me afatin e kontratave”. 

Procedura e përzgjedhur nga autoriteti kontraktor është “e hapur” në përputhje të plotë me legjislacionin e prokurimit publik. Kjo procedurë i jep mundësinë çdo operatori ekonomik që plotëson kushtet tekniko-ligjore për të qenë potencialisht fitues i kontratës.

Për me tepër legjislacioni i prokurimit publik i jep mundësinë çdo operatori ekonomik të kundërshtojë kriteret apo vlerësimin e ofertave pranë organit më të lartë në fushën e prokurimi Komisionit të Prokurimit Publik, nëse ka pretendime lidhur me procedurën e vlerësimit apo kriteret e vendosura nga autoriteti kontraktor në përputhje më objektin e prokurimit. 

Lidhur me zbatimin e kontratës, deri në momentin e ushtrimit të detyrave funksionale të Sekretarit të Përgjithshëm çdo kontratë ka qenë një proces korrekt ekzekutimi ku autoriteti kontraktor ka mbrojtur interesat institucional në ushtrim të plotë të detyrës.

Dhënia në administrim është realizuar në saj të procesit të ekzekutimit të kontratës, ku bashkimi i operatorëve ekonomikë ka nën përgjegjësinë e tij administrimin e sistemit elektronik të mbikëqyrjes penale, realizimin e procesit të mirëmbajtjes për një periudhë 4 vjeçare dhe instalimin e byrzylyqeve tek të dënuarit në bashkërendim me Drejtorinë e Shërbimit të Provës. 
 
Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com