Njëmbëdhjetë qenë të ngordhur u gjetën në një kosh mbeturinash në zonën e Lanabregas, në Dajt. Pas këtij skandali që ka qenë kryefjalë e mediave sociologia Stela Nikolla tha në ‘Studio Live’ se kjo pamje është trishtuese, teksa nga ana tjetër komentoi edhe rastin në Vlorë ku një vajzë 4-vjeçare u kafshua në kokë nga një pitbull.

“Të jep trishtim kjo pamje. Për vajzën në Vlorë, ky nuk është rasti i parë që ka ndodhur me pitbull. Por nuk e ka fajin, kafsha por e ka pronari”, tha ajo.

Ndërkohë Liljana Breshani nga shoqata "Protect me" theksoi se incidenti që ndodhi vajzës në Vlorë mund t’i kishte ndodhur çdo fëmije në vend. Ajo e vuri theksin te shteti për mungesën e politikave në lidhje me menaxhimin e kafshëve të rrugës.

“Do i konsideroja dy ngjarje të ndara: e para sulmi i vajzës në Vlorë mund të ishte kushdo fëmijë në Shqipëri. Situata është tepër e agravuar, për të pasur në kontroll menaxhimin e kafshëve të rrugës. Ata nuk janë në rrugë për fajin e tyre por për fajin tonë, për shkak të mungesës së politikave. Shoh një indiferetizëm. Nuk kam dëgjuar asnjë nga pushtetarët të flasin për këtë çështje. Ne nuk dimë sa qen e mace ka Shqipëria, ne duhet të kemi një database”, tha Breshani.

Altin Joka përmes një lidhje të drejtpërdrejtë nga Suedia tha se keqtrajtimi i kafshëve në vendin ku ai jeton është një krim

Një shtet nuk vret kafshët, por zgjidh problemin. Qentë dhe macet në rrugë nuk janë aty se duan vetë. Keqtrajtimi është një krim. Helmimi dhe vrasja tregon se shoqëria do ta normalizojë këtë dhunë. Në Suedi ka 900 mijë qen dhe 800 mijë mace. Suedia ka ndërtuar një sistem shumë të fortë.

“Shqipëria i vetmi vend që nuk ngrihet për të mbrojtur kafshët. Nëse do do të ndodhte në Suedi do të trajtohej si një skandal kombëtar.Në rast se lë  macën vetëm gjobitesh 200 deri 1000 euro. Qeni nuk mund të rrijë më shumë se 6 orë i mbyllur. Kur qytetarët shohin një keqtrajtm duhet ta raportojnë jo se kanë detyrim moral, por ligjor. Ne në Shqipëri nuk kemi edukim në shkolla për kafshët”, tha Joka.

Më tej ai shtoi se edhe në Suedi ka raste kur kafshët kafshojnë njerëzit, por në këtë rast dënohet pronari dhe më pas vendoset se çfarë do të ndodhë me qenin.

“1050 kafshime regjistrohen në Suedi në vit, por ligji suedez ka disa rregulla. Kafsha ka një pronar dhe dënohet se ka përgjegjësi. Kafsha sekuestrohet për disa ditë dhe më pas merret vendimi se çfarë do të ndodhë me të”, tha ai.

Breshani shtoi se zhdukja e kafshëve nuk është zgjidhje dhe me këto veprime ne tregojmë një kulturë mesjetare.

“Helmimi i kafshëve nuk është zgjidhje. Ne përcjellim edukim mesjetar. Kemi mungesë të theksuar etike të veterinerëve. Prej 16 viteve unë kam ndërtuar një strehimore në Vlorë me 150 qen. Shteti duhet të ndërtojë një plan të madh për kafshët”, nënvizoi ajo.

Edhe Joka tha gjithashtu se Joka vendi duhet të hartojë një program kombëtar falas për sterilizimin e kafshëve

“Duhet të ketë një program kombëtar falas për sterilizimin e kafshëve. Me 6 milionë euro kjo çështje zgjidhet brenda 2 viteve. Ne jemi një popoull që jemi të pandjeshëm ndaj situatave të ndryshme në vend pavarësisht se kemi kaluar shumë keqtrajtime”, tha ai.

Ndërkohë Nikolla e mbylli emisionin me një mesazh mjaft domethënës.

“Duhet ti duam kafshët se na bëjnë mirë si ne edhe fëmijëve, sepse ata janë më të mirë se ne”, tha ajo.