Skeda/ 40 komisionet hetimore 1992-2021, një histori dështimi dhe zhurme politike, nga ‘komisioni i veshit’, Tivarit, 21 Janari, administrata dhe droga që mbajnë vulën e PD-së

Skeda/ 40 komisionet hetimore 1992-2021, një histori dështimi dhe zhurme politike, nga ‘komisioni i veshit’, Tivarit, 21 Janari, administrata dhe droga që mbajnë vulën e PD-së

Kuvendi i Shqipërisë

Kuvendi i Shqipërisë, me kërkesë të Partisë Demokratike, miratoi dje ngritjen e komisionit hetimor për përdorimin e mundshëm të administratës në zgjedhjet e 25 prillit 2021, ndërsa shtyu për javën tjetër komisionin hetimor për incineratorët, impiantet e trajtimit të mbetjeve në Tiranë, Elbasan dhe Fier. Opozita kërkoi edhe ngritjen e një komisioni të tretë hetimor, për çështjen biznesmenit kontrovers Francesco Bechetin, i cili ka në arbitrazh ndërkombëtar 110 milionë euro, pasi shteti shqiptar i sekuestroi pasuritë përfshi televizionin “Agon”. Por, komisioni i tretë nuk u pranua nga maxhoranca, me argumentin se dëmton interesat e shtetit.

Po çfarë produkti mund të prodhojnë komisionet e radhës hetimore dhe sa të efektshme kanë qenë këto nisma në të kaluarën?

Komisionet hetimore parlamentare, gjatë 30 viteve të pluralizmit, rezultojnë një histori sa qesharake aq edhe e dështuar, ndërsa në disa raste janë përdorur edhe si lëvizje politike për të dubluar dhe penguan prokurorinë, siç ishte komisioni hetimor për hetimin puçit të pretenduar të shtetit në 21 Janar 2011. Komisionet hetimore parlamentare reflektojnë plotësisht shprehjen e Winston Churchill se “Nëse do të mbyllësh një çështje, ngre një komision hetimor parlamentar".

Nga viti 1992 dhe deri më sot janë ngritur rreth 40 komisione hetimore. Në shumicën e rasteve, komisionet kanë prodhuar vetëm zhurmë politike, duke u shuar më pas në heshtje. Komisioni më i fundit hetimor i dështuar është ai i ngritur në nëntor të vitit 2020, me propozim të PS-së, për të pretendimet në raportin e Dick Marty për luftën në Kosovë, i cili implikonte UÇK-në në krime. Komisioni u ngrit pas një debati mbi rolin e paqartë të Lulzim Bashën në hetimin e akuzave ndaj UÇK-së, kur ishte pjesë e UNMIK, pas luftës.

Megjithatë komisionet më të dështuara hetimore janë kërkuar dhe propozuar nga Partia Demokratike, si gjatë kohës kur ishte në pushtet, ashtu edhe në opozitë. Kur ishte në pushtet, komisionet hetimore pa rezultat të iniciuara nga PD-ja janë tre komisione kundër Edi Ramës, komisioni hetimor për masakrën e Tivarit 1945, komisioni për 21 Janarin si një nga komisionet më qesharakë, ai për hetimin e një një incidenti në Akademinë Politike të Vjenës, ku PD-ja akuzonte Edi Ramën, në atë kohë kryetar opozite, se i kishte tërhequr veshin ish-konsullit shqiptar, Egin Ceka. Komisioni u quajt 'komisioni i veshit'.

Pas daljes në opozitë, komisionet e dështuara të iniciuar nga Partia Demokratike janë komisionet për lëvizjet në administratë, komisioni hetimor për lëvizjet në polici, komisioni hetimor për serverin e tatimeve, dy komisione për trafikun e drogës, komisioni për certifikatën e sigurisë për Genc Cakajn etj.

Përfundimi i shumicës së këtyre komisioneve hetimore ka qenë i njëjtë, pa asnjë produkt final. Por, ajo që mbetet pas, përpos zhurmës politike, është një kosto financiare. Komisionet hetimore kanë faturë financiare, pasi për çdo mbledhje anëtarët marrin nga 2 000 lekë, ndërsa kryetari i komisionit hetimor merr 2 500 lekë.

Historia e komisioneve hetimore gjatë tre dekadave

-Maji 2021. Miratohet komisioni hetimor për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga Presidenti Ilir Meta para dhe gjatë zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021. Komision përfundoi veprimtarinë e tij më 28 maj 2021, me propozimin për shkarkimin e Metës. Propozimi u miratua nga Kuvendi në 9 qershor.

-Nëntor 2020. Me propozim të PS-së ngrihet komisioni hetimor për pretendimet në raportin e Dick Marty për luftën në Kosovë, që implikonte UÇK-në. Komisioni u shty me 3 muaj në shkurt 2021 dhe nuk u mblodh më.

-Korrik 2019. Me propozim të PS-së ngrihet komisioni hetimor për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve të Presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019. Komision përfundoi veprimtarinë më 27 korrik 2020 dhe propozoi i që Meta të mos shkarkohej.

-Janar 2019. Me kërkesë të PD-së, u ngrit komisioni hetimor për të verifikuar nëse DSIK e ka zbatuar ligjin për pajisjen e ish-zëvendësministrit të Jashtëm Gent Cakaj me certifikatë sigurie. Komisioni u braktis më pas dhe dështoi.

-Mars 2018. Me propozim të PD-së, u ngrit komisioni hetimor për të kontrolluar veprimet dhe mosveprimet e organeve shtetërore në parandalimin dhe goditjen e fenomenit të kultivimit dhe trafikut të lëndëve narkotike, duke shenjëstruar ish ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Palët u përplasën për objektin e hetimit dhe komisioni dështoi si zakonisht.

-Prill 2016. Me kërkesë të PS u ngrit komisioni hetimor për hetimin e mënyrë së shitjes së Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) nga qeveria ‘Berisha’ tek kompania çeke ‘CEZ’ si dhe për abuzimet deri në largimin e CEZ. Komisioni doli me një raport konkret për dëmin ekonomik dhe ish zyrtarët përgjegjës. Raportin e referoi në prokurori dhe dosja u mbyll nga gjyqtari Lazër Sallaku.

-Prill 2016. Me kërkesë të PD u ngrit komisioni hetimor për hetimin e marrëveshjes së mirëkuptimit mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë CEZ, pas largimit të CEZ, duke shmangur përballjen në arbitrazh. Komisioni dështoi.

-Janar 2015. Me propozim të PD miratohet komisioni hetimor për hetimin e ndërhyrjeve dhe fshirjes së të dhënave në serverin e tatimeve. Komisioni dështoi.

-Shtator 2014: Mazhoranca socialiste miraton komisionin hetimor për veprimtarinë e dy anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të zgjedhur nga Kuvendi z. Elvis Çefa dhe z. Lulzim Lelçaj. Komisioni përfundoi me një raport duke konstatuar shkelje gjatë detyrës dhe dy anëtarët u shkarkuan.

-Qershor 2014. Me kërkesë të PD miratohet komisioni hetimor për hetimin e shkarkimeve dhe emërimeve në administratë. Palët u përplasën për periudhën e hetimit dhe komisioni dështoi.

-Mas 2014. Miratohet Komisioni hetimor “Për hetimin dhe zbardhjen e plotë të të gjitha fakteve dhe rrethanave, lidhur me akuzat e bëra publike për implikim të Forcave të Armatosura dhe bazave të saj ushtarake në veprimtari të kundërligjshme në transportin e lëndëve narkotike”. Pa rezultat.

-Shkurt 2014. Miratohet komisioni hetimor për lëvizjet në Policinë e Shtetit. Komisioni rezultoi i dështuar.

-Viti 2014. Ngrihet një grup kontrolli për verifikimin e ligjshmërisë së veprimtarisë së SHISH. Grupi i kontrollit doli me një raport sekret, por nuk u ndërmor asnjë masë.

-Prill 2013. PD-ja miraton komisionin hetimor për hetimin e një incidenti në Akademinë Politike të Vjenës. PD-ja, ende në pushtet, akuzonte Edi Ramën, në atë kohë kryetar opozite, se i kishte tërhequr veshin ish-konsullit shqiptar, Egin Ceka. Komisioni u quajt 'komisioni i veshit'. Komisioni dështoi.

-Korrik 2010. Me urdhër të Sali Berishës u ngrit komisioni hetimor për hetimin e fakteve, rrethanave dhe përgjegjësive të masakrës së Tivarit 1945”. Komisioni u mblodh vetëm dy herë.

-Mars 2010. Komision Hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Pa rezultat.

-Prill 2009. Komisioni hetimor për veprimtarinë e Edi Ramës si kryebashkiak. Pa rezultat.

-Nëntor 2007. Komisioni hetimor për përgjimet i kërkuar nga PDK-ja. Pa rezultat.

-Tetor 2007. Komisioni hetimor për kryeprokurorin Sollaku. Pa rezultat.

-Tetor 2007. Komisioni hetimor për zbatimin e ligjit të koncesioneve. U drejtua nga Shpëtim Idrizi. Pa rezultat.

-Tetor 2007. Komisioni hetimor shpenzimin e buxhetit. Pa rezultat.

-Tetor 2007. Komisioni hetimor për hetimin e privatizimit të Albtelekomit me kërkesë të opozitës. Pa rezultat.

-Tetor 2007. Komisioni hetimor për hetimin e tenderit të rrugës Durrës-Kukës. Pa rezultat.

-Shtator 2006. Komisioni hetimor për pasuritë e zyrtarëve. Drejtua nga Bujar Nishani. Pa rezultat.

-Maj 2006. Komisioni hetimor për tregun e monopoleve të telefonisë celulare. Pa rezultat.

-Prill 2006. Komisioni hetimor për shkarkimet në administratë me kërkesë të PS. Pa rezultat.

-Viti 2005. Komision hetimor për zbardhjene fondeve të mbledhura nga qeveria për ndërtimin e rrugës Durrës-Morinë. Komisioni arriti në përfundimin se një pjesë e fondeve janë përdoruar për ndërtimin e akseve të tjera.

-Viti 2005. Komision hetimor për manipulimet në zgjedhjet e 3 korrikut 2005. Palët dolën me dy raporte. Komisioni pa rezultat.

Viti 2004. Komision hetimor për veprimtarinë e KESH-it dhe menaxhimin e të ardhurave të kësaj kompanie shtetërore, kërkuar nga PD-ja. Komisioni pa rezultat.

-Viti 2004. Komision hetimor për aktivitetin e Albtelekomit, rritja e tarifave, dhe marrëveshjet e nënshkruara me shoqëritë e telefonive të lëvizshme. Komisioni doli me dy raporte të ndryshme.

-Viti 2003. Komision hetimor për përdorimit të fondeve në Ministrinë e Kulturës e drejtuara nga Edi Rama. I dështuar.

-Viti 2003. Komision hetimor për veprimtarinë e SHISH. Pa rezultat.

-Viti 2003: Komision hetimor për firmat piramidale. I dështuar.

-Viti 1997. Komision hetimor për ngjarjet e marsit dhe prillit 1997. Komisioni doli me një raport, ku u reflektuan urdhrat e Sali Berishës dhe Bashkim Gazidedes për angazhimin e SHIK-ut dhe ushtrisë për shtypjen e revoltave popullore në Jug të vendit, bombardimin e porteve dhe urave, mobilizimin dhe armatosjen e militantëve të PD për të luftuar në Fier dhe Vlorë, lëvizjen e tankeve nga Zall-Herri drejt Vlorës etj. Komisioni doli me një rezultat konkret, të cilin ia përcolli prokurorisë.

-Viti 1993. Komision hetimor për financimin e partive politike. I dështuar.

-Komision hetimor për veprimtarinë e Bankave Shtetërore gjatëve viteve 1990-1992. I dështuar.

-Komision hetimor për trazirat gjatë viteve 1991-1992, në qytete Pukë, Laç, Peqin, Lushnjë, Pogradec. I dështuar.

-Komisioni hetimor se si u shpërndanë ndihmat italiane dhe gjetja e zyrtarëve që përfituan nga këto ndihma. I dështuar.

-Komisioni hetimor për zbardhje e shpërdorimit të arit të shqiptarëve. I dështuar.

-Komisioni hetimor për ngjarjen e 2 Prillit e vitit 1991 në Shkodër, ku u vranë 4 të rinj. Pa rezultat.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë