Skeda për dosjen e Behar Sofisë, lëvizjet e Ernejt Shytit deri në ekzekutim të 66 vjeçarit! 2 të tjerë në kërkim për vrasjen (VIDEO)

Report TV ka rindërtuar të gjithë skemën e levizjeve me biçikletë të 24-vjeçarit Ernejt Shyti, mëngjesin e 25 shkurtit deri kur pranë Piramidës ekzekutoi me pistoletë TT Behar Sofinë, 66-vjeçarin që kishte dalë për shëtitje.

Shyti që u vu në pranga në Mal të Zi rreth 3 javë pas krimit, është fiksuar nga kamerat e sigurisë teksa del nga një pallat në rrugën “Vllazën Huta”, e më pas përmes një itenerari të kujdesshëm duke zgjedhur të ecë me një biçikletë të zezë nëpër rrugica, shkoi deri në vendin e ngjarjes, një intinerar që zgjaste kohën për të mbërritur pranë Piramidës, por ndoshta zgjedhur prej ekzekutorit për të humbur gjurmët e identifikimit.

Pasi kalon në disa rrugica pranë komisariatit numër 1, 24-vjeçari del në rrugën “Luigj Gurakuqi”, e njohur ndryshe si rruga e Pazarit të Ri në Kryeqytet, më pas kaloi rrëzë sheshit “Skënderbej”, u kthye majtas në drejtim të godinës së Bashkisë së Tiranës dhe doli në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Të gjithë këto momente janë lidhur në një punë vëzgjuese të policisë përmes kamerave të sigurisë në rrugë.

Vrasësi gjakftohtë zgjodhi korsinë e biçikletave në anën e majtë të bulevardit, përballë me ish-hotel “Dajtin”, kaloi vizat e bardha në urën e bulevardit dhe zbriti poshtë urës, aty ku la biçikletën për të shkuar në këmbë ballë për ballë me shënjestrën.

Pas këtij momenti, vëmendja e Shytit u vendos në urën e këmbësorëve në afërsi të ETC-së, dhe në rrugën “Papa Gjon Pali II”, aty ku priti lëvizjet e 66-vjeçarit Behar Sofia.

24-vjeçari kishte thurur një plan të detajuar për të mos rënë në sy. Lëvizte në mënyrë të çrregullt, bënte sikur çalonte, ecte kuturu në mes të trafikut me idenë e humbjes së çdo gjurme. (video ekskluzive)

Sapo Behar Sofia është shfaqur në trotuarin përballë ETC-së, Shyti i është vënë nga pas, kanë kaluar njëri pas tjetrit vizat e bardha dhe janë gjendur përballë piramidës, rrëzë Lanës. Pak çaste më vonë 24-vjeçari ka qëlluar dy herë në drejtim të Sofisë në moment kur nuk kishte njerëz të tjerë pranë, ka hedhur armën në ujë dhe më pas është larguar.

Ernejt Shyti zbriti poshtë urës, mori biçikletën që kishte lënë para se të vriste Sofinë dhe në drejtim të korsisë së biçikletave lëviz poshtë bulevardit, në këtë intinerar që Report Tv sjell të ilustruar. Merr kthesën majtas dhe futet në rrugën “Ibrahim Rugova” në zonë e ish-Bllokut dhe shfaqet deri në afërsi të Gardës së Republikës. Nga aty, 24-vjeçari ngjitet në drejtim të Kodrave të Liqenit Artificial, lë të gjitha materialet që kishte me vete dhe zhduket. 24-vjeçari, i cili kreu një vrasje të përpiluar deri në detaje, veprimin amator e bën pikërisht në fund të arratisë së tij. Dy ditë pas krimit patrullat e policisë ranë në gjurmët e tij përmes një maske antiCovid lënë pranë Liqenit Artificial, e cila do të jepte edhe provën vendimtare shkencore për ekzekutorin.

Por, si shkoi deri tek provat policia?

E ëma e 24-vjeçarit ka dhënë detaje të rëndësishme, duke konfirmuar se i biri lëvizte me biçikletë, xhupi blu i gjetur poshtë urës së lanës ishte i tiji e deri tek marrja e analizave të AND-së te maska Anti-Covid, të cilat dolën të ishin të përputhshme mes tyre dhe vëllait binjak Ergit Shyti. Ky i fundit në kohën e vrasjes ndodhej në banesë, çka faktoi se Ernejti ishte ekzekutori.

Në mesin e provave tek Liqeni Artificial u gjet edhe një aparat celular, i cili pasi u zbërthye nga hetuesit zbuloi mesazhe dhe fakte që implikonin 24-vjeçarin biseda me bashkëpunëtorët për lëvizjet e Behar Sofisë.

Vënia përballë provave e detyroi 24-vjeçarin të pranojë autorësinë e krimit duke thënë se do të merrte 50 mijë euro për vrasjen e Sofisë, por pa ditur se kush ishin porositësit. Me shpresën për të mbërritur tek urdhëruesit e vrasjes së 66-vjeçarit, policia ka shpallur dhe 2 persona të tjerë në kërkim, ndërsa në qeli janë edhe bashkëpunëtorët e Shytit, Xhuljano Visha, Leonardh Xhixha dhe Skënder Vathi, të cilët në gjykatë kanë mohuar të jenë të përfshirë.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sot Kukësi sfidon Egnatian në finalen e Superkupës, rrogozhinasit kërkojnë 'tripletën'

Sot Kukësi sfidon Egnatian në finalen e Superkupës, rrogozhinasit kërkojnë 'tripletën'