Protesta ditore që kërkon rrëzimin e qeverisë Rama në bulevardin kryesor të Tiranës ka sjellë bashkë me zhurmën dhe tendosjen politike në kryeqytetin shqiptar, edhe një temë delikate debati që lidhet me një pjesë të pjesëmarrësve të saj. Ardhja nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe lugina e Preshevës e një numri shqiptarësh për t’ju bashkangjitur protestës, ka ndezur një debat të vjetër në skenën shqiptare: atë të të drejtës që mund ose duhet të kenë shqiptarët kudo që ndodhen, për të influencuar në garën e pushtetit apo në ngjarjet politike në shtetin amë.

Pesë vjet më parë ishte Vetëvendosja dhe kreu i saj Albin Kurti që hapën siparin e këtij precedenti të rrezikshëm dhe thellësisht propogandistik, të veshur me një pekt hileqar patriotik. Vetë Kurti erdhi në Tiranë dhe votoi kundër Edi Ramës, pasi kishte ngritur edhe degën e Vetëvendosjes në Shqipëri, megjithëse qeveria Rama kishte fiksuar në kalendarin e punëve mbledhjen e radhës mes dy qeverive. Me një fjalë ta jap dorën kur të shihemi, por po të votoj kundër meqë mundem.

Precedenti i Vetëvendosjes dështoi zhurmshëm atë vit, por inercia e hapit që ajo hodhi vijon të jetë ende aktive dhe e ndjeshme. Në vijim të kësaj incercie është krijuar sot një narracion fals propogandistik gjoja patriotik, sipas të cilit shqiptarët duhet të kenë të gjithë të drejtë të thonë aktivisht fjalën e tyre për shtetin amë në çdo moment dhe për cilëndo çeshtje. Megjithëse Shqipëria nuk është as në luftë, as në pandemi dhe as në ndonjë fatkeqësi natyrore madhore.

Klasa politike shqiptare nuk është angazhuar ndonjëherë në krizat politike të Kosovës e aq më pak të Maqedonisë në këtë nivel influence dhe presioni. As që mbahet mend të kemi eksportuar mitingashë në garat elektorale apo krizat politike të dy shteteve fqinje. Ka pasur përgjithësisht kujdesin dhe respektin për t’i lënë të konsumohen këto procedura demokratike brenda subjekteve territoriale të këtyre vendeve. Edi Rama e ka mik Ali Ahmetin por vështirë se në fushatën elektorale maqedone do të gjeje ndonjë socialist nga Fieri, Tirana apo Lezha të brohoriste nëpër mitingje pro tij. Rama e ka mik edhe Hashim Thaçin por sërish nuk është investuar të eksportojë mbështetës për PDK kur ka pasur zgjedhje ose kriza politike. Po ashtu edhe Berisha ka pasur aleancat e miqësitë e veta, por nuk ka dërguar njerëz që të mbushin sheshet në krizat e brendshme të atjeshme.

Në një sistem demokratik një politikan mund të zgjidhet ose të shkarkohet nga ata shtetas me të drejtë vote që e kanë votuar pro ose kundër. Pra nga shtetasit në vendin ku ky politikan ushtron mandatin e tij në qeveri apo opozitë. Të shkarkosh qeveritë me protestues të importuar matanë kufirit shtetëror, të cilët objektivisht nuk dinë shumicën e arsyeve dhe rrethanave për të cilat protestohet e nuk kanë të drejta vote, do të thotë ta kthesh garën politike në një vend në një lloj votimi global online ku kanë të drejtë fjale dhe vendimmarrjeje edhe ata që votojnë nga një kompjuter në Zelandën e Re. Do të thotë me fjalë të tjera të falsifikosh vullnetin e zgjedhësve legjitimë të vendit duke deformuar lojën demokratike në themelin e saj.

Elita politike e një vendi mbahet në pushtet ose shkarkohet nga shtetasit e vendit të cilët janë subjekt i kësaj elite politike. Rrëzohet ose qëndron në qeverisje përmes atyre që kanë të drejtë vote në raport me mandatimin e të zgjedhurve në institucione. Votohet dhe shkarkohet nga ata që banojnë dhe paguajnë taksa në territorin ku veprojnë politikat dhe zgjedhjet që bën kjo elitë politike. Një banor i Kosovës apo i Luginës ose Gostivarit nuk ka asnjë mundësi të ushtrojë ndikim me votë fjala vjen mbi kërkesat aktuale e protestës, të cilat kalojnë të gjitha përmes vullnetit të votuesve shqiptarë që banojnë në Shqipëri. Po ashtu një banor i Durrësit për shembull nuk ka asnjë të drejtë apo mundësi ligjore të influencojë mbi ligjet apo politikat e elitës politike të Kosovës ose Maqedonisë së Veriut. Abuzimi me nocionin patriotik “jemi shqiptarë, kemi të drejtë të bëjmë ç’të duam” është vetëm një spekullim emotiv që fsheh pas perdes qëllime e interesa që s’kanë asnjë lidhje me patriotizmin dhe kombin.

Të drejtat politike të shtetasve shqiptarë janë sovrane dhe të patjetërsueshme në raport me elitën drejtuese të vendit. Siç janë të drejtat mbi elitën politike kosovare një e drejtë e patjetërsueshme e banorëve të Kosovës, e jo të banorëve të një krahine të Shqipërisë apo Maqedonisë së Veriut apo ndonjë shteti tjetër.

Importimi i protestuesve dhe synimi për të influencuar mbi situatat e brendshme të Shqipërisë përmes abuzimit me konceptin patriotik dhe kombëtar, është një aventurë që vetëm sa hedh benzinë të panevojshme mbi marrëdhëniet ndërshqiptare në Ballkan. Shkojmë e vijmë mes nesh lirshëm prej shumë vitesh dhe është e drejtë që kjo të vazhdojë edhe më me intensitet në të ardhmen. Por e ka një arsye dhe një kuptim se përse kur jemi në shtëpitë tona zgjedhim deputetët tanë, krerët tanë lokalë, parlamentet dhe qeveritë tona. E ka një arsye përse kemi kushtetutat dhe ligjet tona kombëtare.

Përndryshe, me logjikën e përçartur të mësipërme, lushnjarë, dibranë e pukjanë duhet të kishin ngritur tashmë çadrat në sheshin para Kuvendit të Kosovës për të protestuar, meqë klasa politike aty s’po zgjedh dot as Presidentin e s’po formon dot as edhe qeverinë prej muajsh. Falë Zotit nuk funksionon kështu, sepse do të ishte përveçse skandaloze, edhe qesharake./ Java News