Skënder Minxhozi: Berisha, Eskobar dhe batanija e arnuar e Xhorxh Soros

Skënder Minxhozi: Berisha, Eskobar dhe batanija e arnuar e Xhorxh Soros

Gabriel Escobar

Afrimi i Sali Berishës me zyrën e kryetarit të opozitës,  po e bën më të nxehtë debatin që ka nisur mes tij dhe amerikanëve, qysh ditën kur e shpallën si të padëshëruar në SHBA. Deri më sot pozicioni i Berishës në raport me të huajt ka qenë pak a shumë komod. Ka qenë një thuajse-pensionist i politikës, pa tagër përfaqësimi dhe jashtë lidershipit opozitar, që mund të thoshte çfarë i vinte në mend pa ndonjë pasojë për veten dhe të tjerët rrotull tij.

Teksa në zyrën e tij private ka shkelur në muajt e fundit vetëm ambasadori çek, ish-kryeministri mbetet në kërkim të një aleati evropian çfarëdo, për të zbutur konfliktin që ka me Uashingtonin. Përshëndeti fitoren e Orban dhe mbetet gjithë kohën “me veshët ngritur” në përgjim të ndonjë shenje, sinjali, mesazhi sado periferik që do ta ndihmonte në kauzën e vështirë të përballjes me shtetin më të fuqishëm të botës.

Vendimi i gjyqtarit Zhukri mund ta ketë thyer ndërkaq këtë statu quo. Berisha po afrohet tek pushteti politik, po merr në dorë frenat e opozitës duke u ulur edhe një herë në rreshtin e parë të shfaqjes. Jo se kishte ikur ndonjëherë prej aty, por këtej e tutje do të firmosë me emrin e tij, e jo me atë të Lulzim Bashës.

Kjo gjendje e re në krye të Partisë Demokratike është komentuar qysh herët si e padëshërueshme për administratën amerikane, e cila e ka përsëritur deri në mërzi faktin (dhe paralajmërimin), se rimarrja e PD nga Berisha do të krijonte probleme për Doktorin dhe ata që i shkonin pas.

Megjithatë kjo s’e ka penguar fraksionin e Berishës që të zgjerohet e të shtyjë drejt rimarrjes së selisë. Ashtu si kreu i tyre, përkrahësit e ish-kryeministrit, të gjithë politikanë me eksperiencë dhe me spaleta, vijojnë të shprehen publikisht në mënyrë të habitshme se raporti i Berishës me SHBA është një çeshtje personale, se kjo rrethanë nuk do ta prekë partinë. “Kemi një mal sa ai i Dajtit me vlerësime për Berishën dhe një letër pa asnjë fakt, pa asnjë gjë”, deklaronte të enjten një ndër njerëzit e Berishës, duke nënkuptuar pa shumë dorashka se republikanët amerikanë e kanë vlerësuar, kurse demokratët po e diskriminojnë pa prova.

Kjo tezë e diferencimit mes republikanëve e demokratëve ka qenë në fakt në thelb të Foltores dhe të të gjithë strategjisë së Berishës pas shpalljes ‘non grata’. E djathta amerikane na do, e majta liberale na urren! Duke marrë me vete në krah nëpër Shqipëri një grua që s’dihet pse e quan veten ‘aktiviste republikane’, Berisha është përpjekur të ndërtojë një teoremë të çuditshme që i ngjan një labirinti pa fund e pa krye, në lidhje me raportin që ka me politikën amerikane.

Sali Berisha është munduar të ndërtojë, jo pa një farë suksesi mes fanatikëve të tij nëpër Shqipëri, fabulën e çmendur sipas të cilës Shtëpia e Bardhë, Departamenti i Shtetit dhe të gjitha institucionet e tjera në Uashington janë thjesht kukulla në duart e një miliarderi 91 vjeçar nga Evropa Lindore. Emri i Xhorxh Sorosit ka qenë batanija e arnuar me të cilën Berisha është përpjekur të mbulojë problemin e madh dhe të pakthyeshëm që ka me Shtetet e Bashkuara.

Në anën tjetër, Amerika që ai sheh me sytë e mendjes është ajo që sot përkon me republikanët dhe përgjithësisht konservatorët. Me shumë përpjekje ish-kryeministri përpiqet të fshehë mllefin dhe urrejtjen që ka për të gjithë piramidën shtetërore aktuale dhe lakon nga mëngjesi në darkë (bashkë me Metën) një zhargon ku përzihet sovranizmi folklorik, me konservatorizmin ‘e pastër’ që mishëron pjesa e politikës amerikane që identifikohet me Trumpin dhe të tjerët pranë tij. Nënteksti është i qartë: po goditem nga Uashingtoni ‘socialist’ sepse mbroj këto vlera. Duhet të jesh në hall të madh që të shpikësh kësisoj përzierjesh konceptesh, tezash, fytyrash dhe emrash.

Është një kohë politike e çmendur në Tiranë. Koha kur një pjese të elitës politike dhe mediatike i duhet shpjeguar në mënyrë të përsëritur se një ambasador përfaqëson vendin e tij dhe jo inceneratorët, Taulant Ballën apo kryetarin e bashkisë së Korçës! Është një kohë, në fakt pjesë e një fenomeni botëror, kur të jetosh brenda flluskës që të pëlqen do të thotë të refuzosh pa mëdyshje gjithçka që del jashtë saj.

Dalja e detyruar publike  e zyrtarëve të lartë të Departamentit të Shtetit për të mbrojtur përfaqësuesen e tyre në Tiranë nga folklori i podiumeve dhe studiove të debatit, është një shenjë tjetër e vogël se të vërtetat paralele dhe teoritë e komplotit janë një problem i madh i botës së sotme. Dhe në këtë batak thashethemesh, sajesash e akuzash lunatike, politikanë hallexhinj si Berisha e Meta kanë gjetur spiralen e vetme për t’u ringritur nga gropa ku ndodhen. Si për të provuar edhe një herë më shumë se shprehja e Haxhi Qamilit ‘Tuj pat Rrogozhinën dhe Peqinin, ç’më duhet mua ç’thonë Parisi dhe Londra’ nuk vdes asnjëherë në këtë vend!

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iliri: 08/04/2022 18:47

    Nje pyetje te thjeshte kam per ty dhe te tjeret o Minxhoz , si ka mundesi qe shteti me i madh dhe “demokratik” ne bote shpall dike “non grata” pa paraqitur as nje fakt te vetem ?! Si ka mundesi qe ti dhe gjithe te tjeret nuk ja beni te njejten puetje vetes dhe gjithe te tjereve perfshi ktu dhe Ambasadoren Kim ?! Si ka mundesi dhe me cfare morali ky shtet ben nje akuze te tille pa fakte dhe argumenta ?! Dinjiteti njerezor i cilido personi vlen shume me shume se humori i stisur i nje zyrtari amerikan o Minxhoz djali !!! Behu burre dhe kerkoi fakte ambasadores dhe departamentit dhe tregoji pak se virtytet nuk mund te bien kurre nga thashethemet qofshin kto amerikane te departamentit te shtetit dhe mjaft na sorrollatet me Kto lojra tu ulta !! Nese keni kellqe nxirrni fakte dhe arrestojeni dhe mos u knaqni thjesht me titullin qesharak “Non Grata” se si ha me populli kto akrobacira mbas 8 vitesh ne opozite o mik !!!

    Përgjigju
    • Xxxx: 09/04/2022 07:26

      Tyja te duhen prova per saliun e ke serjozhisht,lere menjan korrupsionin madhor qe ka ber ne emer te familjes,por 97 ,2008 ,2011 nuk te mjaftojn si prova.Komplet klasa politike ne shqiperi esht e korruptuar por Sali Berisha i ka duart te lyera me gjak

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Universitetet amerikane u bëjnë thirrje studentëve të huaj të kthehen përpara inaugurimit të Trump

Universitetet amerikane u bëjnë thirrje studentëve të huaj të kthehen përpara inaugurimit të Trump