Debati më i fundit në lidhje me transmetimin televiziv të gjyqeve ndaj zyrtarëve të lartë, shoqëruar me reagimet normale për futjen e tyre pas xhamave të blinduar, duket se e kanë zënë të papërgatitur drejtësinë speciale. Papritur Meta, Veliaj, Beqaj dhe i fundit Ahmetaj kanë kërkuar që seancat e proceseve të tyre të jenë të hapura për publikun dhe mundësisht të transmetuara nga televizionet. Një kërkesë në pamje të parë paradoksale dhe e pakuptueshme, por me një prapamendim të qartë dhe të lexueshëm. Në interes të opinionit publik.

Mbyllja dhe hermetizmi në emër të sigurisë dhe sekretit hetimor,  janë justifikimi shabllon me të cilin SPAK-GJKKO po trajtojnë sot listën e politikanëve që ka nëpër qeli. Ilir Meta, Erion Veliaj dhe Ilir Beqaj izolohen dhe trajtohen de facto si kriminelë dhe si persona që i kanë marrë tashmë dënimet, listat e tyre të vizitave shihen si të ishin vrasës serialë (ndërkohë që këta të vërtetët presin eskorta nëpër burgje e kalojnë javë të tëra pushimesh nëpër spitale private).

Është tashmë e dukshme se mbi ashpërsinë e trajtimit dhe shkeljen e skajshme të të drejtave të treshes Meta-Veliaj-Beqaj, Spak-Gjkko po mundohen të ndërtojnë një gjysëm-narrative suksesi, sipas parimit “hiqi patentën e arrestoje atë që hyri me të kuqe, paçka se nja dhjetë makina të tjera bënë të njëjtën gjë dhe shpëtuan”. Ndëshkimi ndaj këtij grupi politikanësh është alibia për të mos prekur me dorë dosje të tjera të nxehta që gjallojnë çdo ditë në realitetin shqiptar e trajtohen me të njëjtën symbyllje si dhjetë apo njëzet vite më parë nën drejtësinë e plepave.

Më tej akoma këta pak politikanë me të cilët SPAK-GJKKO kërkojnë të kompensojnë bashkëfajësinë për moszbardhjen e 21 janarit e të tjerave ngjarje të rënda, këta pra duhen futur në rrethin e nëntë të ferrit në mënyrë që populli jashtë të fërkojë barkun e t’u këndojë vargje prokurorëve e gjyqtarëve që po na shpëtojnë nga hallet. Duhet plotësuar grafiku, duhet kryer edhe teatri i ashpërsisë dhe rigorozitetit në sytë e miletit. Na shihni ç‘po ju bëjmë, a nuk jemi më të mirët?

Jo, nuk janë më të mirët! Patëm gjashtë vite kohë për t’ju mësuar emrat, tabiatet dhe mënyrat sesi infiltruan në sistemin e ri të drejtësisë. Gjashtë vite kohë gjatë të cilës kishin të gjitha mundësitë e kësaj bote që të gjenin vrasësit dhe urdhëruesit e 21 janarit e nuk e bënë, që të zbardhnin siç duhej shpërthimin e Gërdecit apo korrupsionin masiv në rrugën e Kombit e sërish nuk po e bëjnë duke e çuar gjithçka drejt parashkrimit, si paraardhësit e tyre. Kishin kohë natyrisht edhe për të thyer koracën e trashë të pandëshkueshmërisë, por edhe këtë e kanë bërë pjesërisht dhe në mënyrë selektive. Shihni gjyqin ndaj Berishës për leje pallatesh, e jo për të tjerat!

Hermetizmi që po aplikohet ndaj kësaj liste politikanësh që sot ndodhet nën kthetrat e drejtësisë së re, ka si metaforë kafazin prej xhami të blinduar, ku mbahet një ish-president, një kryetar bashkie i Tiranës në detyrë dhe një ish-ministër. Dikush kujtonte me të drejtë këto orë se kështu të mbyllur nuk janë mbajtur as shefat e nacional-socializmit hitlerian në Nurenberg megjithëse ishin të akuzuar për 50 milion viktima të Luftës së Dytë Botërore.

Megjithatë pyetja bazë e momentit është kjo: pse “hajdutët” e parave të këtij populli sot kërkojnë gjyqe televizive, ndërsa gjyqtarë e prokurorë rrudfhin buzët dhe refuzojnë? Çfarë e shtyn një zyrtar të lartë që ka mbi tryezë një dosje mijëra faqesh, që të pranojë më mirë riskun që i gjithi ky mal akuzash të bëhen publike e të dukshme edhe për një shqiptar që jeton në Zelandën e Re apo në Japoni, sesa një proces të mbyllur e hermetik ku prokurori intimidon gjyqtarin dhe e detyron të firmosë pretencën në heshtje? A mos ndoshta kjo ndodh sepse të pandehurit kanë bindjen e përbashkët se hapja e proceseve do të relativizojë edhe mijëra faqet e dosjeve të akuzës? Në qoftë kështu shpjegohet edhe hutimi e refuzimi i gjyqtarëve e prokurorëve ndaj hapjes së proceseve për publikun.

Pyetja e mësipërme duket se e ka përgjigjen brenda. Këta politikanë të lartë po mundohen t’i ikin poshtërimit dhe represionit shumëmujor pas perdeve në qelitë e paraburgimit, ndërkohë që gjyqet popullore, gjithashtu televizive, i kanë shpallur tashmë të dënuar, i kanë telendisur e pushkatuar publikisht, duke ju komentuar deri në lodhje çdo detaj të marrë nga një dorë e kujdesshme nga dosjet e tyre, për t’i nxjerrë sa më keq në meidanin publik. Hapja e proceseve të tyre në këto kushte është akti i madh i transparencës për të gjithë: për të pandehur e për akuzues apo edhe për ata që do të bëjnë arbitrin në mbarim të seancave. Shqiptarët meritojnë të njohin të gjitha abuzimet e këtyre zyrtarëve nëse ata gjenden fajtorë, ose nga ana tjetër të njihen me heronjtë falsë dhe arrogantë brenda drejtësisë së re, nëse akuzat e tyre nuk provohen. Të dalin të gjithë në dritë, boll me fshehje pas procedurave.

Hapja e proceseve gjyqësore është një moment drejtësie publike. Sidomos për këtë drejtësi që është akuzuar prej vitesh për arrogancë, subjektivizëm dhe teatër selektiv me provat, të pandehurit dhe proceset. Pasi kemi dëgjuar gjyqet televizive me copa letrash e fraza të shkëputura nga hetimet, le të dëgjojmë të gjithë historinë se kështu është më e ndershme. Kush të dalë fajtor të shkojë me të vërtetë në burg, e jo të mbahet në paraburgim më të ashpër se vetë burgu duke pasur mbi uniformë etikëten mashtruese “i prezumuar i pafajshëm”!

Nuk na duhet një drejtësi selektive studiosh debati, por drejtësi që jepet në dritën e diellit, me kamera dhe mikrofon para gojës në një sallë gjyqi. Të atij gjyqi ku gjyqtari është më i frikësuari nga meraku se mos prokurori e fut nën përgjim! Apo kështu kemi frikë se na prishet vitrina e bukur dhe vezulluese e drejtësisë së re?! Kot lodheni, është prishur tashmë! Drejtësia me pesë yje po i ngjan frikshëm drejtësisë së vjetër, të cilën kujtuam se e hoqëm qafe.