Skënder Minxhozi: Rreziku numër 1 për qeverinë: Mërzia! Ajo që rrëzoi Xho Bajden më 5 nëntor!

Skënder Minxhozi: Rreziku numër 1 për qeverinë: Mërzia! Ajo që rrëzoi Xho Bajden më 5 nëntor!

Kamala Harris dhe Donald Trump

Me vonesë dhe kur gjithçka ka mbaruar, demokratët në SHBA po fillojnë të lexojnë elektrokardiogramën e humbjes së 5 nëntorit. Një lumë anketash, sondazhe post-elektorale dhe analiza të thelluara zgjedhore, demografike e sociale po përvijojnë sesa i madh ishte në këto zgjedhje faktori ekonomik.

Shteti më i pasur në botë u lodh së paguari fatura të kripura. Ky konstatim zbulon sot një ndër shkaqet madhore të humbjes së Kamala Harris së bashku me emigracionin, Ukrainën dhe siluetën lëkundëse të Xho Bajden që rrëzohej sa herë kishte një palë shkallë përpara.

Humbja e Kamala Harris është metafora e rënies së pushtetit përballë njeriut të thjeshtë. Përtej indoktrinimit dhe hipnozës mbarëkombëtare që arriti të krijojë një shitës i aftë dhe spekulant si Donald Trump, shurdhëria e administratës qendrore në Uashington ndaj problemeve të mëdha ekonomike e sociale që kalon SHBA, prodhoi një nga humbjet më të hidhura për të majtën amerikane.

Bota është kthyer në një fshat global dhe modelet e situatat kanë kudo pika takimi e komunikimi mes tyre. Në këtë vendin tonë vogël pas rreth gjashtë muajsh do të kemi zgjedhje. Ashtu si në SHBA partitë do të përballen me kutitë e votimit dhe humorin e votuesve.

Këtu tek ne fushata po afrohet me një debat për të ardhurat e ulëta të pensionistëve dhe shtresave të tjera në nevojë. Një debat që u zgjerua gjatë rrugës dhe përfshiu edhe politikat fiskale, evazionin dhe debatin për buxhetin e vitit të ardhshëm.

Vetëm në një shtet të dobët e pa kontroll mbi territorin ndodh që bizneset të mos paguajnë masivisht tatimet e taksat. Kudo në kryeqytet mbi tavolinat e restoranteve e bareve, në dyqane e markete, në pika karburanti e njësi tregtare ka një ligj të pashkruar copash letre në ose nën dorë. Janë alternativa shqiptare e kuponave tatimorë. Janë mënyra sesi mijëra biznese nga Tirana në Konispol e Vermosh shkelin orë e çast ligjin dhe thajnë arkën e shtetit.

Është e pavend që kryeministri të ankohet për evazorët apo të akuzojë drejtësinë. Shteti i ka të gjitha mekanizmat, institucionet, agjentët në terren, për të kontrolluar e mbledhur taksat apo penalizuar kundravajtësit. Qeveria nuk mund të ankohet se ka evazion kur detyra e saj primare është që evazion të  ketë sa më pak. Paguhet me taksat tona për kontrolluar si i paguajmë taksat tona!

Ka një ndjenjë depresioni mbi kokat e shqiptarëve këto muaj. Është një ndjesi fiziologjike që e sjell dimri me zymtësinë e vet, por në fakt jo vetëm stina e ftohtë. Në prag-zgjedhjesh ky humor gri që noton në ajër e që nxitet kohë pas kohe edhe nga ngjarje si vrasjet e fundit tragjike, është tejet i rrezikshëm për qeveritë.

Paralelisht me aktet makabre si ai shkollës Fan Noli, këto orë kaloi në Kuvend buxheti i vitit të ardhshëm. Me kalkulim të ftohtë opozita e fokusoi goditjen ndaj buxhetit tek ajo që konsiderohet si harresë për shtresat më të varfëra. Pensionistë, persona me aftësi të kufizuar e në përkrahje sociale, të papunë etj. Opozita goditi në një nerv të zbuluar të qeverisë, pasi pensionistët shihen historikisht si një nga prurjet  kryesore elektorale për PS.

Ministri Gonxhe na tha se bonusi i fundvitit për pensionistët, që qeveria këtë radhë e ka rritur ndjeshëm, do të japë 150 euro për 511 mijë pensionistë që marrin 200 mijë lek e poshtë pension.

Pra thënë ndryshe paskemi gjysëm milioni shqiptarë të moshës së tretë që vuajnë të dalin në fund të muajit. Me çmimet e mallrave të konsumit e karburantit që nuk ulen edhe pse euro shkon gjithnjë e më poshtë, kjo shtresë ka mbetur zbuluar pas goditjeve të inflacionit që prodhoi pandemia dhe lufta në Ukrainë. Me më pak se 200 mijë lekë të vjetra është një sport i vështirë të mbyllësh bilancin personal mujor, nëse të duhet të paguash ujin, energjinë dhe koshin me ilaçe që ta ka bërë peshqesh mosha.

E kjo prodhon lodhje, depresion dhe revoltë edhe tek ata që kanë votuar për këtë qeveri. Faktikisht e përpjeta e çmimeve ka lodhur e mërzitur jo vetëm pensionistët e të pamundurit, por edhe atë që shihet si shtresë e mesme e që i duhet ta paguajë bukën, perimet, transportin e shërbimet me çmime të ngjashme me ato të Greqisë a Italisë.

Një mërzi mbarëpopullore ndaj qeverisësve ka marrë hov nga situata ekonomike dhe pasojat e inflacionit disavjeçar, pa harruar faktorë të tjerë madhorë si konsumi e korrupsioni. Një mërzi e cila nuk prek kufinjtë e armiqësisë apo urrejtjes po më shumë të bezdisë dhe lodhjes, për atë pjesë të popullatës që nuk rreshtohet në transhetë partiake. Një ndjesi e përgjithshme e shtrirë nga qendra në provincë, nga veriu në jug, se shteti është rraskapitur e nuk reagon, se ligji nuk funksionon, se qeveria është larg realitetit dhe halleve të përditshme dhe se korrupsioni ka marrë revan.

Është një komponente kjo e humorit të prishur të shtetasve të tij, që kryeministri Rama duhet ta llogarisë me shumë kujdes e jo ta neglizhojë gjashtë muaj para zgjedhjeve. Sepse nuk është vetëm një rrethanë politike e elektorale, por mbi të gjitha edhe një urgjencë njerëzore!

Është një situatë shumë e ngjashme me atë mërzi të stërmadhe që rrethoi ngadalë me vite administratën e Bajden në SHBA dhe shënoi dhe rënien e saj në fund për shkak të ekonomisë dhe kostos së jetesës. E kur u mërzitën amerikanët, imagjinoni shqiptarët!

Milionat e turistëve ikën pasi lanë jo pak valutë në xhepat tanë. Megjithatë jemi vendi më i varfër në Evropë, me pagat minimale e minimumin jetik më të ulët në kontinent, edhe më poshtë se fqinjët tanë që rrisin pensionet, përkrahin më të vobektit dhe japin subvencione për fermerët e bizneset e vogla. Disbalanca mes të ardhurave dhe çmimeve e tarifave është kthyer në një luftë ekzistenciale për një pjesë qindramijëshe të shoqërisë shqiptare që po mpak besimin e njerëzve dhe rrit tensionet sociale.

Edhe në këtë buxhet qeveria e humbi shansin të tregojë empati e mirëkuptim për të ndihmuar të varfrit e këtij vendi. Qoftë duke bërë edhe atë që propozoi në parlament me të drejtë Damian Gjiknuri gjatë debateve për buxhetin, kur tha se duhet të lemë ndonjë projekt pa zbatuar apo të rrisim pak borxhin publik, për të financuar rritjen e pensioneve. Një zë i logjikshëm fatkeqësisht në një det harrese…

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Tërmeti shkund edhe Qipron, forca 4.3 ballë, s’ka raportime për të lënduar

Tërmeti shkund edhe Qipron, forca 4.3 ballë, s’ka raportime për të lënduar