Fitorja 0-2 kundër Teutës i jep mundësinë Partizanit të ruajë kreun e Superligës edhe pas javës së 21. Në Durrës realizoi fillimisht mbrojtësi Janjeva në pjesën e dytë, ndërsa në vijim dyfishoi për 3 pikët Podstrelov.
Fitoren e parë për 2025 mori edhe Dinamo, që në Elbasan Arena mposhti 3-1 Elbasanin. Një përballje që pati dhunë në shkallët e stadiumit, teksa fillimisht u përplasën dy tifozëritë, ndërsa në tribunë u sulmua fizikisht drejtori i ‘nëndetëses’ Ermal Barushi. Për ngjarjen pati disa të shoqëruar në polici, ndërsa ky ishte një inat i mbartur mes dy tifozërive që nga faza e parë.
3 pikët, por me rezultatin e thellë 0-4 mori Vllaznia kundër Skënderbeut. Korçarët zhyten akoma më shumë në vendin e fundit.
“Gjithçka e kisha menduar por jo këtë rezultat. Ndoshta skuadra nuk e përballon dot këtë presion. Na dëmtoi shumë goli i parë me atë penallti që mund të ishte evidentuar. Na rëndoi psikologjikisht,”-u shpreh Ernest Gjoka, trajner i Skënderbeut.
“Nuk e kishim menduar se do vinim këtu dhe do ishte një ndeshje kaq e thjeshtë, pasi fazën e parë në Korçë e kishim shumë të vështirë. E morëm përballjen shumë seriozisht dhe kjo fitore sot sigurisht që na jep besim për ndeshjen e ardhshme,”-tha Thomas Brdaric, trajner i Vllaznisë.
Kjo ishte java e skuadrave që luftojnë në titull, pasi edhe Egnatia mposhti 0-4 Tiranën. Si rrogozhinasit, ashtu edhe Dinamo, Partizani dhe Vllaznia ia dolën në transfertë, ndërsa të 4 skuadrat e para kanë krijuar diferencë më pjesën tjetër të tabelës. Aktualisht Partizani i vendit të parë ka 37 pikë, po aq sa Dinamo dhe Vllaznia, ndërsa Egnatia e vendit të 4 ka vetëm 1 pikë më pak.
Sfida tjetër e kësaj jave, e luajtur të shtunën mes Laçit dhe Bylisit u fitua 0-3 nga ballshiotët. Kjo ishte fitorja e 2 radhazi për skuadrën e Nevil Dedes, që nga e fundit është ngjitur në vendin e 6.